Artikull
Premte 17 Prill 2026 05:55
Premte, 17 Prill 2026, 05:55
FOTO: moew.government.bg
Madhësia e shkronjave
Ekspozita në natyrë “Sofja – qyteti i lumenjve” hapet më 17 prill në kopshtin e kryeqytetit “Kristal”, me nismën e Ministrisë së Mjedisit dhe Ujërave dhe të ministrit të mjedisit Julijan Popov.
Duke përdorur mjete bashkëkohore vizuale, ekspozita paraqet drejtime të mundshme për transformimin e hapësirave lumore dhe vë theksin mbi rolin e tyre si bartëse të jetës, qëndrueshmërisë dhe së ardhmes për mjedisin urban. Ajo synon të rrisë ndërgjegjësimin publik për rëndësinë e lumenjve urbanë dhe të nxisë një dialog më aktiv shoqëror për rivendosjen e tyre natyrore dhe menaxhimin e qëndrueshëm.
“Në kushtet e ndryshimeve klimatike dhe urbanizimit në rritje, lumenjtë urbanë po marrin një rol gjithnjë e më kyç si “zemra e gjallë” e qytetit modern – jo vetëm si pjesë e infrastrukturës, por edhe si ekosisteme të vlefshme që përmirësojnë mikroklimën, ulin rrezikun nga përmbytjet dhe krijojnë hapësira për pushim dhe lidhje me natyrën”, theksojnë organizatorët.
Vizualizimi konceptual i disa lokacioneve të përzgjedhura të hapësirave lumore për ekspozitën “Sofja – qyteti i lumenjve” u realizua nga arkitekti Dimitër Pushnikov me mbështetjen e Bashkisë së Kryeqytetit.
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova