Autor
Diana Cankova
Artikull
Na duhen rregulla në shkolla, IA mund të imitojë shumë mirë shprehjen njerëzore
“Nxënësit shpesh e keqpërdorin inteligjencën artificiale”, thotë Antoaneta Kalenderova
Hënë 15 Qershor 2026 06:36
Hënë, 15 Qershor 2026, 06:36
FOTO: Pixabay
Madhësia e shkronjave
Ministria e Arsimit në Bullgari po planifikon zbatimin e një projekti për transformimin digjital të arsimit shkollor, me fokus kryesor aplikimin e mjeteve të inteligjencës artificiale në procesin mësimor. Kjo nismë shoqërohet me përfundime shqetësuese nga një studim i kryer nga grupi kërkimor DigitalEdu-SU i Universitetit të Sofjes, sipas të cilit mësuesit nuk janë të përgatitur për mësimdhënie inovative, ndërsa nxënësit kanë mangësi në aftësitë e tyre të shkrim-leximit digjital.
Një shkollë private në Sofje po ndërmerr hapa të sigurt në përdorimin e këtyre teknologjive. Drejtoresha e saj, Antoaneta Kalenderova, flet në një intervistë për aplikimin e inteligjencës artificiale në procesin mësimor dhe për rastet kur ajo mund të shndërrohet në rrezik.
Antoaneta Kalenderova
FOTO: BNR
“Qoftë i rrezikshëm apo jo, ai është realitet, dhe ajo që varet nga ne, të rriturit, është që në shkollë ta përdorim si një mjet që kursen kohë, por jo si zëvendësues të inteligjencës njerëzore – thotë ajo. – Inteligjenca artificiale është ideale për përshtatjen e materialit mësimor sipas niveleve të ndryshme të nxënësve, pasi disa përparojnë më shpejt, ndërsa të tjerë kanë nevojë për më shumë praktikë. Në këtë drejtim, ajo është një mjet i shkëlqyer, po ashtu edhe për një nxënës që dëshiron të shkruajë një ese mbi një temë të caktuar dhe të arrijë shumë shpejt te burime dhe persona të ndryshëm që e kanë trajtuar tashmë këtë temë. Por pasi inteligjenca artificiale jep informacionin, nxënësi duhet ta shkruajë vetë esenë e tij. Vetëm atëherë ajo mbetet një mjet që ndihmon dhe kursen kohë.”
FOTO: Pexels
Antoaneta Kalenderova tregon se, kur i duhet të kontrollojë një numër të madh esesh përpara se t’i dërgojë në një organizatë të jashtme për vlerësim, dëshiron të jetë e sigurt se ato janë shkruar nga vetë nxënësit e saj. Gjatë gjithë procesit ajo dhe nxënësit planifikojnë së bashku burimet që do të përdoren dhe i miratojnë ato paraprakisht. Ndërkohë ajo dëgjon edhe argumentet e tyre në fazën përgatitore, përpara se ato të përfshihen në esenë përfundimtare. Kështu, pa pasur nevojë t’i drejtohet inteligjencës artificiale, ajo e di që punimi është realisht i nxënësve të saj. Megjithatë, tekstet ngarkohen gjithsesi në një program verifikimi, pasi inteligjenca artificiale ndonjëherë mund të imitojë shumë mirë mënyrën njerëzore të të shprehurit, dhe në këto raste materialet kthehen për rishikim dhe përpunim. Sipas saj, të qenit pjesë e gjithë procesit të punës është shumë i rëndësishëm për nxënësit. Në këtë kontekst ajo thekson se inteligjenca artificiale mund të jetë si ndihmëse, ashtu edhe pengesë, nëse ne i neglizhojmë potencialet tona krijuese dhe, në plan afatgjatë, humbasim aftësinë për mendim kritik dhe analizë.
FOTO: Pexels
“Ai shndërrohet në armik kur zëvendëson mendimin tonë vetjak – shton Antoaneta Kalenderova. – Po ashtu, kur e përdorim për detyra që na kursejnë kohë, rrezikojmë të mësohemi me të dhe, me kalimin e kohës, mendja jonë të bëhet më e plogësht dhe të humbasë aftësitë e saj.
Prandaj përgjegjësia e mësuesve mbetet shumë e madhe. Ata janë njerëzit që duhet ta njohin mirë këtë mjet – variantet e ndryshme të inteligjencës artificiale dhe mënyrat e përdorimit të tyre. Më pas, ata duhet të hartojnë rregulla për përdorimin e saj në shkollë dhe t’u mësojnë nxënësve si ta përdorin në mënyrën më të mirë të mundshme.”
Një tjetër çështje e rëndësishme është se kujt i përket pronësia intelektuale e një pune të krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale – një problem për të cilin po flitet gjithnjë e më shumë, thekson Antoaneta Kalenderova. Në shkollën që ajo drejton, e quajnë këtë fenomen “ndershmëri akademike”, pasi, siç shprehet ajo, kur përvetëson diçka si produkt tëndin intelektual, kjo përbën një gënjeshtër të hapur. “Dhe sa më herët t’u mësojmë fëmijëve se të marrësh një ide nga dikush tjetër është një fillim i mirë – nëse ajo shërben si frymëzim për ty – por kjo nuk mund të ndodhë pa treguar se kush është autori i saj”, shton ajo.
FOTO: Pexels
Programi i Bakalaureat Ndërkombëtar ofron një zgjidhje të drejtë:
“Trego se çfarë pyetje i ke bërë inteligjencës artificiale – shpjegon Antoaneta Kalenderova. – Nëse ajo është “Shkruaj një ese mbi temën…”, atëherë është e qartë që nuk bëhet fjalë për punën tënde. Por nëse pyetja është “Më jep të paktën tre studiues të ndryshëm që kanë shkruar për një problem të caktuar”, kjo është e pranueshme, sepse ke kursyer pak kohë në kërkim, por puna përfundimtare mbetet e jotja.”
Lexoni më shumë:
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova