Artikull
Burgasi bëhet një pikë logjistike drejt relikteve të Shën Gjon Pagëzorit
Dielë 21 Qershor 2026 08:05
Dielë, 21 Qershor 2026, 08:05
FOTO: info.gotoburgas.com
Madhësia e shkronjave
Burgasi zyrtarisht bëhet pjesë e rrugës së re bullgare të pelegrinazhit “Rruga drejt relikteve të Shën Gjon Pagëzorit”, përmes një turi të vet këmbësor urban me titull “Beso në Burgas – nga historia deri te dyert e tempullit”.
Nisma është e shoqatës “Camino Bulgaria” dhe është e frymëzuar nga rrugët e njohura evropiane të pelegrinazhit, të cilat ndërthurin përvojën shpirtërore, trashëgiminë kulturore dhe turizmin e qëndrueshëm.
FOTO: BTA
Gjatë prezantimit të projektit, kryetari i Bashkisë së Burgasit, Dimitër Nikollov, theksoi se qyteti ynë në bregdetin jugor të Detit të Zi do të luajë një rol kyç si qendër logjistike e itinerarit – njofton BTA. Falë aeroportit ndërkombëtar, lidhjeve hekurudhore dhe atyre me autobus, Burgasi do të jetë një pikë hyrëse natyrore për pelegrinët dhe turistët nga Bullgaria dhe jashtë saj, të cilët dëshirojnë të nisen drejt Sozopolit dhe ishullit “Shën Ivan”, ku ruhen reliktet e Shën Gjon Pagëzorit.
Itinerari i ri
urban është konceptuar si një udhëtim i veçantë nëpër historinë dhe larminë
kulturore të Burgasit. Ai nis pranë Qendrës së Informacionit Turistik, afër
stacionit hekurudhor dhe Autostacionit “Jug”. Prej andej, pelegrinët kalojnë
nëpër disa nga monumentet më të rëndësishme kulturore dhe fetare të qytetit.
FOTO: BTA
Si në rrugët e famshme evropiane, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të pajisen me një pasaportë të veçantë pelegrinazhi, e cila do të vërtetojë kalimin e tyre përgjatë itinerarit përmes vendosjes së vulave speciale në pika të caktuara të rrugës.
Projekti ka edhe një rëndësi më të gjerë për zhvillimin e rajonit. Turi urban dhe rruga e pelegrinazhit janë përfshirë në kandidaturën e përbashkët të Burgasit, Sozopolit, Primorskos dhe Carevos për Kryeqytetin Evropian të Kulturës.
- Qytetet bullgare nisin garën për Kryeqytetin Evropian të Kulturës 2032
- Veliko Tërnovo dhe Gabrovo kandidojnë së bashku për Kryeqytet Evropian të Kulturës 2032
Redaktoi: Elena Karkallnova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva