Autor
Joan Kolev
Artikull
Diplomacia shkencore – çelësi për mbijetesë në botën moderne
Martë 26 Maj 2026 06:30
Martë, 26 Maj 2026, 06:30
Dr. Valentin Katranxhiev
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Diplomacia biologjike dhe bioekonomia ishin në fokus të ngjarjes publike të organizuar nga Instituti Diplomatik pranë ministrit të Punëve të Jashtme të Bullgarisë dhe Shoqatës Jordaneze të të Diplomuarve në Universitetet Bullgare.
Ajo vuri në qendër të vëmendjes një faqe të re në marrëdhëniet ndërkombëtare. Edhe sot, qindra miliarda dollarë investohen në armatim dhe konflikte gjeopolitike, ndërsa shoqëria në mbarë botën vazhdon të vuajë nga epidemitë, varfëria, uria dhe ndryshimet klimatike. Por nuk janë armët dhe fuqia ushtarake ato që do të përcaktojnë të ardhmen e shoqërisë dhe marrëdhënieve ndërmjet shteteve. Njohuritë shkencore, inovacionet dhe kontrolli mbi teknologjitë kritike do të formësojnë gjithnjë e më shumë ndikimin gjeopolitik, konkurrueshmërinë ekonomike dhe qëndrueshmërinë kombëtare.
Kështu mendon Dr. Valentin Katranxhiev, ekspert i lartë pranë Institutit Diplomatik Bullgar.
“Politika e suksesshme e jashtme sot nuk mbështetet vetëm në vlerësimin politik, por edhe në vendime të bazuara në të dhëna shkencore. Kjo është një nga kontributet e diplomacisë shkencore – të rrisë ndërgjegjësimin për shkencën si një instrument i rëndësishëm për marrjen e vendimeve të informuara në politikën e jashtme. Provat shkencore përdoren në diplomacinë shumëpalëshe, veçanërisht kur trajtojmë çështje që lidhen me negociatat për klimën, energjinë, inteligjencën artificiale, kur merremi me çështje që lidhen me shëndetin publik, bioteknologjitë. Prandaj, veprimtaria diplomatike kërkon si ekspertizë shkencore, ashtu edhe integrimin e saj në procesin e hartimit të politikës së jashtme.”
“Tema e diplomacisë shkencore po bëhet gjithnjë e më përcaktuese” – konfirmoi Sara Ali Al-Fayez, studiuese në fushën e gjenomikës dhe ligjëruese kryesore mbi temën “Diplomacia biologjike dhe bioekonomia: Perspektivë strategjike për pushtetin dhe dijen në shekullin XXI”. Ajo rikujtoi shembullin emblematik nga pandemia e Covid-19, “kur u bëmë dëshmitarë të ‘diplomacisë së vaksinave’ në kohë reale, gjatë së cilës qasja në doza që shpëtonin jetë u përdor për krijimin e aleancave të reja dhe forcimin e lidhjeve strategjike në mbarë botën”.
Sara Ali Al-Fayez
FOTO: BTA
Sara Ali Al-Fayez theksoi se biologjia tashmë lidhet drejtpërdrejt me pushtetin shtetëror dhe politikat përmes ruajtjes së të dhënave gjenomike të popullsisë: për parandalimin e sëmundjeve, monitorimin biometrik dhe identitetin.
“Në dekadat e ardhshme, analizat e të dhënave biologjike do të përcaktojnë dominimin në mjekësi, sigurinë kiber‑biologjike dhe epërsinë ekonomike. Nëse një kundërshtar apo një korporatë e huaj ka qasje në depozitën unike gjenetike të kombit tuaj, ata do të mbajnë çelësat për zhvillimin e barnave të synuara, shfrytëzimin e sistemit shëndetësor dhe aftësive të cenueshme. Ose do t’ju privojnë nga qasja në pronësinë intelektuale. Prandaj, sovraniteti biologjik, menaxhimi aktiv dhe mbrojtja e depozitave gjenetike kombëtare janë shndërruar në një interes thelbësor të sigurisë kombëtare.”
“Zhvillimi i inovacioneve dhe biologjisë po formëson gjithnjë e më shumë jo vetëm sistemin shëndetësor, por edhe ekonominë, sigurinë ushqimore dhe, prej andej, qeverisjen globale të proceseve shoqërore dhe politike” – tha edhe drejtoresha e Institutit Diplomatik, Tanja Mihajllova.
Tanja Mihajllova
FOTO: BTA
Diplomacia shkencore mund të ndryshojë dhe të forcojë marrëdhëniet ndërkombëtare, të ndërtojë ura mes shteteve të ndryshme. Sipas saj, Bullgaria ka tradita intelektuale dhe një pozicion që i mundëson të kontribuojë në zhvillimin rajonal të shkencave dhe bashkëpunimin transnacional.
Ndërsa sot, para diplomatëve qëndron pyetja se si të formësohet me sukses një e ardhme biologjike e sigurt përmes diplomacisë etike dhe lidershipit të orientuar drejt njeriut. Po ashtu, sfida e madhe diplomatike është garantimi që zbulimet e reja shkencore t’i shërbejnë interesave kolektive të gjithë njerëzimit, e jo interesave të forcave të veçanta.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva