Nga thesari i Radio Bullgarisë

MakGahan dhe kauza bullgare

Hënë, 20 Prill 2026, 04:20

Januarius MacGahan (1844–1878)

Januarius MacGahan (1844–1878)

FOTO: Arkiv

Madhësia e shkronjave

Nëse do të pyesnit bullgarët se cili është gazetari i huaj me meritat më të mëdha ndaj Bullgarisë, me siguri të gjithë do të përmendnin emrin e amerikanit Januarius MakGahan. Karriera e tij është plot misione të rrezikshme në pikat më të nxehta të botës. Ai ka pasqyruar Luftën Franko-Prusiane, Komunën e Parisit, marshimin e gjeneralit rus Skobelev në Azinë Qendrore, ekspeditën britanike në Arktik “Pandora” e kështu me radhë. Për ne, bullgarët, ai do të mbahet mend për korrespondencat e tij mbi Kryengritjen e Prillit të vitit 1876 dhe për Luftën Ruso-Turke të viteve 1877–1878, e cila ishte çlirimtare për Bullgarinë.

 

Në vitin 1876, pas shpartallimit të përgjakshëm të Kryengritjes së Prillit, e cila konsiderohet kulmi i luftërave nacionalçlirimtare të Bullgarisë kundër sundimit osman, gazeta londineze “Daily News” e dërgoi në mision MakGahanin në Bullgari. Me reportazhet e tij, MakGahan arriti të ndryshonte opinionin publik në Britaninë e Madhe, politika zyrtare e së cilës ishte në mbrojtje të tërësisë së Perandorisë Osmane. E gjithë kjo bëhej me qëllim që Rusia të qëndronte sa më larg ngushticave të Detit të Zi. Së bashku me konsullin e përgjithshëm amerikan në Stamboll, Juxhin Skajler, dhe me diplomatin rus kontin Aleksej Cereteli, ai shkonte në rajonet e kryengritura dhe përshkruante atë që kishte parë. Ai vizitoi edhe viset ku masakrat kishin qenë më mizore, si Bataku, popullsia e të cilit ishte vrarë pa mëshirë dhe me egërsi nga repartet paraushtarake osmane – bashibozukët. Ai zbuloi “foshnja të vdekura, të çuditura nga shkëlqimi i ndritshëm i shpatës”, kufoma të shumta të djegura të njerëzve që kishin kërkuar shpëtim në kishë dhe mijëra shfarosje të pamëshirshme…

“Masakra e Batakut”, pikturë nga Antoni Pjotrovski

FOTO: wikipedia.org

MakGahani hyri në polemikë me kryeministrin britanik Benjamin Dizraeli për viktimat e kryengritjes. Ai shkroi: “Zoti Dizraeli e konsideron një krim të madh jo faktin që janë vrarë mijëra e mijëra njerëz të pafajshëm, por faktin që në gazeta është publikuar shifra prej 30 mijë të vrarësh, kur të dhënat tregonin se të vrarët ishin vetëm 25 mijë...” Në mbrojtje të kauzës bullgare u rreshtua edhe lideri i liberalëve britanikë Uilliam Gladston, i cili botoi në një tirazh të madh broshurën “Tmerret në Bullgari dhe Çështja Lindore”. U arrit një kthesë e rëndësishme – në Britaninë e Madhe u organizuan qindra mitingje dhe tubime në mbrojtje të bullgarëve.

MakGahani fitonte zemrat jo vetëm me guximin e tij, por edhe me penën e tij të shkëlqyer. Korrespondenti përshkruante jo vetëm tmerret, por edhe prosperitetin e kombit bullgar, i cili, me mençurinë e mësuesve dhe duart e arta të zanatçinjve dhe tregtarëve, po ringjallej nga hiri i historisë. Fjalë veçanërisht lavdëruese MakGahani i drejtonte sistemit arsimor bullgar, të cilin popullsia e realizonte me mjetet e veta, pa ndihmën e qeverisë. “Nuk ka ndonjë fëmijë bullgar, që të mos dijë të lexojë dhe të shkruajë... Përqindja e të arsimuarve në Bullgari është po aq e madhe, sa në Angli dhe në Francë”, shkroi ai.

Monumenti i MakGahanit në qytetin Elena

FOTO: wikipedia.org

Tepër mbresëlënës është përshkrimi i tij për mësuesen Rajna Popgeorgieva, e cila qepi flamurin e kryengritësve në Panagjurishte dhe e valëviti e hipur mbi kalë. Ai pikturon figurën magjepsëse të një vajze të bukur dhe inteligjente, e cila në Bullgarinë e robëruar kishte arritur një realizim profesional të denjë për mësueset britanike dhe amerikane. Pasojnë fakte tronditëse për torturat ndaj të cilave ajo ishte nënshtruar në burgjet osmane. Falë presionit të konsujve të huaj në Plovdiv, Rajna u lirua dhe u dërgua në Moskë.

Pasi Rusia nisi Luftën Çlirimtare, MakGahani përsëri u gjend në pikat më të nxehta. Ai pati mundësinë të pasqyronte betejën vendimtare për kalimin e Shipkës në gusht të vitit 1877, kur një grusht ushtarësh rusë dhe vullnetarë bullgarë e ndaluan ushtrinë shumëfish më të madhe të Sulejman Pashës. Shpejt bota perëndimore do të fillonte të fliste për Shipkën si për “Termopilet bullgare”. MakGahani dërgonte korrespondenca edhe për rrethimin e Plevenit. Me avangardën e gjeneralit Skobelev, i cili ndërmori një marshim të paprecedent nëpër Stara Pllanina, mal të pakalueshëm në dimër, arriti deri në San Stefano. Atje u bë dëshmitar i nënshkrimit të traktatit të paqes.

Gazetari shpesh vizitonte një mik të tij të sëmurë nga tifoja. Duke e ndihmuar atë, edhe vetë u infektua. Vdiq më 9 qershor 1878 në Stamboll, pa mbushur 34 vjeç.

Varri i MakGahanit në Nju Leksington, Ohajo, SHBA

FOTO: wikipedia.org

Më vonë eshtrat e tij u transferuan në qytetin e lindjes, Nju Leksington. Mbi varrin e tij u vendos një monument me mbishkrimin “MakGahani – Çliruesi i Bullgarisë”. Pranë tij ndodhet edhe një bust i gazetarit të guximshëm nga Bullgaria mirënjohëse. Skulptori i madh bullgar Ljubomir Dallçev, i cili në fund të shekullit të kaluar jetonte në SHBA, e ka realizuar MakGahanin në përmasa natyrore; vepra është vendosur në Nju Leksington. Monumente të MakGahanit ka edhe në Bullgari, ndërsa emrin e tij e mbajnë rrugë në shumë qytete të vendit.



Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova