SHOQËRI

Artikull

Një platformë lidh drejtpërdrejt kompanitë me punëtorë nga vende jashtë BE-së

Mërkurë, 15 Prill 2026, 15:31

Stanisllav Çervenkov

Stanisllav Çervenkov

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Një platformë e re lidh mbi 60 kompani bullgare me qytetarë nga shtete jashtë Bashkimit Evropian që dëshirojnë të punojnë në vend. Këtë e bëri të ditur në Varnë Stanisllav Çervenkov, zëvendësdrejtor ekzekutiv i fondacionit “Qendra për Sipërmarrje dhe Zhvillim Menaxherial– Bullgari“. Financimi U sigurua nga fondi “Strehim, Migrim dhe Integrim” i Komisionit Evropian. Partner në projekt është Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Bullgarisë, njofton Agjencia Telegrafike Bullgare.

Në sektorin e turizmit, ku ka mungesë të fuqisë punëtore, problemet vijnë nga fakti se përpunimi i dokumenteve të punëtorëve të mundshëm kërkon kohë, shpjegoi Çervenkov. Prandaj është e nevojshme që punëdhënësit të reagojnë më herët dhe të paraqesin kërkesat e tyre, por është e vështirë të parashikohet se kur në të vërtetë është momenti më i përshtatshëm për të vepruar. Sipas Çervenkovit, shumë varet edhe nga shteti prej nga do të vijnë punëtorët. Ai dha shembuj me Pakistanin, Uzbekistanin dhe Indinë, ku ka shumë persona të interesuar për të punuar në vendin tonë, por përfaqësitë e Bullgarisë atje janë të mbingarkuara me punë dhe lëshimi i vizave bëhet më ngadalë. Si shembull pozitiv, Çervenkovi përmendi Moldavinë, me të cilën ekzistojnë marrëveshje dhe procedurat për punësimin e fuqisë punëtore janë të lehtësuara.

Eksperti theksoi gjithashtu se shumë prej atyre që kërkojnë punë në vendin tonë dëshirojnë të punësohen në sektorin e prodhimit, dhe jo në shërbime apo tregti. Arsyeja është pengesa gjuhësore me të cilën përballen.

Çervenkovi shtoi se platforma, në fazë pilot, lidh punëdhënësit bullgarë me punonjës të mundshëm nga Shqipëria, Armenia, Ukraina, Moldavia dhe Vietnami. Në kohë reale, personat marrin përkthim në gjuhën e tyre amtare, ndërkohë që ofrohen mundësi komunikimi edhe në gjuhën angleze dhe ruse. Platforma është e hapur për të gjithë dhe në të mund të kërkojnë informacion edhe persona nga shtete të tjera, si dhe qytetarë bullgarë, përfundoi ai.

 

 

 

Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova