SHOQËRI

Artikull

Me iniciativa të ndryshme, bullgarët në mbarë botën nderuan alfabetin cirilik

Dielë, 24 Maj 2026, 18:28

Me iniciativa të ndryshme, bullgarët në mbarë botën nderuan alfabetin cirilik

FOTO: Shkolla e Vogël Bullgare / Little Bulgarian School

Madhësia e shkronjave

Në prag të 24 Majit – Ditës së Shenjtorëve Vëllezër Kirill dhe Metodij, të Alfabetit Bullgar, Arsimit dhe Kulturës, si dhe të Letërsisë Sllave – në rezidencën bullgare në Vjenë u organizua një pritje për përfaqësues të qarqeve kulturore, arsimore dhe shkencore. E ftuara zyrtare në aktivitet ishte dr. Meglena Pllugçieva, sekretare për politikën e jashtme e presidentes së Bullgarisë, Ilijana Jotova, e cila përcolli përshëndetjet e saj dhe theksoi angazhimin e kahershëm të presidentes ndaj komuniteteve bullgare jashtë vendit.

FOTO: Ambasada e Bullgarisë në Vjenë

Këtë mbrëmje, duke filluar nga ora 19:00, në sallën “Mozart” të kompleksit të famshëm Wiener Konzerthaus të kryeqytetit austriak do të mbahet një gala-koncert i kulturës dhe muzikës bullgare me iniciativën e pianistes së njohur bullgare Donka Angëçeva. Aktiviteti organizohet nën patronazhin e ambasadores së Bullgarisë në Austri, znj. Desisllava Najdenova-Gospodinova.



Përtej oqeanit, Little Bulgarian School – shkolla më e madhe bullgare në SHBA – organizoi një manifestim dhe aktivitete festive me rastin e 24 Majit dhe mbarimit të vitit shkollor. Në aktivitet mori pjesë edhe e ngarkuara me punë e ambasadës bullgare, Stefka Jovçeva. “Me emocione, buzëqeshje dhe krenari, nxënësit, mësuesit dhe prindërit treguan se dashuria për gjuhën amtare dhe traditat vazhdon të jetojë dhe t’u përcillet brezave të ardhshëm përtej oqeanit. Një moment veçanërisht solemn ishte mbajtja e flamurit bullgar dhe atij amerikan nga përfaqësues të Asociacioni Policor Bullgaro-Amerikan”, thuhet në njoftimin e ambasadës në Facebook.

FOTO: Shkolla e Vogël Bullgare / Little Bulgarian School

Dhe një tjetër fakt interesant lidhur me Asociacionin Policor Bullgaro-Amerikan. Nga organizata njoftuan në rrjetet sociale se 24 maji 2026 në shtetin e Ilinoisit u shpall zyrtarisht nga guvernatori J. B. Pritzker si “Dita e Asociacionit Policor Bullgaro-Amerikan”. Në proklamatë theksohet se në këtë shtet jeton një nga komunitetet më të mëdha bullgare në SHBA, i cili është pjesë e rëndësishme e jetës kulturore, ekonomike dhe shoqërore të Ilinoisit. I krijuar në vitin 2020, Asociacioni Policor Bullgaro-Amerikan lidh efektivët e policisë me komunitetin bullgar, duke nxitur sigurinë dhe mirëkuptimin mes njerëzve. Shoqata dhuroi 28 mijë dollarë për bursa studentore për studentë me origjinë bullgare në SHBA, si dhe kontribuoi në shumë iniciativa të tjera bamirëse.

FOTO: Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Jordani

Ambasada e Bullgarisë në Jordani, në bashkëpunim me Shoqatën e Jordanezëve të Diplomuar në Universitetet Bullgare, organizoi një pritje me rastin e festës bullgare të 24 Majit dhe festës jordaneze të 25 Majit – Ditës së Pavarësisë së Mbretërisë Hashemite të Jordanisë. Në aktivitet asistuan ambasadorë, diplomatë, anëtarë të Parlamentit jordanez, përfaqësues të botës akademike, kulturore dhe mediatike, shumë jordanezë të diplomuar në universitete bullgare, si dhe përfaqësues të komunitetit bullgar në Jordani.

FOTO: Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Jordani

Ambasadori bullgar Metin Kazak theksoi rëndësinë e dy ngjarjeve, të cilat përfaqësojnë një simbol të afërsisë mes dy popujve. Në këtë kuadër, ai shprehu mirënjohje të veçantë për drejtuesit e shoqatës dhe veçanërisht për kryetarin e saj, dr. Haidar Ali, për kontributin e tij të çmuar në realizimin e këtij misioni.

Në festë morën pjesë edhe nxënësit e Shkolla Bullgare “Shenjtor Kirill dhe Metodij” – Jordani, të cilët prezantuan një recital me poezi të autorëve bullgarë, si dhe një ansambël vokalo-instrumental i muzikës tradicionale jordaneze pranë Televizionit Jordanez.


Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova