Artikull
DARA pret mbështetje nga e gjithë bota për këngën bullgare në Eurovision
Dielë 10 Maj 2026 08:00
Dielë, 10 Maj 2026, 08:00
FOTO: eurovision.com
Madhësia e shkronjave
Këngëtarja DARA u drejtua me një mesazh komuniteteve bullgare në mbarë botën me thirrje për mbështetje gjatë pjesëmarrjes së saj në Eurovision 2026. Kënga bullgare “Bangaranga” do të prezantohet në Vjenë më 14 maj.
“DARA ka nevojë për ne! Më 14 maj votojmë dhe e dërgojmë në finale! Voto përmes aplikacionit zyrtar ose në esc.vote. Nga jashtë vendit vota jonë është vendimtare!
Ndaje me miqtë dhe le të dëgjohet fort Bullgaria!” – thuhet në një apel të bashkatdhetarëve nga Gjermania në grupin në Facebook “Bullgarët në Dyseldorf”.
FOTO: eurovision.com
“Kam takuar shumë bullgarë nëpër botë dhe e di sa e fortë është lidhja e tyre me Bullgarinë. Kjo pjesëmarrje nuk është vetëm për mua, por për vendin tonë. Do të jem shumë e lumtur ta ndiej mbështetjen e tyre”, deklaroi këngëtarja kohë më parë pas një takimi në Agjencinë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit, ndërsa në ditët e fundit shpërndau video-mesazhe për komunitetet tona në vende të ndryshme evropiane: “Do t’ju jem shumë mirënjohëse për votën tuaj në gjysmëfinalen e 14 shkurtit në Vjenë. Shpresoj shumë që ta përjetojmë edhe finalen më 10” – thotë DARA në videot.
Interpretuesja simpatike bullgare tashmë zhvilloi prova në skenën mbresëlënëse të konkursit të këngës, ndërsa performanca e saj përshkruhet si energjike, e sigurt dhe e strukturuar mirë, me një prani të qartë skenike. U shfaqën informacione për një hap të guximshëm nga ekipi bullgar – kënga “Bangaranga” ka pësuar disa ndryshime në momentin e fundit. Interesante është se me çdo informacion të ri rritet interesi, por edhe pritshmëritë ndaj DARA-s lidhur me muzikën, pamjen dhe koreografinë me të cilat ajo do të hapë koncertin e 14 majit.
“Po shkoj në Vjenë jo vetëm si interpretuese me një këngë — po shkoj si përfaqësuese e Bullgarisë, e njerëzve që e duan këtë vend, e atyre që jetojnë në të dhe e atyre që jetojnë larg tij, por e mbajnë brenda vetes. Faleminderit për mbështetjen, si dhe BNT-së që hapi sërish këtë mundësi për artistët bullgarë dhe për muzikën bullgare. E dua vendin tim, do të përpiqem të jap gjithçka nga vetja për ta përfaqësuar Bullgarinë me dinjitet”, ndau DARA nga aeroporti në Sofje në rrugën për në Austri.
FOTO: BNT
Edicioni i sivjetshëm i konkursit do të lejojë votim edhe nga shikues jashtë shteteve pjesëmarrëse – një mundësi që sipas BNT-së mund të mobilizojë komunitetet bullgare në të gjithë botën në mbështetje të këngës bullgare. DARA dhe “Bangaranga” do të hapin gjysmëfinalen e dytë të konkursit më 14 maj (e enjte), ndërsa për të do të votohet me nr. 1. Kështu që nëse ju ka lënë mbresa kënga bullgare dhe prezantimi i saj – mbështeteni!
“Një nga gjërat më të bukura është të ndash ndjenjën e komunitetit. Çfarë mundësie më e mirë për të treguar se jemi pjesë e komunitetit bullgar sesa të bashkohemi rreth Darës! Më 14 maj ajo do të dalë në skenën e Eurovisionit në Vjenë. Le t’i japim mbështetjen tonë! Në Gjermani jetojnë mjaft bullgarë dhe edhe një votë mund të ndryshojë gjithçka, le të jetë e jotja. Nëse të gjithë bashkohemi, Dara mund ta çojë Eurovisionin në Bullgari” – bëri thirrje në rrjetin social Facebook edhe Katja Kostova nga Berlini, organizatore e ngjarjeve kulturore për bashkatdhetarët tanë në Gjermani.
Përpiloi: Elena Karkallanova
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski