Artikull
BE nis procedurën për deficit të tepruar ndaj Bullgarisë
Premte 10 Korrik 2026 16:39
Premte, 10 Korrik 2026, 16:39
FOTO: Këshilli i Bashkimit Evropian
Madhësia e shkronjave
Këshilli i Bashkimit Evropian vendosi të nisë procedurën për deficit të tepruar ndaj Bullgarisë. Institucioni miratoi gjithashtu një rekomandim për vendin, ku përcaktohen drejtimet e shpenzimeve dhe afati kohor që duhet të çojnë në përmbushjen e kushteve për mbylljen e procedurës deri në vitin 2029.
Procedura nis kur një vend anëtar i BE-së ka deficit buxhetor mbi 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Deficiti i parashikuar buxhetor i Bullgarisë për vitin 2026 është 4,1% e PBB-së dhe pritet të mbetet mbi 3% edhe vitin e ardhshëm. “Përdorimi nga Bullgaria i përjashtimit për shpenzimet e mbrojtjes nuk e shpjegon plotësisht tejkalimin e pragut të përcaktuar”, thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian.
Bullgarisë i rekomandohet të ndërmarrë masa efektive dhe të paraqesë deri më 15 tetor masat e nevojshme për uljen e deficitit. Rritja nominale kumulative e shpenzimeve neto nuk duhet të kalojë 4,2% këtë vit, 7,7% në vitin 2027, 11,4% në vitin 2028 dhe 15% në vitin 2029.
- KE sheh arsye për hapjen e një procedure ndaj Bullgarisë
- BE-ja voton për vendosjen e Bullgarisë në procedurën për deficit të tepruar
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova