EKONOMI

Artikull

Gëllëb Donev: Borxhi i ri është i pashmangshëm, na pret të pimë kupën e hidhur

Mërkurë, 3 Qershor 2026, 15:17

Gëllëb Donev

Gëllëb Donev

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

“Borxhi i ri është i pashmangshëm. Qeveria mori sot vendim për një tavan të borxhit prej 3,8 miliardë eurosh.” Kështu deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministër i financave, Gëllëb Donev, gjatë një konference për shtyp në Këshillin e Ministrave. Sipas ministrit, pa marrjen e borxhit shtetëror, qeveria do të përballet me vështirësi në pagesën e pensioneve, pagave dhe ndihmave sociale që në muajin korrik. Ai shtoi se është e nevojshme që Kuvendi Popullor të miratojë propozimin deri më 20 qershor.

“Cili është realiteti financiar në këtë moment? Nëse nuk ndryshohen politikat aktuale dhe nuk merren masa për konsolidimin e shpenzimeve shtetërore, deficiti arrin në 7,4%. Kjo përfaqëson mbi 1,5 miliardë euro. Përveç kësaj, ka edhe 2,2 miliardë euro shpenzime të papaguara – detyrime që janë mbajtur të fshehura në sirtarë”, tha Gëllëb Donev.

Lidhur me procedurën për deficit të tepruar, të cilën pritet që Komisioni Evropian ta hapë ndaj Bullgarisë, zëvendëskryeministri e cilësoi atë si një “skenar të paralajmëruar”. “Mendoj se Komisioni Evropian do ta vendosë Bullgarinë nën mbikëqyrje, por ne nuk do të presim udhëzimet dhe masat e ashpra që mund të na imponohen. Do t’i kufizojmë shpenzimet shtetërore brenda kufijve të pranueshëm”, theksoi ai.

Në përfundim, Gëllëb Donev tha se është e mundur që deficiti të ulet në 3%, nëse shoqëria është e gatshme të përballojë masat e nevojshme. Sipas tij, masa kryesore do të ishte ngrirja e të ardhurave. Ai paralajmëroi: “Na presin masa jopopullore; na pret të pimë kupën e hidhur.”

Lexoni më shumë:


Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova