Artikull
Dielë 19 Prill 2026 18:23
Dielë, 19 Prill 2026, 18:23
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
Mbi 6.5 milionë qytetarë bullgarë kanë të drejtë vote sot, 19 prill, për zgjedhjen e 240 deputetëve që do të përbëjnë parlamentin e 52‑të të Bullgarisë. Koha pranverore me diell sikur “përqafon” pritshmëritë e votuesve në këtë ditë të diel për një të ardhme më të ndritshme, jetë më të mirë, shëndetësi, arsim, legjislacion dhe perspektivë pune. Shpresa e të gjithëve kaloi përmes shkuarjes në qendrën e votimit dhe hedhjes së fletës së votimit, pa marrë parasysh nëse ishte në hap me kohën e re duke përdorur makinerinë e votimit apo, duke plotësuar fletën e njohur të votimit në letër.
FOTO: BTA
“Sot gjëja e parë që bëra ishte të shkoja të votoja, pasi mendoj se kjo është detyrë e çdo qytetari, – thotë për Radio Bullgarinë një i ri 26‑vjeçar nga Sofja. Pavarësisht nëse ka pritshmëri apo jo dhe nëse ka një parti politike që t’u përgjigjet këtyre pritjeve. Sepse çdo votë është një qëndrim i qartë qytetar për të ardhmen e dëshiruar të vendit tonë. Shpresoj që rezultatet e reja zgjedhore të sjellin më të mirën për vendin dhe për të ardhmen tonë.”
Prej shumë kohësh nuk kishte ndodhur që në minutat e para pas fillimit të ditës së votimit të ketë votues në seksionet e shkollës fillore nr. 107 “Han Krum” në lagjen “Llozenec” të Sofjes. Këtë e konstatoi Svetllana Kuzmanova nga programi “Horizont” i Radios Kombëtare Bullgare.
FOTO: BTA
“Gjithmonë duhet të votoj herët, i pari – thotë për radion publike një nga të parët që erdhi të hedhë votën e tij. Meqë kemi të drejtë vote, do të votojmë. Për mua, njerëzit që nuk votojnë nuk kanë punë këtu në Bullgari – thotë qytetari, ndërsa një grua e moshuar shton: “Votova që të jemi më mirë – jo ne, fëmijët.”
FOTO: BGNES
“Kisha thënë madje se nuk do të votoja, por pavarësisht gjithçkaje, vij të votoj – thotë para Svetllana Kuzmanova një tjetër banor i kryeqytetit, i cili pret para qendrës së votimit. Le të përmirësohet situata dhe të ketë një qeveri të rregullt, në mënyrë që populli të mos vuajë.”
Dita e bukur pranverore plotëson ndjesinë e festës që ndihet sot:
FOTO: BGNES
“Ne gjithmonë votojmë. Mendoj se të gjithë jemi bullgarë dhe duhet të votojmë, e më tej le të merren vesh ata.”
A do të merren vesh
nesër ata, të ardhshmit 240 drejtues të Bullgarisë, mbetet për t’u parë. Por
kjo është përgjegjësia e tyre. E jona është sot – të shprehim përkatësinë,
përgjegjësinë dhe vendosmërinë në të drejtën tonë për të votuar.
Qendër zgjedhore në Vidin
FOTO: BTA
“Unë votova sepse besoj se zëri im ka rëndësi dhe se çdo vendim që marrim sot formon të ardhmen tonë – thotë një bashkatdhetar ynë 32‑vjeçar nga Bullgaria Verilindore. Unë votova sepse dua të jem pjesë e ndryshimit dhe të mos mbetem i painteresuar ndaj asaj që po jetojmë. Për mua demokracia nuk është thjesht një fjalë, por një përgjegjësi që secili prej nesh mban. Unë votova sepse besoj se kur jemi aktivë, mund ta bëjmë shoqërinë tonë më të drejtë, më të sigurt dhe një vend më të mirë për të gjithë. Sot është dita në të cilën kemi zgjedhje. Dita në të cilën zëri ynë dëgjohet më fort. Unë votova, po ti?”
Intervista: Shevkie Çakër‑Nihatova, Radio Bullgaria dhe Svetosllava Kuzmanova – “Horizont”
Teksti: Vesela Krësteva
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva