Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
“Mjeshtri Manoll” – një legjendë që jeton në këngë
Në interpretimin e këngëtares Ollga Borisova, gojëdhëna popullore merr jetë të re dhe shndërrohet në një vepër muzikore të pavdekshme
Premte 3 Korrik 2026 19:33
Premte, 3 Korrik 2026, 19:33
Monumenti i Mjeshtrit Manoll përballë Xhamisë së Ibrahim Pashës në Razgrad
FOTO: bg.wikipedia.org
Madhësia e shkronjave
Figura e Mjeshtrit Manoll, sa e njohur aq edhe e mbështjellë me mister, shfaqet në shumë legjenda popullore në Ballkan, Anadoll dhe madje edhe në Kaukaz. Nuk dihet nëse ai ka qenë një person real apo një figurë e krijuar nga tradita popullore, por legjendat e përshkruajnë si një ndërtues të jashtëzakonshëm, i vendosur përballë zgjedhjeve që i ndryshuan fatin. Për të ekzistojnë dy rrëfenja kryesore. E para lidhet me flijimin përmes "murimit", ndërsa e dyta tregon për përpjekjen e tij të guximshme për të shpëtuar duke fluturuar. Sipas disa gojëdhënave, Mjeshtri Manoll lidhet me Xhaminë Selim në Edrene. Thuhet se ai ishte një nga ndërtuesit kryesorë të kësaj kryevepre arkitekturore, por gjatë punimeve u detyrua të pranonte fenë islame. Për të ruajtur besimin e tij, ashtu si në mitin e Dedalit dhe Ikarit, Manoll krijoi krahë artificialë dhe u përpoq të arratisej duke fluturuar.
Të dyja legjendat – ajo e murimit dhe ajo e fluturimit – mbartin një simbolikë të thellë. Murimi përfaqëson flijimin në emër të krijimtarisë, ndërsa fluturimi simbolizon dëshirën për liri. Motivi i murimit lidhet me një besim të lashtë, sipas të cilit një ndërtesë e rëndësishme publike – si një tempull, urë apo objekt tjetër – mund të ishte e qëndrueshme vetëm nëse në themelet e saj bëhej një flijim njerëzor, që shndërrohej në shpirt mbrojtës të ndërtimit. Sipas legjendës, në kohët e hershme mjeshtrit linin një hapësirë në mur dhe personin që kalonte aty e shtynin brenda, duke e muruar. Më vonë, besohej se mjaftonte të "murej" hija e një njeriu. Sipas besimit popullor, ai, hija e të cilit ishte muruar, fillonte të dobësohej, sëmurej dhe në fund shuhej.
FOTO: Pixabay
Sipas një legjende të njohur, tre vëllezër mjeshtër po ndërtonin një urë, por natyra ishte kundër tyre – çdo natë lumi rrëmbente atë që kishin ndërtuar gjatë ditës. Pas shumë dilemash, ata vendosën të bënin një flijim: të murohej gruaja e atij që do të vinte e para në kantier për t'i sjellë ushqim burrit të saj. Dy vëllezërit më të mëdhenj i paralajmëruan fshehurazi bashkëshortet e tyre të mos shkonin. Më i vogli, Mjeshtri Manoll, ishte i ndershëm dhe nuk i tha asgjë gruas së tij. Të nesërmen ajo erdhi në ndërtim dhe u murua në urë. Kjo tragjedi u bë frymëzim për shumë këngë popullore. Nuk dihet nëse legjenda pasqyron rite të vërteta të lashta apo është një rrëfim simbolik për çmimin e krijimtarisë dhe për kufirin deri ku morali mund t'i nënshtrohet një "qëllimi më të lartë". Motive të ngjashme gjenden edhe në kultura të tjera, çka tregon se bëhet fjalë për një temë universale dhe jo domosdoshmërisht për një ngjarje historike. Veçantia e legjendës së Mjeshtrit Manoll është se ajo lidhet me objekte reale, si kështjella, ura dhe kisha, duke u përshtatur me historinë e çdo vendi.
Në fshatin Nevestino, pranë qytetit Kjustendill, ende ruhet gojëdhëna për shpirtin e një nëne që natën dëgjohet duke qarë për foshnjën e saj. Banorët vendas tregojnë se gruaja e Mjeshtrit Manoll, nusja Struma, erdhi në kantier me foshnjën në krah dhe u murua në Urën e Kadinës (e njohur edhe si Ura e Nuses), e ndërtuar në vitin 1470, e cila lidh dy brigjet e fshatit Nevestino.
Ura e Kadinës, Nevestino
FOTO: bg.wikipedia.org
Në vitet 80-të të shekullit të XX-të, historia e Mjeshtrit Manoll u shndërrua në një këngë të pavdekshme, falë interpretimit të Ollga Borisovës. Në atë kohë, ajo ishte një nga yjet e Ansamblit të Këngëve Popullore të Radios Kombëtare Bullgare, i njohur më vonë me emrin "Misteri i Zërave Bullgarë". Në një intervistë për Radion Kombëtare Bullgare (BNR), ajo rrëfen:
"E dua shumë këtë këngë. Nëse nuk tingëllon si mungesë modestie, do të thosha se është kënga ime si autore, frymëzuar nga legjenda e Urës së Kadinit në fshatin Nevestino, mbi lumin Struma. Më tronditi thellësisht! Legjenda ishte e gjatë dhe vendosa ta përmbledh në tre strofa, kushtuar nuses së muruar. Të gjithë mjeshtrit ishin marrë vesh të mos u tregonin grave të tyre. Ajo që do të sillte e para ushqimin për burrin, do t'i murohej hija. Ura do të qëndronte, por ajo do të vdiste. Të gjithë ua treguan grave, përveç Mjeshtrit Manoll. Në një nga strofat, pasi i murojnë hijen, thuhet: "Fëmija yt në djep shpërtheu në vaj, pa u mëkuar nga nëna, pa u ledhatuar nga babai!". Është një këngë me një forcë të jashtëzakonshme..."
Skulptura e “Nuses Struma në Nevestino
FOTO: Pllamen Simeonov
Përballë urës ndodhet edhe skulptura e Nuses Struma, e cila sipas legjendës u murua në urë. Vepra është realizuar nga piktori dhe skulptori i njohur nga rajoni i Kjustendilit, Mite Çudomirov. Skulptura e paraqet Nusen Struma me mollët karakteristike të krahinës në duar dhe është pothuajse një kopje e pikturës së njohur të Vlladimir Dimitrov – Mjeshtri. Edhe Ollga Borisova, e lindur në rajonin e Kjustendilit, gjatë jetës së saj krahasohej shpesh me vajzat që Vlladimir Dimitrov – Mjeshtri përjetësoi në portretet e tij.
Kënga "Mjeshtri Manoll", e cila u bë shenja dalluese e Ollga Borisovës, mbetet edhe sot interpretimi i saj më emocionues dhe më i paharrueshëm. Në një intervistë për Radio Bullgarinë, këngëtari, studiues i folklorit dhe gazetar i njohur Daniell Spasov, mik i afërt i këngëtares për shumë vite, kujton:
"Për këngën "Mjeshtri Manoll", Ollga thoshte se në njëfarë mënyre ishte edhe bashkautore e saj. Teksti ishte i njohur nga tradita popullore, ndërsa melodia, sipas saj, ishte shumë e thjeshtë dhe ajo e pasuroi më tej. E kishte shumë për zemër këtë këngë. Edhe sot ajo këndohet nga interpretuesit e rinj. Pas përfundimit të koncertit të saj të fundit në Kjustendill, njerëzit u ngjitën në skenë për ta përshëndetur me lule dhe dhurata, ndërsa në sfond dëgjohej kjo këngë, natyrisht e incizuar. E mbaj mend që atëherë ajo më pa dhe tha: "Në festën time të fundit, dua të dëgjohet kjo këngë". Nuk shtoi asgjë tjetër, vetëm vështronte diku larg... Menjëherë e kuptova se çfarë kishte parasysh me "festën e fundit". Dhe kështu vepruam. Kur përfundoi ceremonia mortore, bëmë që ta shoqëronte kjo këngë...”
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova