Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
“Pse s’më marton, moj nënë?” – kënga e dashur e këngëtares Magda Pushkarova
Premte 15 Maj 2026 19:09
Premte, 15 Maj 2026, 19:09
Magda Pushkarova (1920 – 2006)
FOTO: Petër Papakoçev
Madhësia e shkronjave
Mali mistik i Stranxhës ka nxjerrë shumë këngëtarë të talentuar, të cilët kanë ruajtur për brezat pasardhës pasurinë e çmuar folklorike të rajonit juglindor bullgar. Disa prej tyre – si e paharruara Janka Rupkina (1938–2026), me talentin e tyre e kanë bërë këngën e Stranxhës të njohur në mbarë botën. Por këngëtarja e parë me një kontribut të madh në popullarizimin e folklorit të Stranxhës në gjithë Bullgarinë është Magda Pushkarova. Magda ka lindur rreth dy dekada para Rupkinës – në prill të vitit 1920, në Mallko Tarnovo (krahina e nestinarëve dhe zemra e Stranxhës, në cepin juglindor të hartës së Bullgarisë), në një familje refugjatësh nga Trakia e Edrenesë.
Në familjen e saj këndonin të gjithë – prindërit, të afërmit, vëllezërit dhe motrat. Prej tyre ajo mësoi që në fëmijëri një pjesë të madhe të repertorit të saj mbresëlënës. “Kudo që kam udhëtuar në botë, Stranxha ka qenë në sytë e mi, gjaku i Stranxhas ka pulsuara në zemrën time dhe gjithmonë kam kënduar këngë të Stranxhas” – rrëfen Pushkarova në një intervistë.
Poeti Asen Razcvetnikov e quan atë “ruajtësen e trashëgimisë folklorike të Stranxhës” dhe “magjepsen e këngëve të Stranxhës”. Kontributi i saj në ruajtjen dhe përhapjen e traditës së Stranxhës është i jashtëzakonshëm; sot emri i saj jeton përmes konkurseve folklorike dhe ansambleve që mbajnë emrin e saj. Gjatë jetës së saj, ajo mori shumë tituj dhe çmime; ndër të fundit ishte çmimi “Nestinarka”, i akorduar në vitin 2005 në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit në Burgas, për kontributin e saj në interpretimin e folklorit popullor.
Pushkarova ishte ndër interpretueset që udhëtonin nëpër Bullgari me programe koncertesh. Por ajo nuk mjaftohej vetëm me këngët e krahinës së saj. Shpesh rrëfente gojëdhëna dhe legjenda nga Stranxha dhe krenohej me faktin se gjyshi i saj kishte qenë pjesëtar i çetës së Kapiten Petko Vojvodës.
Familja e saj ishte e madhe dhe e varfër, prandaj ajo arriti të ndiqte shkollën vetëm deri në klasën e katërt dhe, ende 11-vjeçare, filloi punë në një fabrikë duhani. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ajo punonte në një spital dhe kujdesejpër të plagosurit. U martua, por mbeti vejushë që herët. Më vonë lidhi një martesë të dytë me oficerin e ri Asen Pushkarov. Pasi u vendosën në kryeqytet, në nëntor të vitit 1944 ajo mori pjesë në një dëgjim në Radio Sofja. Në komision bënin pjesë kompozitori Bojan Ikonomov, dirigjenti Ivan Kavallxhiev dhe këngëtari popullor Zheço Dollçinkov, të cilët duartrokitën meloditë dhe zërin e Stranxhës, të padëgjuara deri atëherë. Magda u ftua të këndonte drejtpërdrejt para mikrofonave të Radios.
Magda Pushkarova
FOTO: burgasmuseums.bg
Në vitin 1951 ajo, së bashku me këngëtaret Vëllkana Stojanova dhe Jordanka Ilieva, ishte ndër themelueset e Ansamblit Kombëtar Folklorik në Sofje dhe u caktua nga Filip Kutevi si zëri kryesor i ansamblit. U bë yll i skenës koncertore.
Duke jetuar deri në një moshë të thyer patriarkale (vdiq më 18 maj 2006), Magda Pushkarova gëzoi dashurinë e madhe të publikut dhe vlerësimin e merituar të specialistëve. La mbi 100 regjistrime në fondin e Radios Kombëtare Bullgare, disa disqe dhe programe televizive. Në arkivin e Akademisë Bullgare të Shkencave ruhen 200 këngë të saj, të regjistruara nga etnomuzikologia e njohur Elena Stoin. Deri në ditën e fundit të jetës, këngëtarja e madhe vishej me kostume mëndafshi dhe mbante stoli ari, duke mbetur hijerëndë dhe krenare, me një paraqitje madhështore, e dashuruar pas luleve, këngës së Stranxhës dhe Bullgarisë.
Zëri unik alt i Pushkarovës – paksa i mbytur, prej kadifeje, i ngrohtë dhe i butë – nuk mund të ngatërrohej me zërin e asnjë këngëtareje tjetër. Këngët e saj ishin të bukura, por edhe të dhimbshme, ashtu siç kishte qenë jeta e refugjatëve nga Trakia e Edrenesë. “Kam shumë këngë, shumë këngë dua” – thoshte ajo sa ishte gjallë. “Por njëra më është veçanërisht e dashur. Është “Pse s’më marton, moj nënë”. Jam pasardhëse refugjatësh dhe kënga rrëfen fatin e tyre; sa herë e këndoj, e përjetoj këtë rrëfim…”.
Në dialogun muzikor mes nënës dhe djalit të ri, djaloshi dëshiron të martohet dhe e pyet nënën nëse ajo e konsideron ende shumë të ri dhe pa përvojë, apo ndoshta nuk kanë para për të ndërtuar një shtëpi të re. Nëna i përgjigjet se do të shiste gjithçka për t’i ngritur një shtëpi fëmijës së saj, por ata janë refugjatë, të huaj në këtë krahinë dhe nuk kanë të afërm që t’i ftojnë në dasmë, t’i dhurojnë dhe të gëzojnë së bashku me njerëz të afërt. Së bashku me këngën “Tudoro, Tudoro” (e kushtuar një nestinareje, vajzë që vallëzon mbi prush), “Pse s’më marton, moj nënë” është ndër shembujt më të njohur të Stranxhës në repertorin e këngëtares Magda Pushkarova.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova