SHOQËRI

Artikull

Në shkollë duhet të zhvillohen aftësi që inteligjenca artificiale nuk i ka

Fëmijët duhet të mësojnë mendim të pavarur, përshtatje dhe cilësi njerëzore që teknologjia nuk i zëvendëson

Hënë, 8 Qershor 2026, 07:07

Antoaneta Kalenderova

Antoaneta Kalenderova

FOTO: Diana Cankova

Madhësia e shkronjave

Jetojmë në një botë ku teknologjia po zhvillohet me shpejtësi marramendëse. Kjo i vendos njerëzit përballë shumë pyetjeve dhe pasigurive për të ardhmen, ndërsa përgjigjet dhe zgjidhjet nuk janë gjithmonë të qarta. Një nga pak gjërat për të cilat mund të jemi të sigurt është se duhet të ruajmë anën tonë njerëzore, ndërsa njëkohësisht të zhvillojmë aftësi moderne dhe njohuri të avancuara.

 

Për t’u përgatitur për sfidat e së ardhmes, fëmijët duhet të mësojnë të mendojnë në mënyrë të pavarur, të marrin vendime vetë, të jenë të shkathët në mendim dhe të aftë t’u përshtaten ndryshimeve. Kjo është e rëndësishme sepse askush nuk e di me saktësi se si do të jetë bota në të cilën ata do të jetojnë dhe do të punojnë.

 

Sipas Antoaneta Kalenderovës, drejtoreshë e një prej shkollave të mëdha private të arsimit të mesëm në Bullgari, fëmijët kanë nevojë gjithashtu të zhvillojnë empati, ndjeshmëri ndaj të tjerëve dhe një busull morale që i ndihmon të dallojnë të mirën nga e keqja. Këto janë cilësi dhe aftësi që inteligjenca artificiale nuk i zotëron. Megjithatë, lind një pyetje e rëndësishme: a ka shkolla e sotme kapacitetin dhe mjetet e nevojshme për t’i formuar këto cilësi tek brezat e rinj?

 

"Është e rëndësishme që shkolla të ofrojë modele pozitive për t’u ndjekur dhe mundësi për zhvillimin e aftësive, jo vetëm të përcjellë njohuri, por edhe t’i ndihmojë nxënësit t’i vënë ato në praktikë – thotë Antoaneta Kalenderova.  – Roli  i të rriturve është t’i vendosin nxënësit përballë situatave reale, sepse aftësitë zhvillohen përmes praktikës. Po aq e rëndësishme është që të rinjtë të përfshihen në vendimmarrjet që lidhen me jetën dhe aktivitetet në shkollë."

FOTO: Britanica Park School

Drejtoresha e shkollës shpreson që diku në Bullgari të zhvillohen modele të reja arsimore. Megjithatë, ajo nuk e fsheh një shqetësim të madh të mësuesve: se provimet kombëtare dhe provimet e maturës në fund të arsimit të mesëm shpesh kërkojnë nga nxënësit kryesisht të riprodhojnë njohuri të mësuara, në vend që të tregojnë aftësi të zhvilluara.


Pikërisht për këtë arsye, gjithnjë e më shumë shkolla po marrin iniciativa vetjake për të gjetur metoda dhe qasje pedagogjike që i ndihmojnë fëmijët të përgatiten më mirë për sfidat e së ardhmes. Si shembull, Antoaneta Kalenderova përmend shkollën që drejton:

 

"Tek ne kjo realizohet përmes mësimit të bazuar në projekte. Nxënësit kanë mundësi të zhvillojnë punë kërkimore, duke nisur nga një pyetje ose problem për t’u studiuar, duke kaluar nëpër shqyrtimin e literaturës dhe duke arritur deri te përfundimet e tyre. Kjo bëhet gjithashtu përmes projekteve që synojnë përmirësimin e mjedisit shkollor, si edhe përmes vënies në skenë të shfaqjes së gjimnazit. Nxënësit krijojnë vetë skenarin, kostumet, dekorin dhe ndriçimin. Në këtë mënyrë ata fitojnë aftësi për të punuar në grup, për të hartuar plane, për të menaxhuar kohën dhe për t’u thelluar në studimin e një teme të caktuar."

FOTO: Britanica Park School

Antoaneta Kalenderova shpreson që në të ardhmen mësuesit të kenë më shumë liri në organizimin e përmbajtjes mësimore, në përzgjedhjen e temave që do të trajtohen dhe në metodat e mësimdhënies që shfrytëzojnë. Aq më tepër që tashmë ekzistojnë shembuj të suksesshëm ndërkombëtarë, nga të cilët mund të mësohet, siç janë sistemet dhe programet arsimore të "Bakaloreatit Ndërkombëtar", i cili nxit zhvillimin e të menduarit kritik dhe krijues.

 

"Në këtë program ndërkombëtar, i cili konsiderohet si një nga standardet më të larta në arsim, mësuesi i letërsisë përzgjedh gjashtë vepra nga autorë dhe periudha të ndryshme, me të cilat nxënësit punojnë gjatë dy viteve – shpjegon ajo për Radio Bullgarinë. – Për  krahasim, mësuesit tanë vetëm në klasën e 12-të duhet të trajtojnë 23 vepra letrare. Në fund, synimi është që nxënësit të jenë mjaftueshëm të përgatitur për të analizuar çdo tekst letrar që u vihet përpara, duke përdorur konceptet dhe gjuhën e analizës letrare. Ky model i kushton më shumë rëndësi zhvillimit të aftësive sesa mësimit përmendësh të një numri faktesh."

FOTO: Britanica Park School

Sipas Antoaneta Kalenderovës, aktualisht shumica e sistemeve arsimore në botë ndodhen në një fazë reflektimi dhe po shqyrtojnë se çfarë duhet të ndryshojnë për t'iu përshtatur kërkesave të së ardhmes.

 

"Kohët e fundit po flitet shumë për edukimin social dhe emocional të nxënësve – vijon ajo. – Kjo qasje përpiqet të largohet, qoftë edhe pjesërisht, nga modelet tepër mekanike të mësimdhënies, ku fëmija hyn në klasë sikur të mos ketë emocionet, nevojat dhe përvojat e veta. Është e rëndësishme të krijohet një mjedis ku nxënësi të ndihet mirë në shkollë dhe të ketë një perceptim të qartë për veten dhe emocionet e veta, sepse kjo ndikon në mënyrën se si ai mëson. Po aq e rëndësishme është që të mësohet mjaftueshëm matematikë, pasi ajo qëndron në themel të të gjitha shkencave, por pa u përqendruar tërësisht vetëm te STEM-i. Edhe lëndët humanitare janë të domosdoshme, sepse ato ndihmojnë në formimin e vlerave dhe gjykimit moral, për të cilat kemi kaq shumë nevojë."

FOTO: Britanica Park School

Një hap tjetër që mund t’i ndihmojë të rinjtë të krijojnë një ide më të qartë për të ardhmen e tyre është bashkëpunimi i shkollave me biznesin. Kjo u jep atyre mundësinë të fitojnë përvojë praktike dhe i ndihmon në orientimin profesional. "Shpesh fëmijët nuk e dinë se çfarë përfshin në të vërtetë një profesion i caktuar, ndërsa shkollat mbeten të shkëputura nga nevojat e tregut të punës", thotë drejtoresha e shkollës.

 

"Kemi takime të rregullta me profesionistë nga fusha të ndryshme – njerëz që ndihen të suksesshëm jo vetëm në karrierën e tyre, por edhe të kënaqur me veten, dhe që nuk kanë frikë të tregojnë përvojën e tyre, përfshirë edhe atë negative – shton ajo. – Gjithashtu organizojmë takime orientimi për karrierën me universitete të ndryshme. Bashkëpunojmë edhe me prindërit e nxënësve tanë, të cilët i ftojnë ata të vizitojnë vendet e tyre të punës, në mënyrë që, duke hyrë në një mjedis real pune, të krijojnë një ide më të qartë se ku do të dëshironin të ishin vetë në të ardhmen. Dhe, po – duhet të ecim së bashku."

FOTO: Britanica Park School

Nëse do të kishte një garë për optimizëm lidhur me gjendjen dhe të ardhmen e arsimit në vend, Antoaneta Kalenderova ndoshta do të ishte ndër fitueset kryesore. "Nuk do t’i rekomandoja dikujt që nuk është optimist të hyjë në shkollë, sepse fëmijët kanë nevojë për frymëzim, dhe frymëzimi mund të vijë vetëm nga njerëz të frymëzuar", thotë ajo.

 

Lexoni më shumë:


Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova