Artikull
Kujtim për Boris Goxhunov – 85 vjet nga lindja e këngëtarit të dashur bullgar
Sot mbushen 85 vjet nga lindja e Boris Guxhunov, një prej zërave më të mëdhenj të estradës bullgare
Premte 22 Maj 2026 06:04
Premte, 22 Maj 2026, 06:04
Boris Goxhunov
FOTO: BNT
Madhësia e shkronjave
Boris Guxhunov lindi më 22 maj 1941 në Pazarxhik, ndërsa emri i tij u bë i njohur në fund të viteve 60-të të shekullit të kaluar. Ai mbaroi një nga shkollat teknike më prestigjioze të kohës – për mekanikë të imët dhe optikë. Për një periudhë të shkurtër punoi në Studion e Filmave “Bojana” dhe në Fabrikën Optiko-Mekanike në Sofje. Në vitin 1963 u pranua në Institutin e Lartë të Arteve Teatrore “Krëstjo Sarafov” (sot Akademia Kombëtare e Artit Teatror dhe Filmik). Paralelisht me këtë, ai studionte në Shkollën për interpretues të estradës pranë Radios Bullgare, e njohur atëherë si Studioja për Këngëtarë Estrade. Në fillimet e karrierës së tij, si solist i një prej grupeve të para rock në Bullgari – “Srebrnite Grivni” (Byzylykët e Argjendtë), si dhe i Big Bend-it të Radios, ai interpretonte rock and roll dhe versione cover të hiteve botërore.
Boris Goxhunov në vitet e rinisë
FOTO: BNT
Kënga e parë që regjistroi ishte “Po kërkohet një vajzë”, me muzikë nga Petër Stupell dhe tekst nga Radoj Ralin.
Nga viti 1968 deri në 1971, Goxhunov ishte solist i Orkestrës “Sofja”. Në atë periudhë ajo ishte një nga orkestrat kryesore të muzikës pop bullgare, e cila dha një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e këtij zhanri në vend, si dhe në afirmimin e shumë interpretuesve të njohur të muzikës pop bullgare.
Boris Goxhunov realizoi turne të suksesshme koncertesh në Rusi, Poloni, Serbi, Turqi, Gjermani, Itali, Kubë, Algjeri dhe Japoni. Ai ishte gjithashtu një nga të paktët të mbijetuar të aksidentit ajror të 22 dhjetorit 1971, në të cilin humbi jetën pjesa më e madhe e muzikantëve të Orkestrës “Sofja”, si dhe ylli i shquar i estradës bullgare Pasha Hristova.
Në vitet 90-të të shekullit të XX-të, së bashku me miqtë e tij – këngëtarët Borisllav Grënçarov dhe Bojan Ivanov, ai krijoi Trion Vokale “Bo Bo Bo”, e cila interpretonte hite të njohura argëtuese me tekste të lehta dhe humoriste.
Në vitin 1998, Boris Goxhunov mori çmimin e madh në Festivalin “Orfeu i Artë” për krijimtarinë e tij të tërësishme. Një nga hitet e repertorit të tij është kënga “Shpresa” (“Nadezhda”), me tekst të poetit Nedjallko Jordanov, muzikë nga Atanas Kosev dhe aranzhim nga Razvigor Popov. Kjo këngë fitoi çmimin e tretë në Festivalin “Orfeu i Artë” në vitin 1973.
Boris Godzhunov u nda nga jeta më 14 qershor 2015.
Përkulje para kujtimit dhe talentit të tij!
Redaktoi: Krasimir Martinov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova