Artikull
Mijëra në Bullgari presin mëngjesin e parë të korrikut nën qiell të hapur
Martë 30 Qershor 2026 16:27
Martë, 30 Qershor 2026, 16:27
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Mijëra njerëz përgjatë bregdetit të Detit të Zi dhe në brendësi të Bullgarisë planifikojnë ta kalojnë natën nën yje dhe të festojnë July Morning. Ata do të presin lindjen e parë të diellit të korrikut nën tingujt e këngës me të njëjtin emër të grupit britanik rock Uriah Heep, e cila është kthyer në simbol të lirisë dhe verës në Bullgari.
Edhe pse tradita ka nisur në Varna gjatë viteve 80-të të shekullit të XX-të, nën ndikimin e lëvizjes hipi, një nga vendet më emblematike të festës është Kamen Brjag pranë Kavarnës, ku priten vizitorë nga vendi dhe nga jashtë. Këtë vit, aktiviteti atje nis që më 30 qershorin në orën 22:30 në skenën në zonën e quajtur “Ogënçeto”, ku si kryeartist do të performojë ylli i rock-ut Jeff Scott Soto. Në skenë do të ngjiten edhe disa grupe bullgare, ndërsa hyrja për publikun është falas.
Në Burgas, programi festiv fillon në orën 19:30 pranë urës në shëtitoren kryesore të Parkut Detar, ndërsa kulmi i ngjarjes është pritja e lindjes së diellit, njofton BNR Burgas.
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova