KULTURË

Artikull

BNR nderon krijuesit bullgarë të vlerësuar në arenën ndërkombëtare

Mërkurë, 17 Qershor 2026, 05:27

BNR nderon krijuesit bullgarë të vlerësuar në arenën ndërkombëtare

FOTO: BNR

Madhësia e shkronjave

Emrat e fituesve të rinj të çmimit prestigjioz "Ambasadorë të Kulturës Bullgarë 2025" do të shpallen sot, më 17 qershor. Ceremonia solemne do të mbahet në Institutin Kombëtar Arkeologjik me Muze pranë Akademisë Bullgare të Shkencave, duke filluar nga ora 18:00.

Për një vit tjetër radhazi, media publike bullgare do të nderojë krijuesit vendas, arti dhe veprimtaria shkencore e të cilëve i kapërcejnë kufijtë e vendit dhe e bëjnë Bullgarinë të njohur në hapësirën kulturore ndërkombëtare. Nisma realizohet me pjesëmarrjen aktive të audiencës së radios. Çdo vit, dëgjuesit e BNR-së propozojnë emra krijuesish me arritje të spikatura në fusha dhe zhanre të ndryshme. Përzgjedhja përfundimtare e fituesve i besohet një jurie me autoritet, e cila vlerëson figurat kulturore me ndikimin më të madh gjatë vitit të kaluar.

Ndër vite, fitues të këtij çmimi kanë qenë disa nga autorët, artistët dhe shkencëtarët më të shquar bullgarë, që punojnë si në Bullgari ashtu edhe jashtë saj. Fushata "Ambasadorë të Kulturës Bullgarë " është pjesë e angazhimit afatgjatë të BNR-së për promovimin e krijimtarisë bullgare dhe forcimin e lidhjeve kulturore me komunitetet bullgare jashtë vendit.

Organizatorët ftojnë të gjithë adhuruesit e artit bullgar t'i bashkohen kësaj feste. Hyrja në aktivitet që do të zhvillohet në Institutin Kombëtar Arkeologjik me Muze pranë Akademisë Bullgare të Shkencave është falas.


Redaktoi: Darina Grigorova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova