Artikull
Heqja e vizave për SHBA mbetet prioritet për Bullgarinë
Martë 9 Qershor 2026 19:01
Martë, 9 Qershor 2026, 19:01
FOTO: parliament.bg
Madhësia e shkronjave
Heqja e vizave turistike dhe të biznesit për qytetarët bullgarë gjatë udhëtimeve drejt Shteteve të Bashkuara mbetet një prioritet afatgjatë i Bullgarisë. Kjo u bë e ditur gjatë një takimi mes kryetares së Kuvendit Popullor, Mihaella Docova, dhe të ngarkuarit me punë në ambasadën e SHBA-së në Sofje, H. Martin McDowell. Takimi u zhvillua me iniciativë të palës amerikane.
Mihaella Docova theksoi se Bullgaria ka përfunduar zbatimin e Planit të Veprimit për përfshirjen në Programin amerikan të Udhëtimeve pa Viza në fund të prillit 2026. Sipas saj, heqja e vizave përbën një hap të rëndësishëm drejt më shumë reciprociteti në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Në takim u diskutuan gjithashtu bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, diversifikimi energjetik, tregtia, investimet, shkenca dhe teknologjitë e reja. U vu theksi edhe mbi potencialin e Bullgarisë në fushën e inovacionit dhe inteligjencës artificiale, si dhe mbi zgjerimin e kontakteve mes Kuvendit Popullor dhe Kongresit të SHBA-së.
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova