Autor
Darina Grigorova
Artikull
Shtunë 11 Prill 2026 06:00
Shtunë, 11 Prill 2026, 06:00
Ambasada e Bullgarisë në Dublin
FOTO: Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Irlandë
Madhësia e shkronjave
Disa orë para ngjarjes më të ndritshme për të krishterët ortodoksë – takimi me Shpëtimtarin e Ringjallur, bashkatdhetarët tanë në Dublin po përgatiten për Liturgjinë e Shenjtë festive, të cilën do ta kryesojë personalisht Mitropoliti i Evropës Perëndimore dhe Qendrore, Antonij. Komuniteti bullgar në Irlandë do të ndajë së bashku kohën, në të cilën i gjithë bota e krishterë ortodokse do të “gëzohet dhe lartësohet”, duke u përkulur para triumfit të jetës mbi vdekjen.
Për besimtarët e krishterë, kremtimi i Pashkës nuk është thjesht traditë, por një përjetim i gëzueshëm i dashurisë së pakufishme të Shpëtimtarit, i cili rivendosi lidhjen e ndërprerë midis Zotit dhe njeriut përmes Ringjalljes së Tij. Prandaj edhe pjesëmarrja në tryezën e Zotit (Eukaristia / kungimi), në të cilën të gjithë besimtarët janë të ftuar në ditën festive, është kaq e rëndësishme për të krishterët ortodoksë. Kjo është edhe arsyeja që Mitropoliti Antonij iu përgjigj ftesës së ambasadores së Bullgarisë në Irlandë për të kryesuar shërbesën festive në Dublin:
“Në këtë festë vërtet të madhe ne do të vendosim themelet e një bashkësie të ardhshme kishtare në Irlandë. Në Dublin do të themelojmë një mision ortodoks bullgar, i cili, dashtë Zoti, të zhvillohet në një bashkësi kishtare, në mënyrë që bashkatdhetarët tanë në Irlandë të mund të jetojnë jetën e Kishës Ortodokse, duke përmbushur nevojat e tyre shpirtërore dhe kështu kjo vepër të jetë e bekuar. Sepse e dimë se ajo që është e pamundur për njerëzit është e mundur për Zotin: ‘Kërkoni dhe do t’ju jepet, trokitni dhe do t’ju hapet’, thotë Krishti. Kështu që sot ne trokasim në derën që të mund të hyjmë në Mbretërinë e Zotit me përshëndetjen gjithmonë fitimtare të Ringjalljes së Krishtit, që Krishti me dritën e Ringjalljes së Tij të na tregojë rrugën, duke shpërndarë hijet e dyshimit dhe mosbesimit dhe duke mbushur secilin prej nesh me më shumë besim, shpresë dhe dashuri.”
FOTO: Darina Grigorova
Dhe që të arrijnë atë që kanë menduar, nevojitet qëndrueshmëri dhe durim, thekson Mitropoliti Antonij dhe shton: “Ashtu siç ne mendojmë brenda vetes, me dyshimet tona, me mosbesimin tonë, Zoti na siguron se pikërisht në dobësitë njerëzore shfaqet edhe fuqia e Tij hyjnore. Prandaj u uroj të kenë besim të fortë e të palëkundur dhe të kërkojnë, që të marrin.”
Në fakt, pikërisht qëndrueshmëria dhe këmbëngulja e komunitetit bullgar në Irlandë për të siguruar një shërbesë festive në gjuhën bullgare për Pashkë e shtyn ambasadoren e jashtëzakonshme dhe fuqiplotë të Bullgarisë në Irlandë, Vanja Andreeva-Malakova, të kërkojë ndihmën e Kishës Ortodokse Bullgare, në personin e Mitropolitit Antonij:
Ambasadorja Vanja Andreeva-Mallakova
FOTO: Krasimir Marinov
“Jemi shumë të lumtur që ai pranoi të vijë – tha diplomatja për Radio Bullgarinë. – Kjo është një nga pyetjet që marr prej dy vjetësh e gjysmë rreth Pashkës. Shumë njerëz telefonojnë duke pyetur nëse do të ketë vend ku mund të marrin pjesë në një shërbesë bullgare. Kur marrin përgjigje negative, se nuk planifikojmë dhe se nuk ka ku të mbahet një shërbesë bullgare për Pashkë, njerëzit shpërndahen në drejtime të ndryshme, gjë që nuk është e mirë për komunitetin. Është mirë që ai të ketë një vend ku të dëgjojë liturgjinë në gjuhën bullgare nga një prift bullgar. Dhe tani e vlerësojmë shumë faktin që Mitropoliti Antonij pranoi ftesën tonë. Ka interes të madh nga qytetarët bullgarë. I kemi lutur të na njoftojnë paraprakisht nëse do të marrin pjesë, sepse kisha ku do të zhvillohet liturgjia nuk është shumë e madhe, por do të mbledhë 250–300 persona.”
Për këtë qëllim ambasada jonë është lidhur me arqipeshkvin e Dublinit, i cili ka vënë në dispozicion një kishë për shërbesën bullgare të Ringjalljes së Krishtit. “Ky është një fillim i mirë. Por rruga drejt krijimit të një bashkësie të përhershme kishtare është e gjatë dhe e vështirë – thekson Vanja Andreeva-Malakova. – Shpresoj që pas këtij eventi, komuniteti ynë të jetë mjaftueshëm aktiv dhe të organizohet, në mënyrë që shërbesat kishtare në gjuhën bullgare të shndërrohen në një praktikë të qëndrueshme. Ndërsa ne do të vazhdojmë me të gjitha forcat të mbështesim këto përpjekje.”
Kuarteti “Svetogllas” do ta shoqërojë me këngët e tij shërbesën si kor kishtar në Liturgjinë e Pashkës:
FOTO: BTA
“Pa dyshim jemi të emocionuar, sepse liturgjia është diçka ndryshe nga një koncert, ku tingëllojnë këngë me të cilat kemi përvojë dhe praktikë – theksoi në një intervistë për Radio Bullgarinë Daniell Spasov, një nga themeluesit e kuartetit mashkullor. – Tani do të jetë pak më ndryshe dhe shpresojmë që me pjesëmarrjen tonë në liturgji të kontribuojmë edhe për solemnitetin dhe festueshmërinë e saj.”
Menjëherë pas shërbesës, formacioni do të prezantojë këngë të vjetra bullgare dhe kishtare-sllave nga projekti i tyre i ri “Himnet e lashta të ortodoksisë. Muzikë nga manastiret”, i botuar së fundmi nga BNR. “Ne jemi një formacion për muzikë popullore të vjetër bullgare, por këngët kishtare gjithmonë kanë qenë objekt i interesit tonë – shpjegon Daniell Spasov. – Na emocionojnë, na pëlqejnë dhe i interpretojmë. Madje kemi pasur edhe koncerte të tilla të pavarura jashtë vendit, që përfshijnë kryesisht muzikë kishtare-sllave dhe kanë qenë pjesë e festivaleve për muzikë sakrale dhe këngë.”
Përveç muzikës kishtare, në një pritje në ambasadën bullgare “Svetogllas” do t’u drejtojë një përshëndetje të veçantë muzikore bashkatdhetarëve tanë me përzgjedhje nga folklori bullgar.
Kuarteti është pjesë e delegacionit zyrtar kulturor, së bashku me drejtorët e BNR – Milen Mitev, të BNT – Milena Millotinova dhe të BTA – Kirill Vëllçev.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski