Artikull
Filluan hulumtimet në kështjellën romake Castra Martis në Kulla
Dielë 5 Korrik 2026 07:00
Dielë, 5 Korrik 2026, 07:00
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Në mesin e muajit qershor ka filluar sezoni i ri arkeologjik në kështjellën antike romake Castra Martis, në qytetin Kulla, pranë kufirit me Serbinë – njofton botimi "Az-buki".
Prej disa vitesh arkeologët po hulumtojnë këtë objekt, ndërsa aktualisht po punojnë në murin jugor mbrojtës të kështjellës antike. Qëllimi është që ai të studiohet plotësisht, të restaurohet aty ku është e nevojshme dhe të bëhet i aksesueshëm për publikun si pjesë e një parku të ardhshëm arkeologjik.
FOTO: BTA
Pas më shumë se gjysmë shekulli ndërprerjeje të kërkimeve arkeologjike, gërmimet u rifilluan në vitin 2023. Hulumtimet e fundit para kësaj ishin kryer në vitin 1972.
FOTO: BTA
Në vitet e mëparshme janë studiuar kullat nr. 1 dhe nr. 2, si edhe i gjithë muri lindor mbrojtës i kështjellës. Arkeologët kanë punuar intensivisht në më të madhen nga dy kështjellat e kompleksit. Shtatë shtresat e zbuluara dëshmojnë për një banim të pandërprerë të vendit nga shekulli I deri në shekullin VI. Sipas studiuesve, kështjella është ndërtuar në shekullin IV, gjatë kohës së perandorit Konstandin, ka ekzistuar edhe gjatë shekullit V, ndërsa më vonë është shkatërruar gjatë sulmeve barbare. Hulumtimet tregojnë se edhe para ndërtimit të kështjellës në të njëjtin vend ka ekzistuar një vendbanim.
Docent dr. Zdravko Dimitrov
FOTO: BTA
Sipas drejtuesit të kërkimeve, docent dr. Zdravko Dimitrov nga Instituti Kombëtar Arkeologjik me Muze pranë Akademisë Bullgare të Shkencave, zbulimet e ekipit për përmasat e Castra Martis janë të krahasueshme me ato të qendrave të tjera të mëdha antike në rajonin e Vidinit – Bononia dhe Ratiaria. Kështu, kështjella renditet e treta për nga madhësia ndër objektet antike të zbuluara në Bullgarinë Veriperëndimore.
FOTO: BTA
Gjatë viteve të fundit, ekipi ka zbuluar rreth 50 gjetje arkeologjike, ndër të cilat monedha nga periudha të ndryshme, fibula, stoli dhe një sasi të madhe qeramike. Sipas docent dr. Dimitrovit, Castra Martis është ruajtur jashtëzakonisht mirë. Ajo ndodhet në qendër të qytetit Kulla dhe në disa vende ngrihet deri në 20 metra mbi nivelin e terrenit. Ai është i mendimit se kjo krijon kushte të shkëlqyera për restaurimin e plotë dhe socializimin e objektit. I gjithë kompleksi arkeologjik shtrihet në toka komunale dhe private, një pjesë e të cilave janë të braktisura. Gërmimet financohen nga buxheti i Komunës së Kullës, e cila planifikon gjithashtu të blejë pronat private, në mënyrë që gërmimet të mund të vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme deri në zbulimin e plotë të kështjellës dhe shndërrimin e saj në një park të madh arkeologjik. Kjo është një mundësi e mirë edhe për zhvillimin e turizmit në rajon.
Përpiloi: Cvetana Tonçeva
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski
Publikoi / Publikuan: Sindi Nikollofski