KULTURË

Artikull

Bullgaria merr pjesë për herë të parë në Karnavalin e Kulturave në Berlin

Enjte, 21 Maj 2026, 20:00

Bullgaria merr pjesë për herë të parë në Karnavalin e Kulturave në Berlin

FOTO: berlin.de

Madhësia e shkronjave

Karnavali i Kulturave në Berlin edhe këtë vit do të mbledhë mijëra banorë dhe vizitorë të qytetit për t’u kënaqur me programin e larmishëm – një pasqyrim i më tërheqëses nga skena kulturore e secilit shtet pjesëmarrës. Edicioni i sivjetshëm është i veçantë – mbushen 30 vjet nga festivali i parë i vitit 1996 në lagjen multikulturore "Kreuzberg", ideja fillestare e të cilit ishte të siguronte dukshmëri për komunitetet e ndryshme etnike që janë pjesë e jetës së kryeqytetit gjerman. Me kalimin e kohës, karnavali u shndërrua nga një paradë lagjeje në një ngjarje të madhe me pjesëmarrës nga e gjithë bota. Kështu do të jetë edhe tani – 73 grupe nga kombësi të ndryshme, 4000 kërcimtarë dhe muzikantë dhe mbi 1 milion vizitorë do të jenë pjesë e aktivitetit gjatë ditëve 22–25 maj.

“Kjo është një mundësi e mrekullueshme për të prezantuar Bullgarinë para botës” – thotë me bindje bashkatdhetarja jonë, Diljana Veliçkova. Pikërisht ajo dhe bashkëshorti i saj, Valentin, qëndrojnë në themel të pjesëmarrjes së parë të artistëve bullgarë që nga krijimi i karnavalit:

Diljana Veliçkova

FOTO: arkiv personal

“Gjatë dhjetë viteve të fundit unë jam ndër vizitorët kureshtarë të festivalit, i cili zhvillohet në maj ose qershor, dhe deri tani nuk kemi hasur pjesëmarrje bullgare, ndaj një ëndërr e jona është në prag të realizimit këtë vit. Një organizim i tillë nuk është aspak detyrë e lehtë – kërkon kohë dhe, sigurisht, financim, por shpresoj të vendosim një fillim dhe pjesëmarrja bullgare të ruhet dhe të kthehet në traditë.”

Artistët që do të jenë një lloj ambasadorësh kulturorë të Bullgarisë në këtë forum nuk janë zgjedhur rastësisht:

Foto nga festivali i parë, i zhvilluar në vitin 1996

FOTO: umbruch-bildarchiv.org

“Kemi ftuar një grup survakarësh (djem që shkojnë shtëpi më shtëpi për të uruar me rastin e Vitit të Ri – shën. red.) nga qyteti Batanovci (Komuna e Pernikut), të cilëve është momenti t’u shpreh mirënjohjen time. Presim të vijnë pesë djem, të cilët nuk i njoh, por jam shumë e emocionuar për takimin tonë të parë. Kostumi i kukerit nuk është i lehtë për t’u transportuar dhe mezi pres të shoh me çfarë do të vijnë dhe si do të paraqiten.

FOTO: Facebook/Grupi i Survakarëve Batanovci

Një element shumë i rëndësishëm janë edhe valltarët nga Klubi berlinez për Valle dhe Këngë Bullgare ‘Nestinari’ (Nestinarët janë bartës të një riti të lashtë, në të cilin njerëzit kërcejnë zbathur mbi prushshën.red.).  Jam mirënjohëse ndaj drejtuesit të tyre, Radosllav Jordanov, i cili po i përgatit për pjesëmarrjen, pas së cilës ata do të kenë mundësi të paraqiten edhe para jurisë.

FOTO: Klubi për Valle dhe Këngë Bullgare "Nestinari" - Berlin

Parada zgjat disa orë dhe ka pikë fillimi dhe fundi, ndaj kukerët, së bashku me valltarët dhe shoqërimin muzikor të Nikolla Gruev – Kotarashkit dhe Sando Sandovit, do të lëvizin mbi një platformë të lëvizshme, nga e cila do të dëgjohet muzikë bullgare.

Nikolla Gruev - Kotarashki dhe Sando Sandov

FOTO: Facebook/ Gjuha dhe kultura bullgare në Berlin

Shumë doja të mbështeteshim te kukeri tradicional dhe te kostumi tradicional, por të ketë gjithashtu muzikë bashkëkohore që ndërthur motive etnike” – rrëfen Diljana Veliçkova për Radio Bullgarinë.

Rituali i kukerit për dëbimin e shpirtrave të këqij nga shtëpitë dhe vendbanimet është një traditë dimërore folklorike shumë e ruajtur në Bullgari.

Meqenëse parada, e cila është kulmi i karnavalit, do të zhvillohet pikërisht më 24 maj – festa e arsimit, gjuhës dhe kulturës bullgare, që nderohet me solemnitet nga të gjithë bullgarët në mbarë botën, Diljana dhe Valentini kanë parashikuar një surprizë të veçantë:

FOTO: BTA

“Nuk mund t’i linim pas dore shkronjat bullgare, ndaj ftuam fëmijët nga shkolla bullgare ‘Gjuha dhe kultura bullgare’ në Berlin, të cilët do të përgatisin një panel me shkronjat bullgare. Le të shohim se si do të dalë, por ideja është që ai të jetë pjesë e platformës sonë dhe më pas të mbetet si kujtim.”

FOTO: Facebook/ Gjuha dhe kultura bullgare në Berlin

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva