Autor
Desisllava Semkovska
Artikull
QSL Nr. 7: Viti 1940 – Radioaparati "Tulan"
Mërkurë 1 Korrik 2026 07:00
Mërkurë, 1 Korrik 2026, 07:00
FOTO: Desisllava Semkovska
Madhësia e shkronjave
Në vitin 2026, Radio Bullgaria konfirmon raportet e radioamatorëve me një seri të re prej 12 kartolinash QSL. Imazhi i secilës prej tyre vë në pah një ngjarje të veçantë historike, të lidhur me historinë e Radios Kombëtare Bullgare (BNR) dhe programit "Radio Bullgaria", i cili feston 90-vjetorin. Në fillim të çdo muaji, në një publikim të posaçëm, do të mësoni fakte interesante që lidhen me këto imazhe.
Kartolina e shtatë QSL për vitin 2026 i kushtohet radioaparateve bullgare "Tulan".
"Tulan" është fabrika e parë bullgare e radioaparateve, e themeluar në vitin 1927 në Burgas nga inxhinieri Svetozar Mateev Prenerov. Emri është një shkurtesë që do të thotë: "Punëtoria dhe këmbëngulja nxisin aktivitet dhe përparim." Radioaparatet e prodhuara projektoheshin me zgjidhje origjinale të patentuara, të përshtatura posaçërisht për kushtet e atëhershme të transmetimit radiofonik në Bullgari. Një nga modelet më të njohura dhe më të vlerësuara nga koleksionistët është "Tulan 660 Komfort". Sot, ekzemplarët e ruajtur janë jashtëzakonisht të rrallë dhe konsiderohen antikitete me vlerë.
FOTO: sandacite.com
Radioaparatet e vitit 1940 dallohen për përpunimin e tyre të përpiktë, kutitë prej druri të cilësisë së lartë dhe teknologjinë e patentuar nga inxhinieri Prenerov, e cila garanton rezistencë ndaj lagështisë dhe tingull të përsosur. Ky vit përfaqëson kulmin teknologjik dhe dokumentar të ndërmarrjes, menjëherë përpara se Lufta e Dytë Botërore të ndërlikonte furnizimin me lëndë të para, dhe është me rëndësi kyçe për koleksionistët, pasi prej tij është ruajtur dokumentacioni më i detajuar i produkteve të markës. Në vitin 1940, fabrika "Tulan" botoi broshurën e saj emblematike "Broshura TULAN RADIO për vitin 1940–1941", një dokument i çmuar për zhvillimin e industrisë radiofonike në vendin tonë.
FOTO: Veselin dhe Svetozar Prenerovi
Për të marrë kartolinën QSL, është e nevojshme të na dërgoni një raport, në të cilin të tregoni datën dhe gjuhën (për "Radio Bullgarinë") ose datën, orën dhe frekuencën e emisionit të dëgjuar (për programet e tjera të BNR-së), si edhe hollësi për përmbajtjen e tij.
Raportet mund t'i dërgoni përmes kanalit që ju përshtatet më shumë:
– me postë elektronike: reception.report@bnr.bg
– me postë në adresën: Bullgari, Sofje 1040, Bulevardi "Dragan Cankov" Nr. 4, BNR, Desisllava Semkovska
Është e detyrueshme të shënoni adresën tuaj postare për kthimin e përgjigjes.
Ju kujtojmë se BNR konfirmon raportet për emisionet e dëgjuara edhe me seritë e mëparshme të kartolinave QSL. Nëse dëshironi të merrni ndonjërën prej tyre, ju lutemi ta përmendni këtë në raport.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski