MUZIKË

Artikull

“Të dua, o atdhe!” – një perlë patriotike

Vargjet e Elisaveta Bagrjana dhe muzika e Ljubomir Pipkov sjellin një nga këngët më të shtrenjta kombëtare bullgare

Premte, 22 Maj 2026, 19:11

“Të dua, o atdhe!” – një perlë patriotike

FOTO: Antonija Goranova

Madhësia e shkronjave

Çdo vit, data 24 maj është një arsye feste dhe krenarie për bullgarët. Dita e Shenjtorëve Vëllezër Kirill dhe Metodij, e Alfabetit Bullgar, e Arsimit dhe Kulturës Bullgare, si dhe e Letërsisë Sllave, është festa më e ndritur dhe më përfaqësuese për identitetin kombëtar bullgar. Ndryshe nga shumë kombe që përkujtojnë me solemnitet ngjarje politike apo fitore ushtarake, populli bullgar kremton kontributin e tij unik në qytetërimin botëror – shkrimin dhe alfabetin. Ky alfabet u bë themeli i thesareve shekullore të letërsisë bullgare, ndërsa krijuesit më të shquar, që ruajtën dhe zhvilluan gjuhën dhe kulturën bullgare ndër shekuj, mbeten ndër figurat më të respektuara në historinë e vendit.

Emri i Elisaveta Bagrjana është emblematik për Bullgarinë – jo vetëm si një talent i jashtëzakonshëm dhe një figurë e shquar bullgare, por edhe si një nga poetet më të rëndësishme botërore të shekullit të XX-të. Fuqia e madhe emocionale e krijimtarisë së Bagrjanës buron nga kultura e saj mbresëlënëse, frymëzimi i gjerë artistik dhe zotërim i jashtëzakonshëm i fjalës. E njohur si primadona e poezisë bullgare, ajo krijoi gjithashtu libra për fëmijë, përshkrime udhëtimesh, fejtone, artikuj kritikë dhe u dallua si një përkthyese e shkëlqyer.


Elisaveta Bagrjana (1893 – 1991)

FOTO: fakel.bg

Grua me vetëdije të lartë për vlerën e saj dhe me parime të forta në jetë, filozofe dhe novatore në krijimtari, Elisaveta Bagrjana është poetja e parë bullgare që ka lënë një trashëgimi të pavdekshme në historinë e letërsisë bullgare. Jo rastësisht, ajo u nominua plot katër herë për Çmimi Nobel për Letërsi.Talenti i shumanshëm dhe bujar i Bagrjanës nuk do të ishte i plotë pa poezitë e saj për fëmijë. Ajo ishte tashmë një emër i njohur kur nisi të shkruante për fëmijët, ndërsa interesi i saj për këtë zhanër u frymëzua nga përvoja personale si nënë. Fatkeqësisht, rrethana të dhimbshme jetësore e ndanë nga djali i saj i vogël, me të cilin iu ndalua të komunikonte për vite me radhë.

Vjershat e para për fëmijë të Elisaveta Bagrjana u botuan në vitin 1924 në revistën “Detska Radost” (“Gëzim fëmijëror”). Merita për këtë i takon redaktorit të revistës, Ran Bosilek, i cili e ftoi me këmbëngulje të bashkëpunonte. Nga viti 1924 deri në vitet 60-të të shekullit të XX-të, Bagrjana ishte bashkëpunëtore e përhershme e revistave dhe gazetave për fëmijë. Ndër veprat e saj më të frymëzuara për fëmijë është poezia “Të dua, o atdhe!”, me të cilën hapet përmbledhja poetike Ditë të lumturafëmijërie, botuar në vitin 1950 me ilustrime të piktore­s së njohur Neva Tuzsuzova.

FOTO: Arkiv

E ribotuar shumë herë gjatë dekadave pasuese, poezia tërhoqi vëmendjen e njërit prej kompozitorëve klasikë më të mëdhenj bullgarë – Ljubomir Pipkov, muzikant gjenial, letrar dhe poet i talentuar, pedagog, publicist dhe veprimtar shoqëror. Nuk është rastësi që ai ishte biri i Panajot Pipkov – kompozitorit që krijoi dy nga këngët më të rëndësishme për bullgarët: himnin festiv kushtuar shenjtorëve vëllezër Kirill dhe Metodij, “O ec, o popull i rilindur”, si dhe këngën “Ku është Bullgaria” me tekst të patrikut të letërsisë bullgare Ivan Vazov, një nga simbolet e kombit bullgar.

Ljubomir Pipkov (1904 – 1974)

FOTO: operasofia.bg

Ljubomir Pipkov la në thesarin e kulturës muzikore bullgare shumë krijime të shkëlqyera solo dhe korale. Me “Të dua, o atdhe!”, ai vazhdoi traditën atdhetare të të atit, duke i dhuruar popullit të vet himne frymëzuese, që këndohen në festat më të shtrenjta kombëtare bullgare.



Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova