Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
Vjena feston sërish kulturën bullgare me një gala-koncert madhështor më 24 maj
Shtunë 23 Maj 2026 09:52
Shtunë, 23 Maj 2026, 09:52
FOTO: Wiener Konzerthaus
Madhësia e shkronjave
Për të tretin vit radhazi, iniciativa e pianistes së njohur bullgare Donka Angëçeva – “Gala e Kulturës dhe Muzikës Bullgare” – mbledh yje bullgare dhe evropiane në koncertin më të madh jashtë Bullgarisë kushtuar 24 Majit. Në ditën e Shenjtorëve Vëllezër Kirill dhe Metodij, në sallën “Mozart” të kompleksit të famshëm Wiener Konzerthaus në kryeqytetin austriak, do të performojnë një nga orkestrat bashkëkohore më të suksesshme dhe aktive bullgare – Sinfonieta-Vraca, trioja e njohur e xhazit e Zhivko Petrov JP3, ylli i muzikës dhe teatrit bullgar Orlin Pavllov, solistja e njohur e Operës Shtetërore të Vjenës Ildikó Raimondi, këngëtarja portugeze Sandra Pires, violinistja Lidia Baich, vëllezërit Alexander Wladigeroff dhe Konstantin Wladigeroff , vetë Donka Angëçeva, si dhe të ftuar të tjerë specialë.
Koncerti konsiderohet një nga ngjarjet më të mëdha bullgare jashtë vendit kushtuar 24 Majit. Dy edicionet e para, të cilat u zhvilluan me sallë të tejmbushur, u vlerësuan si “një akt i paprecedentë i diplomacisë kulturore bullgare”.
Donka Angëçeva
FOTO: angatscheva.com
Ideja e bullgares Donka Angëçeva realizohet nga iniciativa e saj artistike “Arti vazhdon të jetojë” në partneritet me organizatën kulturore Tempo Rubato. Këtë vit, për herë të parë në program merr pjesë Orkestra Simfonike nga Vraca me dirigjentin kryesor Hristo Pavllov, ndërsa prezantuese e mbrëmjes do të jetë aktorja e re me origjinë bullgare dhe spanjolle Kiara Bazaga. Një theks i veçantë i koncertit është dueti i Orlin Pavllov dhe Sandra Pires, të cilët për herë të parë para publikut vjenez do të interpretojnë një version të hitit “Here I Am” të Bryan Adams, krijuar posaçërisht për këtë event.
Orlin Pavllov dhe Sandra Pires
FOTO: burgas.bg, YouTube / Georg Fermata
“Gala e Kulturës dhe Muzikës Bullgare” (Opus 3) organizohet me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Vjenë dhe Institutit Kulturor Bullgar Shtëpia Wittgenstein, nën patronazhin e ambasadores së jashtëzakonshme dhe fuqiplotë të Republikës së Bullgarisë në Austri, znj. Desisllava Najdenova-Gospodinova.
Drejtoreshë artistike e projektit, edicioni i parë i të cilit u mbajt më 25 maj 2024, është e lindura në Plovdiv, Donka Angëçeva, e cila prej dekadash korr suksese në skenën muzikore austriake. Para verës së vitit të kaluar, pianistja dha një intervistë speciale për Radio Bulgarinë, ku shpjegoi pse ka vendosur të mbledhë muzikantë të shquar bullgarë nga të gjitha zhanret në vendin më prestigjioz të muzikës në Vjenë:
Donka Angëçeva
FOTO: angatscheva.com
“Unë jam njeri që gjithmonë dëshiron të krijojë diçka të bukur, diçka me kuptim. Bullgaria do të mbetet përgjithmonë në zemrën time. Aty nisa rrugën time dhe u formova si pianiste. Në Austri u afirmua profesionalisht. Për mua ishte prioritet të bëja diçka që lidh këto dy botë. Të theksoja se Bullgaria është një vend me histori të jashtëzakonshme kulturore. Ne kemi muzikë të mrekullueshme që duhet të dëgjohet. Vendosa të krijoj një urë kulturore mes dy vendeve. Të mbledh talente vërtet të mëdha, sepse talentet nuk gjenden vetëm në Austri. Për mua, Austria është një vepër arti – atje gjithçka është talent, gjithçka është bukuri, gjithçka është muzikë dhe kulturë. Por të njëjtën gjë e kemi edhe ne në Bullgari. I vlerësoj shumë kolegët e mi dhe vendosa ta prezantoj muzikën bullgare në mënyrën më dinjitoze në një skenë kaq prestigjioze” - thotë Donka Angëçeva.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova