Artikull
KE sheh arsye për hapjen e një procedure ndaj Bullgarisë
Shkaku është deficiti buxhetor
Mërkurë 3 Qershor 2026 17:30
Mërkurë, 3 Qershor 2026, 17:30
FOTO: ec.europa.eu
Madhësia e shkronjave
Komisioni Evropian po nis procedurën për deficit të tepruar ndaj Bullgarisë. Kjo bëhet e ditur në një raport të publikuar në kuadër të parashikimit ekonomik pranveror të Semestrit Evropian. Për momentin nuk parashikohen sanksione financiare, njoftoi korrespondentja e Radios Kombëtare Bullgare (BNR) në Bruksel, Angellina Piskova. Sipas të dhënave të Eurostat, deficiti i sektorit publik u rrit nga 3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2024 në 3,5% në vitin 2025.
Raporti thekson se rritja e deficitit gjatë vitit të kaluar u shkaktua kryesisht nga: rritja e pagave në sektorin publik, veçanërisht në mbrojtje dhe siguri; shtimi i shpenzimeve sociale, përfshirë indeksimin automatik të pensioneve; subvencionet investuese për Holdingun Energjetik Bullgar. Në parashikimin pranveror, Komisioni Evropian pret që deficiti të arrijë në 4,1% të PBB-së në vitin 2026 dhe në 4,3% një vit më pas.
Një ekspert në Bruksel komentoi se problemi i Bullgarisë buron nga paqëndrueshmëria politike e viteve të fundit: “Problemi në Bullgari është se për disa vite me radhë ka pasur një situatë shumë të paqëndrueshme politike dhe vështirësi në formimin e qeverive. Qeveritë e përkohshme e panë qartë se shpenzimet po dilnin jashtë kontrollit, por nuk kishin kompetencat e nevojshme për të ndërhyrë. Është e qartë se kjo është detyra e parë e qeverisë së re, e cila duket se ka një shumicë më të qëndrueshme dhe është e angazhuar për zgjidhjen e problemit. Megjithatë, duke pasur parasysh problemet e grumbulluara ndër vite, kjo vështirë se mund të realizohet në afat të shkurtër.” Sipas tij, euroja nuk mund të konsiderohet shkak i deficitit të tepruar, pasi problemet fiskale u grumbulluan ndër vite.
Lexoni më shumë:
- Gëllëb Donev: Borxhi i ri është i pashmangshëm, na pret të pimë kupën e hidhur
- Ilijana Jotova: Besoj se qeveria do të kujdeset së pari për më të cenueshmit
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova