EKONOMI

Artikull

Ilijana Jotova: Besoj se qeveria do të kujdeset së pari për më të cenueshmit

Mërkurë, 3 Qershor 2026, 15:43

Ilijana Jotova

Ilijana Jotova

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Shkurtimi i vendeve të paplotësuara të punës dhe ngrirja e buxheteve të institucioneve dhe administratës shtetërore duhet të jenë ndër masat për përballimin e deficitit të vendit. Këtë e deklaroi në Plovdiv presidentja e Bullgarisë, Ilijana Jotova. Ndërkohë, zëvendëskryeministri dhe ministër i financave, Gëllëb Donev, njoftoi se deficiti buxhetor arrin në 7,4% dhe se pritet që Komisioni Evropian ta vendosë Bullgarinë nën mbikëqyrje. Sipas Jotovës, është e qartë se deficiti nuk është krijuar vetëm gjatë muajve të fundit. Sipas saj, mbetet ende pyetja se sa ishte niveli real i deficitit në periudhën kur vendi po përgatitej për hyrjen në eurozonë. “Sot do të dëgjojmë vlerësimin e Komisionit Evropian mbi raportet e semestrit pranveror. Ky është një rekomandim i Komisionit për të ndërmarrë masa konkrete. Unë i besoj kryeministrit se fillimisht do të kujdesen për njerëzit që kanë më shumë nevojë dhe që janë më të cenueshëm”, tha Ilijana Jotova. Sipas saj, qeveria nuk ka ndërmend të ulë pensionet dhe as të ndryshojë sistemin e përfitimeve për amësinë. “Masat që paraqiten në këtë fazë janë vetëm hapi i parë. Më pas duhet të bëhet një vlerësim i plotë për të identifikuar se ku ndodhen problemet më të mëdha”, shtoi ajo. Jotova paralajmëroi gjithashtu se një pjesë e masave që priten të ndërmerren do të jenë “mjaft drastike” dhe shprehu shpresën se qytetarët do të tregojnë solidaritet gjatë kësaj periudhe të vështirë ekonomike.


Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova