Seksion
QSL Nr. 6: Viti 1939 – Automjeti i reportazheve të “Radio Sofjes”
Hënë 1 Qershor 2026 07:30
Hënë, 1 Qershor 2026, 07:30
FOTO: Desisllava Semkovska
Madhësia e shkronjave
Në vitin 2026, Radio Bullgaria konfirmon raportet e radioamatorëve me një seri të re prej 12 kartolinash QSL. Imazhi i secilës prej tyre thekson një ngjarje të veçantë historike, të lidhur me historinë e Radios Kombëtare Bullgare (BNR) dhe programin “Radio Bullgaria”, i cili shënon 90 vjetorin e tij. Në fillim të çdo muaji, në një publikim të posaçëm, do të mësoni fakte interesante të lidhura me këto imazhe.
Kartolina e gjashtë QSL për vitin 2026 i kushtohet automjetit të reportazheve të “Radio Sofjes”.
Një nga detyrat e para të punonjësve të radios ishte regjistrimi i peizazheve dokumentare zanore. Në vitin 1939, për nevojat e “Radio Sofjes” (siç quhej atëherë Radioja Kombëtare Bullgare në vitet e saj të para), nga Gjermania u furnizua një automjet i pajisur plotësisht sipas një porosie të veçantë për reportazhe radiofonike – një Opel sanitar i modifikuar (Opel Blitz). Në të ishin instaluar një kabinë audio, dy gramafonë të posaçëm regjistrimi, mikrofonë portativë dhe kabllo.
FOTO: sandacite.bg
Para ardhjes së këtij automjeti special, reportazhet jashtë studios realizoheshin përmes linjave kabllore fikse të shtrira deri te ndërtesat kryesore në kryeqytet (si Kuvendi Popullor dhe Gjykata). Ndërsa automjeti u mundësoi reporterëve dhe ekipit teknik të bënin regjistrime zanore në vende të ndryshme jo vetëm në Sofje, por edhe në mbarë Bullgarinë.
FOTO: arkiva personale e Zahari Milenkov
Automjeti përdorej për transmetime të drejtpërdrejta nga ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme shtetërore, shoqërore ose kulturore. Regjistrimi kryhej nga një operator teknik në pllaka të posaçme gramafoni, në një kopje të vetme. Fatkeqësisht, një pjesë e madhe e këtyre regjistrimeve të paçmueshme u shkatërruan gjatë bombardimeve të Sofjes në mars të vitit 1944, por disa të tjera shpëtuan.
FOTO: arkiva personale e Zahari Milenkov
Më vonë, Radio Bullgaria bleu një automjet tjetër reportazhi radiofonik, më të përshtatshëm për kushtet e kohës së luftës.
FOTO: arkiva personale e Zahari Milenkov
Për të marrë një kartolinë, duhet të na dërgoni një raport në të cilin të tregoni datën dhe gjuhën (për "Radio Bullgarinë"), ose datën, orën dhe frekuencën e transmetimit të dëgjuar (për programet e tjera), si dhe detaje rreth përmbajtjes së tij.
Mund t’i dërgoni raportet nëpërmjet kanalit të përshtatshëm për ju:
– me email: reception.report@bnr.bg
– me postë në adresën e mëposhtme: Bullgaria, Sofja, 1040, Bulevardi “Dragan Tsankov” 4, BNR, Desislava Semkovska
Është e detyrueshme të jepni një adresë postare për kontakt.
Ju kujtojmë se BNR konfirmon raportet e transmetimeve të dëgjuara edhe me seritë e vjetra të kartolinave QSL. Nëse dëshironi të merrni ndonjë prej tyre, ju lutemi ta tregoni këtë në raport.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello