Artikull
Ilijana Jotova: Shkolla bullgare e matematikës nuk njeh kufij gjeografikë
Hënë 6 Korrik 2026 16:39
Hënë, 6 Korrik 2026, 16:39
Ilijana Jotova
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
Shkolla bullgare e matematikës është e gjallë dhe nuk njeh kufij gjeografikë. Kështu u shpreh presidentja e Bullgarisë, Ilijana Jotova, në hapjen e konferencës ndërkombëtare "Ditët e Matematikës në Sofje". Në këtë aktivitet marrin pjesë mbi 200 shkencëtarë nga më shumë se 30 vende. Konferenca organizohet nga Instituti i Matematikës dhe Informatikës pranë Akademisë Bullgare të Shkencave, Fakulteti i Matematikës dhe Informatikës i Universitetit të Sofjes "Shën Klimenti i Ohrit" dhe Lidhja e Matematikanëve në Bullgari, nën patronazhin e presidentit të vendit. Sipas Jotovës, ky forum nuk i bashkohet diskutimeve të zakonshme për "ikjen e trurit", por krijon ura bashkëpunimi. "Detyra e shtetit është që këto ura të mos shërbejnë vetëm për largimin e studiuesve, por edhe për krijimin e kushteve për kërkime të përbashkëta, për profesorë të ftuar dhe për kthimin në Bullgari", theksoi ajo. Presidentja nënvizoi edhe rëndësinë e matematikës në botën e sotme. "Një shtet që synon të jetë lider në teknologji duhet, para së gjithash, të jetë një shtet i matematikës – me mësues të mirë, universitete të forta dhe institute kërkimore, të cilat duhen parë jo si shpenzim, por si investimi me kthimin më të madh", tha ajo. Sipas saj, Bullgaria ka shumë për të ofruar në këtë garë globale. "Ne kemi edhe një brez të ri që nuk pret të rritet për të fituar. Ata tashmë janë mes fituesve", u shpreh Jotova, duke përmendur si shembull nxënësin e Gjimnazit Matematikor të Sofjes, Nikolla Veselinov, i cili së fundmi fitoi vendin e parë në një forum prestigjioz botëror për studiues të rinj në Shtetet e Bashkuara.
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova