Artikull
Sindikatat dhe biznesi kanë rezerva ndaj projektbuxhetit për vitin 2026
Martë 30 Qershor 2026 10:23
Martë, 30 Qershor 2026, 10:23
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Këshilli Kombëtar për Bashkëpunim Trepalësh në Bullgari nuk arriti të dalë me një qëndrim të përbashkët për projektligjin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2026. Këtë e bëri të ditur zëvendëskryeministri dhe ministër i financave, Gëllëb Donev, i cili prezantoi parametrat kryesorë të projektbuxhetit gjatë mbledhjes.
Sipas projektit, deficiti buxhetor parashikohet të jetë 5.7% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2026; 3.8% e PBB-së në vitin 2027; 3.0% e PBB-së në vitin 2028.
Për të përmirësuar financat publike gjatë vitit 2026, qeveria propozon disa masa afatshkurtra për rritjen e të ardhurave në buxhet. Ndër to janë: rritja e tavanit maksimal të të ardhurave mbi të cilat paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore në 2 300 euro, duke filluar nga 1 gushti 2026; rritja e pragjeve minimale të sigurimeve shoqërore për disa sektorë ekonomikë dhe profesione, mbi nivelin e pagës minimale; rritja e të ardhurave nga tarifat rrugore; përmirësimi i mbledhjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe i taksave; rritja e të ardhurave nga aktivitetet e lojërave të fatit, si dhe masa të tjera.
Shoqata e Kapitalit Industrial në Bullgari nuk e mbështet projektligjin në formën aktuale. Përfaqësuesi i saj, Rumen Radev, e cilësoi atë si një "buxhet të reformave të shtyra".
Dhoma Ekonomike Bullgare e mbështet projektbuxhetin, por me kushte, deklaroi përfaqësuesi i saj, Dobri Mitrev. Ndërkohë, Cvetan Simeonov, nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Bullgarisë, tha se institucioni që ai përfaqëson e mbështet projektbuxhetin.
Konfederata e Sindikatave të Pavarura në Bullgari (KNSB) do ta mbështesë buxhetin vetëm nëse ruhet mekanizmi aktual për përcaktimin e pagës minimale dhe nëse shtyhet plani për uljen me 10% të shpenzimeve për personelin. Këtë e deklaroi presidenti i KNSB-së, Pllamen Dimitrov.
Nga ana tjetër, nënkryetari i Sindikatës "Podkrepa", Joanis Parteniotis, tha se organizata nuk mund ta mbështesë pa rezerva projektbuxhetin për muajt e mbetur të vitit, sipas njoftimit të Agjencisë Bullgare të Lajmeve BTA.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova
- #biznes
- #pagë
- #të ardhura
- #Konfederata e Sindikatave të Pavarura në Bullgari
- # Shoqata e Kapitalit Industrial
- #pagë minimale
- #financa publike
- #Shoqata e Kapitalit Industrial
- #deficiti buxhetor
- #sindikatë
- #shpenzime
- #projektbuxhet
- #deficit
- #buxhet
- #PBB
- #Këshilli Kombëtar për Bashkëpunim Trepalësh
- #Dhoma Ekonomike Bullgare
- #Prodhimi i Brendshëm Bruto
- #Sindikata e Punës "Podkrepa"