SHOQËRI

Artikull

Një delegacion bullgar në Shqipëri diskutoi të ardhmen e komunitetit bullgar

Martë, 16 Qershor 2026, 13:59

Një delegacion bullgar në Shqipëri diskutoi të ardhmen e komunitetit bullgar

FOTO: Fondacioni "Kujtesa Bullgare" /Facebook

Madhësia e shkronjave

Një delegacion bullgar, i përbërë nga eurodeputeti Andrej Kovaçev, ambasadori në Tiranë Ivajllo Kirov, zëvendësshefja e ambasadës Dimitrina Temellkova, Ilijan Krumov – atashe kulturor, deputetët Mihaill Mihajllov, Elisaveta Bellobradova dhe drejtuesi i fondacionit “Kujtesa Bullgare”, dr. Milen Vrabevski, vizitoi Prespën e Vogël në Shqipëri. Më pas, në Tiranë ata zhvilluan një sërë takimesh me përfaqësues të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ të Shqipërisë, njofton portali i fondacionit. 

Gjatë bisedimeve u zhvilluan takime me Majlinda Duka – ministre shteti dhe kryenegociatore e Shqipërisë me BE‑në, Taulant Balla – kryetar i grupit parlamentar të partisë në pushtet, Jorida Tabaku – deputete e Partisë Demokratike, si dhe Evis Kushi – deputete e partisë në pushtet dhe anëtare e komisionit parlamentar për arsim.

FOTO: Fondacioni "Kujtesa Bullgare" /Facebook

Vëmendje e veçantë iu kushtua perspektivave për mësimin e gjuhës bullgare në bashkitë me popullsi bullgare, si dhe iniciativave për programe të përbashkëta dhe shkëmbime midis shkollave bullgare dhe shqiptare. Gjatë vizitës, delegacioni zhvilloi një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të komunitetit bullgar, të cilët prej dekadash punojnë për ruajtjen e gjuhës, kulturës, kujtesës historike dhe vetëdijes kombëtare bullgare në rajon.

Në takimin në Prespën e Vogël morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor, të kryesuar nga nënkryetari i bashkisë Pustec, Jani Nikolla, kryetari i shoqatës për miqësi bullgaro‑shqiptare, Dhimitër Pandovski, pedagogë nga universitetet e Korçës dhe Tiranës, mësues nga shkollat bullgare të së dielës, veprimtarë, studentë dhe mbështetës afatgjatë të ruajtjes së identitetit bullgar në Shqipëri.

FOTO: Fondacioni "Kujtesa Bullgare" /Facebook

Theksi kryesor u vendos mbi arsimin si instrumentin më të rëndësishëm për ruajtjen e identitetit bullgar ndër brezat e rinj. Ndër temat e diskutuara ishte lehtësimi i aksesit të përfaqësuesve të pakicës në arsimin e lartë bullgar, si dhe nevoja për kapërcimin e vështirësive administrative të lidhura me vërtetimin e origjinës bullgare. 

Ndër temat e tjera të ngritura ishin ruajtja e kulturës dhe traditave bullgare, qasja në shërbimet shëndetësore në rajon, sfidat demografike me të cilat përballet komuniteti, si dhe mundësitë për përfshirje më aktive të të rinjve në programe arsimore, kulturore dhe shkencore midis Bullgarisë dhe Shqipërisë.


Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë:


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva