KULTURË

Artikull

Rene Karabash për mënyrën se si shkruhet një roman i denjë për "Booker"

Rene Karabash

Rene Karabash

FOTO: Yana Lozeva, International Booker Prize

Madhësia e shkronjave

“Shkrimtari duhet të shkruajë pa menduar për çmime!”, është e bindur Rene Karabash, romani i së cilës "Ostajnica" ishte shumë pranë fitimit të çmimit "Booker". Pas suksesit të romanit "Kohëstrehim" të Georgi Gospodinovit, edhe një herë një autor bashkëkohor bullgar tregoi se letërsia jonë e meriton vendin e saj në skenën botërore. Në edicionin e sivjetshëm të konkursit morën pjesë 128 libra, të përkthyer në gjuhën angleze dhe të botuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe/ose në Irlandë gjatë 12 muajve të fundit. Sipas rregullores, juria përzgjedh fillimisht 13 tituj në të ashtuquajturën listë të gjatë, nga e cila më pas zgjidhen 6 finalistë që konkurrojnë për çmimin kryesor. Mes këtyre gjashtë veprave ishte edhe romani i shkrimtares Rene Karabash.


FOTO: book.store.bg

"Ostajnica" (një fjalë me origjinë sllave që i referohet fenomenit të burrneshave shqiptare – grave që betoheshin të jetonin si burra dhe të merrnin rolin e kryefamiljarit në shoqërinë tradicionale patriarkale të Shqipërisë së Veriut) tashmë fitoi edhe disa çmime të tjera prestigjioze. Romani u vlerësua me Çmimin Kombëtar të Letërsisë "Elias Canetti", u nominua për çmimin "Romani i Vitit" të Fondit Kombëtar Bamirës "13 Shekuj Bullgaria" dhe fitoi çmimin letrar "Peroto". Historia, e cila hedh dritë mbi jetën e burrneshave, ose të ashtuquajturave "virgjëresha të betuara" në Shqipëri, pushtoi zemrat e lexuesve në mbarë botën.

Autorja e saj, Irena Ivanova – poete, shkrimtare, skenariste dhe dramaturge, e njohur me pseudonimin letrar Rene Karabash – kujton:

FOTO: BTA

“Sigurisht, pati një hulumtim për këtë temë, pasi ajo është mjaft e ndërlikuar dhe lidhet me kanunin. Ky fenomen ekziston në disa zona të Ballkanit, por jo në Bullgari. M’u deshën rreth dy vite lexim librash dhe shikim dokumentarësh për këto “virgjëresha të betuara”. Gjatë kësaj kohe pashë shumë intervista të tyre dhe lexova për kuptimin e emrave shqiptarë, sepse për mua është jashtëzakonisht e rëndësishme që emrat e personazheve të mi të pasqyrojnë fatin e tyre. Besoj se çdo njeri vjen në këtë botë me emrin e vet, dhe kjo ndikon në një mënyrë të caktuar edhe në jetën tonë.”

Romani “Ostajnica” nuk arriti të fitojë çmimin “Booker”, por tashmë u përkthye në 23 gjuhë, ndërsa botimi i tij në Brazil u bë romani i parë bullgar i publikuar në atë vend. Në fund të vitit 2023, Mari Vrina-Nikolov u vlerësua nga PEN-i francez për përkthimin e tij, ndërsa çmimi Gulf Coast Translation Prize në SHBA iu dha Izidora Anzhell për përkthimin në anglisht, i cili në vitin 2025 mori gjithashtu çmimin prestigjioz HEIM të PEN-it amerikan. Libri u nominua edhe për çmimin letrar suedez Prisma dhe është përfshirë në listën “21 librat më të mirë që priten në 2026” të klubit letrar të këngëtares Dua Lipa. Rene Karabash, me një buzëqeshje, tregon:

FOTO: BTA

“Me siguri është një sfidë për secilin prej përkthyesve të mi, por mendoj se ata ia kanë dalë mrekullisht dhe nuk është rastësi që përkthimet e tyre po fitojnë kaq shumë çmime në mbarë botën. Përpiqem të mos ndërhyj, sepse kam besim tek ata, por gjithsesi ata më drejtojnë shumë pyetje lidhur me pjesë të caktuara të tekstit ose me fjalë të vjetra bullgare apo turke. Më çudit, por me çdo përkthim unë e rizbuloj romanin tim. Madje ka gjëra që i kuptoj se i kam shkruar pikërisht falë përkthyesve të mi të rinj dhe lexuesve të rinj.”

Sipas Rene Karabash, çmimet nuk janë diçka e keqe, sepse një libër bëhet shumë më i dukshëm, më i njohur dhe, sigurisht, më i lexuar, por shton:

“Për mua personalisht ka edhe një anë tjetër. Ndonjëherë them se çmimet janë një lloj mallkimi i madh për krijuesin, sepse ato të nxjerrin nga bota në të cilën krijon dhe të detyrojnë të hysh në botën e egos, dhe nëse nuk ke punuar me veten, ekziston rreziku serioz të “fluturosh” shumë lart. Nga ana tjetër, ndaj teje lindin pritshmëri shumë tëmëdha dhe, nëse ke një kritik të fortë të brendshëm ose je perfeksionist, kjo mund të dëmtojë shumë shkrimin tënd, sepse mendon vazhdimisht vetëm se si të shkruash sërish një libër po aq të suksesshëm.”

Rene Karabash dhe Azis Tash

FOTO: arkiv personal

Autorja ndan gjithashtu recetën e saj se si duhet shkruar, pavarësisht nëse libri yt ka fituar tashmë një çmim apo jo:

“Mendoj se çdo shkrimtar duhet të arrijë të hyjë në dhomën e tij dhe të mos mendojë për çmimet, por kur shkruan – të përkushtohet ndaj vetes dhe të tjerëve, pa u shqetësuar nëse libri do të lexohet apo nëse do të nominohet… Orhan Pamuk flet për dy lloje rrëfimtarësh – ata që krijojnë përmes mendjes dhe logjikës, dhe ata të tjerët, si një fëmijë i vogël që argëtohet dhe luan përmes shkrimit. Sipas meje, është e rëndësishme të ketë një ekuilibër mes të dyjave, sepse edhe ajo që përjetojmë gjatë procesit të shkrimit lë gjurmë në faqe dhe mund të ndihet nga lexuesit.”

 

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova