SHOQËRI

Artikull

Pas ditësh me reshje intensive, Bullgaria numëron dëmet nga përmbytjet

Martë, 26 Maj 2026, 20:18

Aprillci

Aprillci

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Gjatë ditëve të fundit, Bullgaria u përball me disa nga përmbytjet më të rënda të viteve të fundit. Pas reshjeve të dendura, lumenjtë dolën nga shtrati, u përmbytën lagje të tëra, u shkatërruan rrugë dhe ura, ndërsa qindra njerëz mbetën me shtëpitë e përmbytura. Dëmet më të mëdha u regjistruan në zonat e vendbanimeve Veliko Tërnovo, Gabrovo, Sevlievo dhe Aprilci në pjesën qendrore të Bullgarisë.

Në qytetin Sevlievo, ujërat e prurjeve shkatërruan një pjesë të ujësjellësit furnizues dhe lanë pa ujë qytetin si dhe gjashtë fshatra përreth. Pas një pune 24-orëshe, ekipet e emergjencës arritën të rikthejnë furnizimin me ujë. Autoritetet lokale presin që gjendja e jashtëzakonshme në rajonin e qytetit Gabrovo të hiqet pasi situata të stabilizohet plotësisht.

Sevlievo

FOTO: BTA

Ndër të dëmtuarit është edhe Vanja Vateva, shtëpia e së cilës u dëmtua rëndë. Sipas saj, dëmet tejkalojnë 20 mijë euro dhe kjo u dokumentua nga organet përkatëse. Gruaja nga Sevlievo akuzon institucionet për mungesë mirëmbajtjeje dhe parandalimi.


“Pse arritëm deri këtu? Sepse është një pakujdesi e plotë e autoriteteve dhe institucioneve, të cilat nuk pastrojnë në kohë kanalizimet. Lumi u pastrua vitin e kaluar, por zonat jo të urbanizuara nuk janë të pastruar – aty niveli i lumit rritet dhe vala e prurjes arrin deri në qytet. Unë jam 43 vjeç dhe deri tani nuk kam parë përmbytje në këtë përmasë” thotë gruaja, shtëpia e së cilës u dëmtua nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura të ditëve të fundit dhe daljes nga shtrati të lumit Rosica. Ajo shton se jeta vazhdon “me luftë, për të rikthyer gjërat e dëmtuara”.

Veliko Tërnovo

FOTO: BGNES

Edhe qyteti historik Veliko Tërnovo është ndër zonat e prekura nga reshjet e dendura. “Nuk ka persona në gjendje emergjente. Tani gjithçka u pastrua. Arritëm  të pastrojmë të gjitha rrugët që kishin nevojë, si dhe shtëpitë e të dëmtuarve u pastruan mirë” tha zëvendëskryetari i bashkisë Georgi Nedev. Ai shtoi se deri në fund të kësaj jave pritet të përfundojë analiza e dëmeve: “Jemi gati t’ia dorëzojmë shtetit. Fatkeqësisht, ende nuk është formuar Komisioni për fatkeqësi dhe aksidente. Shpresoj që të krijohet sa më shpejt. Për të përballuar këtë krizë është e nevojshme që të përfshihet e gjithë shteti.”

Aprillci

FOTO: BGNES

Në qytetin malor Aprillci, rreth 50 shtëpi u përmbytën, u shkatërrua një urë këmbësorësh dhe pjesë të rrugëve u mor nga ujërat. Fatkeqësia çoi edhe në anulimin e festimeve me rastin e 50-vjetorit të shpalljes së qytetit dhe 150-vjetorit të Kryengritjes së Prillit. Kryetari i bashkisë Tihomir Kukenski tha për BNR se rreziku i menjëhershëm u vu nën kontroll, por tani nis faza e rindërtimit: “Situata u normalizua. Tani fillon lufta me pasojat.”

Përmbytjet prekën edhe qytetin e afërt Trojan. “Dëmet ishin dukshëm më të vogla, megjithatë u regjistruan pasoja serioze që do të kërkojnë shumë fonde”, tha kryetarja e bashkisë Donka Mihajllova, e cila është edhe zëvendëskryetare e Shoqatës Kombëtare të Bashkive në Republikën e Bullgarisë. Sipas saj, planifikimi i përgjithshëm i infrastrukturës urbane është pjesë e problemit.

Trojan

FOTO: BGNES

Donka Mihajllova mendon, se shkaqet e fatkeqësisë janë komplekse – reshje ekstreme, mirëmbajtje e pamjaftueshme e shtratit të lumenjve dhe mungesë fondesh për parandalim:


“Këto ishin reshje që vështirë mund të kontrollohen. Shiu i rrëmbyeshëm nuk mund të ndalet apo të menaxhohet, sidomos në zona malore si tonat. Së dyti – ka një sërë mangësish në rregulloren ligjore. Aktualisht, sipas ligjeve, përgjegjësinë për gjendjen e shtratit të lumenjve në territorin e urbanizuar e kanë kryetarët e bashkive, ndërsa jashtë zonave të urbanizuara – prefektët e qarqeve. Arsyeja e tretë është se te prefektët nuk ka fare fonde të planifikuara për pastrimin e shtratit të lumenjve, ndërsa në bashki fondet janë jashtëzakonisht të pamjaftueshme.”

Në një intervistë për Programin “Horizont” të Radios Kombëtare Bullgare (BNR), ajo theksoi edhe një problem tjetër serioz – mungesën e fondeve. Pikat e dobëta në fatkeqësi të tilla klimatike nuk janë vetëm shtretërit e lumenjve, theksoi Mihajllova dhe shpjegoi:


Trojan

FOTO: BGNES

“Një problem shumë serioz janë luginat е thella dhe të ngushta në zonat malore të rajoneve tona. Këto lugina të thata nuk figurojnë as në kadastrën zyrtare dhe në shumë vende kryetarët e bashkive nuk e dinë as për ekzistencën e tyre. Një problem serioz është kufizimi ligjor për pastrimin e drurëve të rënë nga pemët e thata. Ato nuk lejohet të hiqen dhe grumbullohen në terren. Gjatë reshjeve të dendura, masat e grumbulluara rrëshqasin drejt zonave të banuara.”

Donka Mihajllova shpjegoi gjithashtu se çfarë duhet të bëjnë qytetarët e prekur nga përmbytjet: “Qytetarët e dëmtuar duhet të kontaktojnë bashkitë. Kryetarët e bashkive kanë ngritur komisione që do t’i vizitojnë në terren. Dëmshpërblim u takon vetëm personave që kanë banesë të vetme dhe jetojnë në të. Kompensimi mund të jepet përmes Komisionit për Fatkeqësitë dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale.”

Ministrat e zhvillimit rajonal dhe infrastrukturës Ivan Shishkov, të punës dhe politikës sociale Natalija Efremova dhe të bujqësisë dhe ushqimit Pllamen Abrovski

FOTO: BTA

Gjatë vizitës në zonat e prekura, ministri i zhvillimit rajonal Ivan Shishkov deklaroi se shteti do të mbështesë bashkitë përmes Komisionit Ndërinstitucional për Fatkeqësitë dhe Avaritë, duke pranuar se fatkeqësia ka nxjerrë në pah “problemet me infrastrukturën, të cilat gjatë viteve janë injoruar”.

Përmbytjet e ditëve të fundit rikthyen sërish pyetje të ndjeshme për gatishmërinë e Bullgarisë ndaj fatkeqësive klimatike, për gjendjen e infrastrukturës dhe për mungesën e parandalimit afatgjatë. Megjithatë, për njerëzit në zonat e prekura, më e rëndësishmja ende është përpara — rikthimi i ngadaltë i shtëpive dhe jetës së tyre.


Sipas intervistave të Spas Krajnin, BNR “Horizont”

Redaktoi: Elena Karkallanova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova