KULTURË

Seksion

MUZA Fashion Fair 2026 – Tirana foli në gjuhën e modës dhe bashkëpunimit

Ervis Taluri mbi potencialin e partneriteteve të reja mes Shqipërisë dhe Bullgarisë

Hënë, 1 Qershor 2026, 19:40

MUZA Fashion Fair 2026 – Tirana foli në gjuhën e modës dhe bashkëpunimit

FOTO: MUZA Albania

Madhësia e shkronjave

Në zemër të Tiranës, aty ku energjia kreative po merr çdo ditë një dimension më ndërkombëtar, u zhvillua një nga eventet më domethënëse për industrinë e modës në Ballkanin Perëndimor – “MUZA Fashion Fair 2026”. Për tri ditë me radhë, kryeqyteti shqiptar u kthye në një qendër takimi mes artit, biznesit, vizionit modern dhe inovacionit.

Ky panair, i konsideruar si i pari i këtij lloji në rajon, mblodhi rreth 50 ekspozues, stilistë, profesionistë të modës, investitorë dhe blerës ndërkombëtarë, duke krijuar një atmosferë ku talenti dhe sipërmarrja bashkëjetonin natyrshëm. “MUZA Fashion Fair 2026” nuk ishte vetëm një ekspozitë mode, por një platformë bashkëpunimi dhe shkëmbimi idesh.

FOTO: MUZA Albania

Në këtë ngjarje me jehonë ndërkombëtare, Bullgaria u përfaqësua nga IFC Group (Grupi Ndërkombëtar i Lidhjes së Modës), përmes presidentes Mila Zaharieva, e cila nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me themeluesen dhe drejtoreshën e panairit, Andriola Kambo. Një tjetër emër që tërhoqi vëmendjen ishte ai i z. Ervis Taluri, President i Dhomës së Biznesit Bullgaro-Shqiptare, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Sofje.

Ervis Taluri

FOTO: MUZA Albania

Në një intervistë të realizuar nga Konsulli i Nderit të Bullgarisë në Shqipëri, z. Selim Hoxhaj, për revistën “Sot”, Taluri e përshkroi panairin si “një nga ngjarjet më inspiruese dhe profesionale në rajon në fushën e modës dhe industrisë kreative”. Sipas tij, rëndësia e “MUZA Fashion Fair 2026” qëndronte pikërisht te mënyra sesi bashkonte biznesin, dizajnin, teknologjinë, marketingun dhe vizionin ndërkombëtar.

“Markat shqiptare duhet të mendojnë globalisht që në fillim”, theksoi Ervis Taluri gjatë diskutimeve në panelin kushtuar internacionalizimit të industrisë së modës. Ai nënvizoi se në kohën moderne nuk mjafton vetëm krijimi i një produkti cilësor, por është jetike mënyra sesi ai prezantohet, promovohet dhe ndërton identitetin e tij në tregjet ndërkombëtare.

FOTO: MUZA Albania

Një nga rezultatet konkrete të eventit ishte përzgjedhja e një brandi shqiptar për t’u promovuar në Sofje gjatë një ekspozimi njëmujor, duke krijuar kështu një urë të re bashkëpunimi kulturor dhe ekonomik mes Shqipërisë dhe Bullgarisë. Për Talurin, ky është vetëm fillimi i një serie partneritetesh që mund të transformojnë industrinë kreative në rajon.

“MUZA tregoi që industria kreative në Ballkan ka potencial të jashtëzakonshëm kur bashkon vizionin, bashkëpunimin dhe guximin për të menduar ndërkombëtarisht.”, u shpreh ai, duke e konsideruar panairin si një model modern të bashkëpunimit rajonal.


FOTO: MUZA Albania

Në qendër të këtij vizioni qëndron edhe Dhoma e Biznesit Bullgaro-Shqiptare në Sofje, institucion që synon të krijojë lidhje konkrete mes kompanive të dy vendeve. Taluri e sheh këtë strukturë jo si një organizëm formal, por si një platformë aktive për investime dhe partneritete.

Përtej industrisë së modës, ai identifikon sektorë me potencial të madh bashkëpunimi si teknologjia, IT, ndërtimi, turizmi, kozmetika dhe ekonomia e gjelbër. Sipas tij, Shqipëria po shfaq një energji të re zhvillimi, ndërsa Bullgaria mbetet një portë e rëndësishme drejt tregjeve të Europës Qendrore dhe Lindore.


FOTO: MUZA Albania

“Vizioni ynë është shumë i qartë: të krijojmë ura reale bashkëpunimi mes kompanive shqiptare dhe bullgare. Dhoma nuk duhet të jetë vetëm një institucion formal, por një platformë aktive për partneritete, investime dhe zgjerim rajonal. Ne duam të ndihmojmë bizneset shqiptare të hyjnë në tregun bullgar dhe anasjelltas, duke krijuar lidhje direkte me distributorë, partnerë strategjikë, panaire ndërkombëtare dhe rrjete biznesi.” - deklaroi Ervis Taluri, duke shtuar se qëllimi final është krijimi i një ekosistemi ekonomik modern ku bizneset e rajonit të mos e shohin më veten të kufizuara vetëm në tregjet lokale.

FOTO: MUZA Albania

“MUZA Fashion Fair 2026” dëshmoi se Tirana po fiton gjithnjë e më shumë profilin e një kryeqendre kreative në Ballkanin Perëndimor. Mes dritave të pasarelave, ideve inovative dhe takimeve strategjike, ky event solli jo vetëm modë, por edhe një mesazh të qartë: rajoni ka potencialin të flasë me gjuhën e bashkëpunimit, kreativitetit dhe vizionit europian.


Përpiloi: Kostandina Bello