Artikull
Bullgaria me fitore marramendëse në “Evrovizion 2026”
Dielë 17 Maj 2026 09:41
Dielë, 17 Maj 2026, 09:41
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Në konkurrim me edhe 24 shtete të tjera në finalen e madhe, Bullgaria fitoi duartrokitjet e publikut dhe të jurisë dhe u shpall fituese e padiskutueshme e Konkursit Muzikor “Evrovizion 2026”. Me një total prej 516 pikësh, Bulgaria la pas Israel, i cili mori gjithsej 343 pikë nga juria dhe publiku.
Organizimin e konkursit në vitin 2027 për Bullgarinë e siguroi këngëtarja energjike dhe avangarde Dara me këngën edhe më të pazakontë “Bangaranga”.
Gjatë pjesës më të madhe të shpalljes së votave të jurisë, në krye renditej Bullgaria, ndërsa emri i vendit tonë ishte në qendër të vëmendjes së miliona shikuesve televizivë në mbarë botën. 12 pikët maksimale për Bulgaria i dhanë juritë kombëtare të Maltës, Australisë, Danimarkës dhe Lituanisë.
Në finalen e edicionit të 70-të të Konkursit “Evrovizion”, Bullgaria u paraqit më shumë se denjësisht. Me energjinë e saj ekspresive dhe paraqitjen avangarde, e reja dhe shumë e talentuar DARA bëri që qindra mijë adhurues të muzikës nga Evropa dhe nga mbarë bota të flasin për vendin tonë. Vetë këngëtarja arriti të tërhiqte vëmendje të jashtëzakonshme me prezencën e saj dhe, pa dyshim, “Evrovizion”-i nuk do të jetë skena e vetme e madhe botërore ku ajo do të ngjitet. Atë e presin edhe shumë të tjera…
Pak orë para fillimit të finales së madhe, DARA dhe ekipi skenik i “Bangaranga” morën çmimin për interpretimin më të mirë artistik, sipas komentuesve mediatikë të vendeve pjesëmarrëse, njoftoi BNT. Çmimet “Marcel Bezenson”, të emërtuara sipas krijuesit të Konkursit “Evrovizion”, vlerësojnë arritjet e artistëve pjesëmarrës dhe ndahen çdo vit pak para finales së madhe në tri kategori: “Çmimi i Mediave”, “Çmimi Artistik” dhe “Çmimi për Kompozim”. DARA e fitoi me meritë çmimin për interpretimin artistik, çmimi i mediave iu dha Australisë, ndërsa vlerësimi për kompozimin shkoi për Danimarkën.
Dëshirën për të kontribuar në paraqitjen sa më të mirë të atdheut të tyre e shprehën si bullgarët në Bullgari, ashtu edhe një pjesë e madhe e bullgarëve anembanë botës. Përmes postimeve dhe videove të tyre në rrjetet sociale, ata u bënin thirrje miqve të votonin për Bullgarinë.
Kështu, rikthimi i vendit tonë në skenën e Evrovizionit pas një ndërprerjeje katërvjeçare mbetet i paharrueshëm dhe dëshmon se ia vlen të marrësh pjesë në këtë forum prestigjioz muzikor.
FOTO: BGNES
Hapat e parë në “Evrovizion” Bullgaria i hodhi në vitin 2005 me grupin “Kaffe” dhe këngën “Lorraine”. Edhe pse debutimi nuk solli kualifikim në finale, ai shënoi fillimin e pjesëmarrjes bullgare në konkurs. Ndërsa vokalisti i grupit, Orlin Pavllov, sot është artist solo dhe një nga figurat më të njohura të skenës bashkëkohore bullgare të muzikës pop.
Përparimi i madh për Bullgarinë ndodhi në vitin 2007. Atëherë Elica Todorova dhe Stojan Jankoulov “Stunxhi” elektrizuan skenën në Helsinki me interpretimin e tyre etno-pop të këngës “Voda” (Ujë) dhe e renditën Bullgarinë në vendin e pestë.
Një tjetër sukses i madh i Bullgarisë në “Evrovizion” u arrit nga Poli Genova në vitin 2016 me këngën “Nëse dashuria do të ishte krim”(“If Love Was a Crime”). Ky ishte pjesëmarrja e dytë e këngëtares në “Evrovizion”, ndërsa vizioni modern, karizma dhe interpretimi i shkëlqyer i sollën Bullgarisë vendin e katërt, një rezultat me shumë prestigj.
Kulmi më i madh i pjesëmarrjes së Bullgarisë në “Evrovizion” u arrit nga Kristian Kostov. Në finalen e konkursit në Kiev, 17-vjeçari atëherë shkaktoi një sukses të vërtetë dhe i siguroi Bullgarisë vendin e dytë me këngën “Kaos i bukur”(“Beautiful Mess”).
Në vitin 2020, Viktoria Georgieva dhe kënga e saj “Lotët bëhen esëll”(“Tears Getting Sober”) konsideroheshin ndër favoritet, por konkursi muzikor u anulua për shkak të pandemisë së COVID-19.
Një vit më vonë, Viktoria megjithatë u ngjit në skenën e Evrovizionit me këngën “Të rritesh do të thotë të plakesh” (“Growing Up Is Getting Old”), e cila i solli një vend të denjë të 11-të.
Ndër interpretuesit e tjerë që kanë përfaqësuar Bullgarinë në Konkursin e Këngës “Evrovizion” spikasin emrat e këngëtarëve bullgarë Miro, Mariana Popova, Sofi Marinova dhe Deep Zone Project — disa nga këngëtarët më të njohur bashkëkohorë të muzikës pop bullgare.
Dhe në vitin 2026, më në fund, një njohje e merituar për Bullgarinë dhe këngëtarët bullgarë! Urime, bullgarë!!!
Nëse nuk keni pasur mundësi ta shikoni finalen e madhe, shijojeni atë!
Redaktoi: Krasimir Martinov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova