Seksion
Gazeta La Croix: “Bullgaria nuk është më vendi nga i cili njerëzit largohen”
Publikimi paraqet qytetin Plovdiv si imazhin e ri të vendit tonë – industri, arsim dhe të rinj që po kthehen
Dielë 17 Maj 2026 08:05
Dielë, 17 Maj 2026, 08:05
FOTO: Elena Karkallanova
Madhësia e shkronjave
Media prestigjioze franceze La Croix ka publikuar një analizë të gjerë për Bullgarinë, me titullin “Plovdiv – simbol i kthimit të mendjeve bullgare”. Në materialin e 4 majit, e dërguara speciale e gazetës, Agnès Rotivel, përshkruan se si, pas dekadash rënieje demografike, Bullgaria për herë të parë regjistron më shumë qytetarë që kthehen sesa ata që largohen nga vendi. Sipas të dhënave të cituara nga La Croix, gjatë vitit 2025 në Bullgari janë kthyer rreth 18 000 bullgarë, ndërsa rreth 13 000 persona janë larguar nga vendi.
Pikërisht Plovdiv, shkruan Agnès Rotivel, është një nga simbolet më të dukshme të këtij ndryshimi. Në fillim të artikullit të saj, ajo e përshkruan qytetin e dytë më të madh në Bullgari si një nga vendbanimet më të vjetra në Evropë, që ka ruajtur ndikime greke, turke, hebraike dhe armene. Sipas saj, pas zgjedhjes si Kryeqyteti Evropian i Kulturës për vitin 2019, “qytetit i ka ecur mbarë”.
FOTO: Elena Karkallanova
Një vend të veçantë në publikimin e La Croix zë edhe Zona Ekonomike e Trakisë (Trakia Economic Zone – TIZ), të cilën Agnès Rotivel e përkufizon si “një lloj mrekullie ekonomike”, që ka shënuar fillimin e ringjalljes së Plovdivit pas një krize të rëndë ekonomike. Ajo prezanton inxhinierin Pllamen Pançev dhe djalin e tij Martin Pançev si njerëzit që menaxhojnë parkun industrial së bashku me inxhinierin Valentin Kançev dhe partnerët e tyre, duke tërhequr disa nga kompanitë më të mëdha ndërkombëtare në Evropë, si dhe kompani japoneze, kineze dhe koreane. “Dhe shumë të tjera pritet t’i ndjekin. Të rinjtë shohin se në Bullgari ka mundësi, se ky është një shtet i sigurt dhe më i qetë dhe se niveli i arsimit është përmirësuar ndjeshëm”, citon La Croix fjalët e inxhinierit Pllamen Pançev.
FOTO: Elena Karkallanova
Agnès Rotivel i kushton vëmendje të veçantë edhe historisë së Martin Pançev, i cili ka studiuar Teknologji Arkitekturore dhe Ndërtim në Copenhagen midis viteve 2013 dhe 2018: “Ashtu si 80% e shokëve të mi të gjimnazit”, thotë Martin Pançev për La Croix, duke përshkruar sa masiv ka qenë largimi i të rinjve jashtë vendit.
Pas studimeve, ai zgjedh të kthehet në Plovdiv dhe të punojë për zhvillimin e Zonës Ekonomike të Trakisë. Sipas gazetares franceze, misioni i tij sot është të bindë kompani të reja ndërkombëtare të investojnë si në Plovdiv, ashtu edhe në zona të tjera industriale në Bullgari, me të cilat TIZ bashkëpunon.
FOTO: Elena Karkallanova
Gazetarja franceze e përshkruan Plovdivin si një ndërthurje të cilësisë së jetës, zhvillimit ekonomik, universiteteve dhe industrisë moderne – një kombinim në të cilin të rinjtë shohin perspektivë dhe mundësi për zhvillim profesional pa u larguar nga Bullgaria. Sipas Agnès Rotivel, Plovdiv nuk është më thjesht një qytet i bukur historik, por një motor ekonomik i Bullgarisë dhe simbol i prirjes së re – kthimi i bullgarëve në atdhe.
FOTO: La Croix
Për shumë familje të reja, cilësia e jetës në Plovdiv tashmë është më tërheqëse sesa jeta në qytetet e mëdha perëndimore – shkruan gazetarja franceze dhe vë theksin te arsimi. Në “Qytetin nën kodra” funksionojnë nëntë universitete, të cilat tërheqin si bullgarë, ashtu edhe shumë studentë të huaj. Bullgaria tashmë po tërheq studentë të huaj me tarifa më të ulëta, kushte të mira dhe arsim gjithnjë e më cilësor, përmbledh Agnès Rotivel.
Ajo e mbyll reportazhin e saj me përfundimin se epoka e emigrimit masiv po mbyllet gradualisht dhe se gjithnjë e më shumë bullgarë po fillojnë të besojnë se mund të kenë “një jetë të mirë në shtetin e tyre”.
Redaktore: Elena Karkallanova
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello