MUZIKË

Artikull

“Bangaranga” në finalen e Evrovizionit 2026!

Premte, 15 Maj 2026, 11:12

“Bangaranga” në finalen e Evrovizionit 2026!

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Zjarr dhe çmenduri në skenë – DARA prezantoi në mënyrë të shkëlqyer këngën bullgare në Evrovizionin 2026. Me një koreografi moderne dhe emocione elektrizuese, “Bangaranga” hapi gjysmëfinalen e dytë të konkursit muzikor. Publiku nuk mbeti indiferent dhe e dërgoi atë në Finalen e Madhe në Vjenë më 16 maj.

FOTO: BTA

Darina Jotova – DARA u ngjit në skenën e kryeqytetit austriak si një nga favoritet kryesore sipas renditjeve të operatorëve të parashikimeve. Këngëtarja e talentuar mori mbështetje të fuqishme nga vendi, si edhe nga komunitetet bullgare në mbarë botën.

Shumë figura të njohura publikuan mesazhe mbështetëse dhe urime për sukses, ndërsa pak para gjysmëfinales së dytë erdhi edhe një mesazh nga niveli më i lartë shtetëror – nga presidentja Ilijana Jotova. “Në orën 22:00, e gjithë mbështetja dhe energjia jonë do të jenë me Darën në skenën e Evrovizionit”, shkroi presidentja në Fejsbuk. “Besojmë në suksesin tënd, vajzë e dashur! Ti tashmë zë vendin e parë në zemrat e gjithë Bullgarisë. Do të pushtosh edhe gjithë Evropën. Ke gjithashtu mbështetjen e fuqishme të bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit, të cilët do të votojnë për ty.”



Finalja e këtij konkursi prestigjioz muzikor është më 16 maj dhe renditja e këngës bullgare shënon një rikthim të shkëlqyer të vendit në konkursin e Bashkimit Evropian të Radio-Televizioneve (EBU), pas një mungese trevjeçare.



FOTO: BTA

“Bangaranga” është një këngë pop me motive folklorike. Vetë fjala vjen nga zhargoni xhamajkan dhe nënkupton zhurmë, rrëmujë, një kaos të bukur. “Ajo ka një forcë të ashpër fonetike që është e vështirë për t’u përkthyer – e ndien para se ta kuptosh. Donim të krijonim një këngë që të dëgjohej në Vjenë, Londër apo kudo tjetër dhe të të godiste fizikisht para se të të prekte intelektualisht”, shpjegoi Dara për gazetën “Indipendent”. Ajo tregoi se kënga është frymëzuar nga rituali i kukerëve, ku burra të veshur me kostume prej gëzofi, me këmborë të mëdha në brez dhe maska të frikshme, ecin nëpër fshatra në fillim të vitit dhe krijojnë zhurmën më të madhe që mund të imagjinohet, njofton Agjencia Telegrafike Bullgare.

FOTO: BGNES

Më 12 maj nisi konkursi muzikor, kur u përcaktuan finalistët e parë – Greqia, Finlanda, Belgjika, Suedia, Moldavia, Izraeli, Serbia, Kroacia, Lituania dhe Polonia.

Nga gjysmëfinalja e dytë, e mbajtur më 14 maj, fitues dolën Bullgaria, Ukraina, Norvegjia, Australia, Rumania, Malta, Qiproja, Shqipëria, Danimarka dhe Çekia.

Përveç tyre, në garën për çmimin do të marrin pjesë edhe Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia dhe Franca, si dhe Austria si vend mikpritës – të gjitha këto vende kualifikohen drejtpërdrejt në finalen e madhe të së shtunës.

FOTO: BGNES

Evropa është pushtuar nga “Bangaranga” dhe DARA. Nëse edhe ju po përsërisni refrenin e këngës bullgare, mos harroni ta mbështesni sërish më 16 maj.

Nëse ndodheni në një shtet pjesëmarrës në Evrovizion, mund të votoni për DARA-n duke ndjekur transmetimin e koncertit në televizionin publik të vendit tuaj dhe duke ndjekur udhëzimet për votim.

Ju gjithashtu mund ta mbështesni paraqitjen energjike, moderne dhe të veçantë të yllit të ri bullgar edhe në internet, në platformën ESC.VOTE.

Le të triumfojë “Bangaranga”!


Redaktoi: Elena Karkallanova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova