Autor
Darina Grigorova
Artikull
Nga koleksioni i Radio Bullgarisë
Kamen Brjag dhe Jajllata tërheqin dashamirësit e agimeve romantike
Bukuria e virgjër e bregdetit verior të Detit të Zi
Dielë 7 Qershor 2026 09:28
Dielë, 7 Qershor 2026, 09:28
FOTO: Darina Grigorova
Madhësia e shkronjave
Deti bruz, shkëmbinjtë e paarritshëm dhe bimësia e stepës – pamje të tilla të egra hasen shpesh në veri të qytetit bregdetar Varna, ku rruga ngjitet gradualisht drejt fshatit Kamen Brjag dhe zonës Jajllata, përgjatë Pllajës së Dobruxhës. Brigjet e larta strehojnë shpella të shumta, të cilat ndërthuren aty-këtu me gjire të vegjël shkëmborë, të fshehur mes masiveve gëlqerore dhe gjelbërimit të harlisur.
Me itineraret e tyre të vështira për t’u arritur, ato tërheqin adhuruesit më të zjarrtë të relievit të thyer, të cilët kombinojnë një pushim të izoluar në bregdet me ngjitje në shpatet e pjerrëta.
FOTO: Darina Grigorova
Megjithatë, peizazhi me pamje të pabesueshme, vetmia dhe përjetimet ekstreme nuk janë e vetmja vlerë e kësaj pjese magjepsëse të Detit të Zi, e cila është bërë e njohur edhe për mirëpritjen e ditës së parë të korrikut nën tingujt e hiteve të preferuara si “July Morning” i grupit “Uriah Heep”.
Është e vërtetë se pikërisht për shkak të koncerteve rock të korrikut dhe prekjes së rrezeve të para të diellit që lindin nga deti, shumë njerëz e rizbulojnë Kamen Brjag, i cili në maj është i mbushur me ngjyrat e bozhureve të egra dhe të kokoçelit me ngjyrë qielli.
Në jug të fshatit Kamen Brjag, vetëm 2 km larg, ndodhet zona e mbrojtur Jajllata, ku e shkuara dhe e tashmja takohen në përjetësi. Rezervati kulturor-historik përfshin mbetjet e banesave shpellore prehistorike, shenjtërore dhe nekropole trake, një port romak, një vendbanim bizantin me mure fortifikimi dhe një kishë ortodokse kushtuar Shenjtorëve Kostandin dhe Elena.
Ndoshta e gjithë kjo bukuri e pastër dikur e ka magjepsur dhe frymëzuar poetin antik Ovid, për të cilin ka të dhëna se ka jetuar në një nga banesat shkëmbore.
FOTO: Darina Grigorova
Sot, rezervati i mbuluar me mister vazhdon të tërheqë vizitorë që vijnë për t’u zhytur në histori, për të shijuar pamjet mbresëlënëse të detit dhe për të dëgjuar përplasjen e dallgëve. Aty takojmë edhe Nikita Georgiev, i cili nuk e viziton këtë zonë për herë të parë.
“Në bregdetin verior të Detit të Zi në Bullgari, gjëja më e mirë është se nuk është aq i ndërtuar sa bregdeti jugor”, vëren Nikita. “Ka ende shumë vende të “egra”, dhe mund të shihen fenomene kulturore dhe historike në natyrë. Dhe është shumë më i këndshëm. Këtu, fjalë për fjalë, mund të gjurmohet zhvillimi i njerëzimit për 7000 vjet, dhe kjo rrallë mund të shihet diku tjetër. Në zonën Jajllata, për shembull, gjejmë banesa shkëmbore ku ka pasur prani njerëzore që 5000 vjet më parë.”
FOTO: Darina Grigorova
Më pas ndjekim historinë trake, pastaj atë romake dhe bizantine. Në të njëjtën kohë, duke u ngjitur në pllajë dhe duke parë nga perëndimi, shikon modernitetin me turbinat e erës dhe aeroplanët që fluturojnë në qiell… “Kjo është një jetë 7000-vjeçare në një vend.”
FOTO: Darina Grigorova
Rruga e gjatë, e cila kalon përgjatë tarracës buzë detit, me një sipërfaqe totale prej 45.3 hektarësh, është plot me tabela që nxisin imagjinatën.
FOTO: Darina Grigorova
“Në përgjithësi, do të doja që kjo zonë të zhvillohej pak më shumë, në mënyrë që një ditë njerëzit të mund të mësojnë më shumë detaje interesante për gjetjet e lashta”, thotë Nikita. Sepse këtu turistët nuk mungojnë as gjatë ditëve të javës:
“Po vijnë,” vëren Tatjana Atanasova nga Qendra e Vizitorëve në Jajllatë. “Është ndryshe: në fundjavë ka më shumë vizitorë, ndërsa gjatë ditëve të javës frekuentimi është më i ulët. Po vijnë rumunë, çekë, polakë – ka nga të gjitha kombësitë. Ndërkohë, vazhdojnë kërkimet arkeologjike dhe studimi i shtresave kulturore. Gjithashtu po kryhet edhe restaurim i pjesshëm i objekteve.”
FOTO: Darina Grigorova
Mbi Jajllata kalon Via Pontica – rruga e zogjve shtegtarë, nga të cilët rreth 50 specie folezojnë në shkëmbinjtë e vetë rezervatit. Midis tyre janë grifsha e detit, karabullakët, çafkat dhe pupëzat. Aty janë të regjistruara edhe mbi 270 lloje kafshësh. Gjithashtu, ka edhe 19 lloje bimësh të rralla dhe të rrezikuara.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova