TURIZËM

Artikull

"Rrota e aventurës" në Kërxhali i çon turistët në vende të papritura

Dielë, 28 Qershor 2026, 09:00

"Rrota e aventurës" në Kërxhali i çon turistët në vende të papritura

FOTO: visitkardzhali.com

Madhësia e shkronjave

Edhe gjatë dimrit interesi i turistëve për rajonin e Kërxhalit mbetet i madh. Arsyeja është se Rodopet Lindore përmbledhin në një të vetme histori, arkeologji, natyrë dhe biodiversitet.

“Njerëzit udhëtojnë dhe shumë shpesh pyesin se ku të shkojnë për një ose dy ditë”, thotë drejtuesja e Qendrës së Informacionit Turistik në qytet, Margarita Janeva, për korrespondenten e BNR-së në Kërxhali, Valja Apostollova. Kështu lindi “Rrota e aventurës”, përmes së cilës idetë më të mira vijnë pa plan dhe dikush tjetër zgjedh itinerarin.

FOTO: visitkardzhali.com

“Vetë ndjesia se nuk je ti ai që vendos, por dikush tjetër se ku do të shkosh, e bën njeriun pak më aventurier”, shton Margarita Janeva. “Thjesht duhet të rrotullosh rrotën dhe ajo ndalet në mënyrë të rastësishme në një destinacion të caktuar.”

Perperikon

FOTO: visitkardzhali.com

Rrota virtuale ofron mbi 40 objekte turistike ose itinerare. Si para viteve, ashtu edhe tani, destinacioni më i kërkuar mbetet kompleksi prehistorik shkëmbor Perperikon. Për qytetin shkëmbor nuk ka ditë pushimi, përveç rasteve kur bora mbulon rrënojat. Për këtë është i bindur guida turistike Georgi Kjuçukov, ligjëratat e të cilit kanë arritur te mijëra turistë – bullgarë dhe të huaj. Tashmë janë zhvilluar disa destinacione në rajon.

FOTO: Ministria e Turizmit

“Me bashkëshorten time, e cila gjithashtu është guidë turistike, përpiqemi të strukturojmë të paktën dy ose tre itinerare në mënyrë të ndryshme çdo vit”, tregon ai. “Tashmë janë grumbulluar mjaft prej tyre dhe disa janë bërë shumë tërheqëse. Njërin prej tyre e kemi quajtur ‘Në vendet e shenjta të Rodopëve Lindorë’ dhe ai përfshin manastirin mesjetar ‘Shën Gjon Pagëzori’ në Kërxhali, shkojmë te xhamia prej druri pranë fshatit Podkova, kalojmë përmes Shenjtërores së Orfeut pranë fshatit Tatul dhe përfundojmë te teqeja Elmali Baba. Me njerëzit që vijnë në Kërxhali dhe veçanërisht me ata që janë për herë të parë në Rodopet Lindore, arrijmë të bisedojmë për popullsinë në këtë pjesë të Bullgarisë – të krishterë, myslimanë, komunitetin alevian, si dhe për tempullin pagan që kemi përfshirë, shenjtëroren e fshatit Tatul.”

Një itinerar tjetër i ngjashëm – jashtëzakonisht i lehtë, por shumë i bukur, sipas fjalëve të guidës turistike – është në drejtim të Ardinos me Shkëmbinjtë e Shqiponjave, Urën e Djallit dhe meandrin e lumit Arda. “Në secilin prej këtyre vendeve mund të arrihet me automobil, por kujtimet dhe pamja – veçanërisht ajo te meandri i lumit Arda – mbeten përgjithmonë për vizitorët”, thekson Georgi Kjuçukov.

FOTO: visitkardzhali.com

Ndryshe nga “Rrota e aventurës”, ku fati përcakton se ku do të shkojnë turistët, te guida turistike Georgi Kjuçukov ata mund ta zgjedhin vetë drejtimin e tyre.

“U japim mundësinë që ndonjëherë ata vetë të përgatisin itinerarin me vendet që duan të vizitojnë”, shpjegon ai. “Shumë turistë vijnë në Kërxhali për disa ditë dhe dëshirojnë të kenë një guidë turistike pranë gjatë gjithë kohës. Kemi llogaritur se nëse njerëzit vijnë në Rodopet Lindore dhe na kërkojnë një itinerar për dy javë, ne do të mund t’i çojmë në vende të ndryshme – secili më i bukur se tjetri – dhe askund nuk do të mërziten.”

FOTO: visitkardzhali.com

“Interesi për Rodopet pak më të egra po rritet gjithnjë e më shumë, për llojet e kafshëve, si dhe për vëzhgimin e kafshëve të egra dhe fotosafaritë”, thotë gjithashtu Margarita Janeva nga Qendra e Informacionit Turistik në Kërxhali.



Sipas reportazhit të Valja Apostollovës, korrespondente e BNR-së në Kërxhali.

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski