MUZIKË

Artikull

DARA pas fitores: “Nuk e di çfarë po bëj, por është e mrekullueshme!”

“Ta marr një njohje të tillë si nga juria ashtu edhe nga publiku është si një ëndërr”, tha DARA.

Dielë, 17 Maj 2026, 11:26

DARA pas fitores: “Nuk e di çfarë po bëj, por është e mrekullueshme!”

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Në konferencën zyrtare për shtyp pas fitores së Bullgarisë në Konkursin e Këngës Evrovizion 2026, përfaqësuesja jonë DARA falënderoi të gjithë për mbështetjen.

Nuk e di çfarë po bëj, por është e mrekullueshme. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen. Është e pabesueshme, madje nuk e di çfarë po ndodh tani. Por dua të falënderoj të gjithë ata që e ndjenë forcën e këngës “Bangaranga”. Dhe mendoj se këtë forcë ne e quajmë Zot ose Univers. Dhe gjuha që të gjithë flasim është gjuha e muzikës — muzika që na ndihmon ta kthejmë realitetin në diçka më me ngjyra dhe të na bashkojë”, tha DARA.

FOTO: BTA

Në fund të janarit, DARA u bë fituesja e madhe e përzgjedhjes kombëtare të Televizionit Kombëtar Bullgar (BNT) për zgjedhjen e përfaqësuesit. E pyetur për të përshkruar rrugën nga konkursi kombëtar deri te fitorja në finalen e madhe, bullgarja u shpreh se, nëse do ta përshkruante në detaje, konferenca për shtyp nuk do të mbyllej dot. Megjithatë, ajo tregoi shkurtimisht për gjendjen e saj psikologjike dhe emocionale pas fitores në konkursin kombëtar, si dhe për valën e mëpasshme të komenteve negative ndaj performancës së saj. “Jam jashtëzakonisht mirënjohëse që mora pjesë në Evrovizion”, shtoi DARA dhe falënderoi personalisht bashkëshortin e saj, i cili e kishte mbështetur në momentet kur ajo vetë dyshonte për pjesëmarrjen.

DARA doli në finalen e madhe të Evrovizionit nën numrin 12 me këngën “Bangaranga” dhe mori gjithsej 516 pikë, duke u bërë e preferuara si e publikut ashtu edhe e jurisë. Në vend të dytë u rendit Izraeli me 343 pikë, ndërsa në vend të tretë mbeti Rumania me 296 pikë.

FOTO: BNT

Unë ende jam në shok dhe nuk e di çfarë po ndodh. Askush nuk besonte se mund të fitonim, se “Bangaranga” mund të fitonte. Të marrësh një njohje të tillë si nga juria ashtu edhe nga publiku është si një ëndërr”, pranoi DARA.

Në konferencën për shtyp në Vjenë, ku ishte i pranishëm i gjithë ekipi rreth këngës, si dhe drejtorët e përgjithshëm të Televizionit Kombëtar Bullgar (BNT) Milena Millotinova dhe Radios Kombëtare Bullgare (BNR) Milen Mitev, përfaqësuesja e Bullgarisë duke iu përgjigjur një pyetjeje të një medie ballkanike, tha se prej kohësh dëshiron afrimin dhe bashkimin e njerëzve të Ballkanit në emër të kauzave të përbashkëta. “Ndjehem gati të qaj, sepse do të më mungoni. U ndjeva si në shtëpi në sekondën e parë që mbërrita këtu”, ndau më tej këngëtarja.

Ajo shprehu gjithashtu gëzimin e madh që vitin e ardhshëm Sofja do të jetë mikpritëse e Evrovizionit dhe se të gjithë shikuesit do të mund të shohin dhe të mësojnë më shumë për vendin e saj. Dhe në stilin e saj karakteristik të gëzueshëm dhe plot humor, i drejtoi një thirrje kryetarit të bashkisë së kryeqytetit bullgar: “Zoti kryebashkiak, shpresoj të përgatisësh për mysafirët një tapet të kuq të bukur, shumë të madh!”


Redaktoi: Krasimir Martinov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova