MUZIKË

Artikull

DARA tërheq me meritë vëmendjen në Eurovision 2026 me talentin e saj

Mbështesni këngën bullgare më 14 maj

Mërkurë, 13 Maj 2026, 18:00

DARA tërheq me meritë vëmendjen në Eurovision 2026 me talentin e saj

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

“Me Eurovision-in kurrë nuk do të jesh vetëm” – ky është mesazhi me të cilin filloi gjysmëfinalja e parë e konkursit muzikor të Bashkimit Evropian të Radios dhe Televizionit – EBU, i organizuar këtë vit në Vjenë. 35 televizione publike garojnë me nga një këngë, ndërsa edicioni i 70-të i garës shënohet nga rikthimi marramendës i Bullgarisë me praninë magjepsëse të Dara dhe “Bangaranga”. Konkursi zhvillohet nën masa të shtuara sigurie në Vjenë për shkak të demonstratave propalestineze, ndërsa disa shtete e bojkotojnë edicionin dhe nuk e transmetojnë atë. Arsyeja janë dyshimet se Izraeli ka manipuluar votën e publikut vitin e kaluar, si dhe kritikat lidhur me luftën në Gaza, njoftoi BNT, e cila organizon pjesëmarrjen bullgare.

Vjenë, 12.05.2026

FOTO: BGNES

Pas spektaklit madhështor televiziv nga salla vjeneze “Stadthalle” më 12 maj, tashmë janë të qarta edhe 10 këngët e para që shkojnë në finalen e 16 majit – këto janë propozimet e Greqisë, Finlandës, Belgjikës, Suedisë, Moldavisë, Izraelit, Serbisë, Kroacisë, Lituanisë dhe Polonisë. Skena gjigante dha hapësirë për koreografi magjepsëse, efekte vizuale mbresëlënëse dhe tingull të fuqishëm. Bëri përshtypje prania e ndritshme e gjuhëve kombëtare të shteteve pjesëmarrëse – megjithëse është bërë ndërkombëtare, anglishtja sikur nuk ishte dominuese në këngët e natës së parë të konkursit. Në shfaqjen spektakolare, që arriti deri te teleshikuesit, nuk mungoi as gjurma bullgare – në një anketë të veçantë, fansa, organizatorë dhe pjesëmarrës nga edicione të kaluara të konkursit ndanë emocionet me të cilat e identifikojnë atë. Mes tyre ishte edhe Viktorija Georgieva, e cila e klasifikoi vendin tonë për finalen e Eurovision-it në Roterdam në vitin 2021: “Momenti më i fortë ishte në skenë – ndjesia e energjisë dhe mbështetjes së publikut. Është një ndjenjë që e mbaj brenda vetes edhe sot” – tha ajo.

Kënga bullgare do të hapë natën e dytë të konkursit më 14 maj. Ky është momenti kur publiku nga e gjithë bota, me përjashtim të Bullgarisë, mund të mbështesë përfaqësuesen tonë të talentuar DARA dhe këngën “Bangaranga”.

“Prej disa muajsh po përgatitem për këtë moment të rëndësishëm në jetën time dhe në jetën e bullgarëve kudo në botë, pikërisht për të përfaqësuar Bullgarinë në Eurovision. Më 14 maj ngjitem e para në skenë dhe hapim të gjithë shfaqjen me “Bangaranga”. Do t’ju jem shumë mirënjohëse nëse mund të na mbështesni në këtë moment të rëndësishëm” – ndan këngëtarja në një mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale.

“Bangaranga” është një energji e veçantë që secili e mban brenda vetes. Momenti kur vendos të jetosh përmes dashurisë dhe jo me frikë. Momenti kur vendos të jesh i guximshëm dhe të jesh vetvetja” – shpjegoi DARA për Radion dhe Televizionin Austriak – ORF, në një intervistë nga tapeti ngjyrë bruz i Eurovision-it. Atje ajo tërhoqi vëmendjen me një pamje atraktive dhe veshje të frymëzuar nga tradita bullgare – një interpretim modern i kostumit klloun, i drejtuar drejt dëbimit të shpirtrave të këqij dhe paraqitjes së identitetit bullgar. Veshja e guximshme lidhet me mesazhin e këngës së saj “Bangaranga”:

“Në fillim të vitit thashë se do të jem një klloun dhe ky është versioni im i kllounit, kostumi është bërë prej flokësh” – sqaroi DARA për ekipin e faqes së pavarur bullgare për Eurovision-in. – “Jam shumë e lumtur që mund të takoj kaq shumë njerëz nga shtete të ndryshme, sepse ata e pëlqejnë shumë “Bangaranga” dhe më mbushin me energjinë e mrekullueshme që kanë.”

FOTO: Uebfaqja bullgare e pavarur e Eurovisionit

Prej tashmë 70 vitesh fansat janë zemra e vërtetë e konkursit muzikor Eurovision, ndërsa DARA duket se e ka fituar vëmendjen e tyre me energjinë, komunikimin e drejtpërdrejtë, pamjen interesante dhe… “Bangaranga”, sigurisht.

Mbështetja për DARA-n vjen nga drejtime të ndryshme – grupet në Facebook të bullgarëve në pika të ndryshme të botës mobilizojnë bashkatdhetarët tanë të votojnë.

FOTO: Uebfaqja bullgare e pavarur e Eurovisionit

“Ky është shansi ynë – shansi i të gjithë bullgarëve jashtë vendit të tregojmë se jemi të fortë, të bashkuar dhe qëndrojmë pas vajzës sonë – apeluan në një profil në Facebook bullgarë nga Nju Jorku, Nju Xhersi dhe Konektikati. – DARA do të hapë gjysmëfinalen e dytë – një nder, por edhe një përgjegjësi e madhe. Sipas rregullores së re, fansat mund të votojnë nga çdo pikë e botës, dhe jo vetëm nga shtetet pjesëmarrëse.

Shikuesit në shtetet e gjysmëfinales së dytë mund të votojnë përmes metodave të treguara në foto, por nuk mund të votojnë për artistin e tyre.

Për të gjithë bullgarët e tjerë nëpër botë ka një mënyrë edhe më të lehtë: Votoni online në ESC.VOTE. Vota e “Pjesës tjetër të botës” barazohet me votat e një shteti të tërë – dhe mund të jetë vendimtare. Më 14 maj mbështeteni DARA-n me nr. 1 në faqen ESC.VOTE – pa marrë parasysh në cilin shtet jetoni!”

Një mesazh i veçantë erdhi edhe nga primadona e muzikës pop bullgare:

“Suksese këngëtares së re dhe të talentuar DARA / Darina Jotova! Vajzë e dashur bullgare, Bullgaria është krenare me ty! Ji e lumtur dhe … BANGARANGA!” – shkroi Lili Ivanova në Facebook.

FOTO: Facebook /Lili Ivanova

Përpiloi: Elena Karkallanova

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski