Artikull
Takimi i 19-të Vjetor i Shoqatës së Shkollave Bullgare Jashtë Vendit
Konferenca e ABUÇ hapi debatin për të ardhmen e shkollave bullgare jashtë vendit
Sistemi bullgar i arsimit është i hapur për nxënësit e shkollave të së dielës, theksoi zëvendësministrja e Arsimit prof. dr. Senja Terzieva
Enjte 23 Korrik 2026 12:10
Enjte, 23 Korrik 2026, 12:10
FOTO: Krasimir Martinov
Madhësia e shkronjave
Universiteti i Sofjes "Shën Kliment Ohridski" është mikpritës i Konferencës së 19-të Vjetore të Shoqatës së Shkollave Bullgare Jashtë Vendit (ABUÇ), me moton "Shkollat bullgare jashtë vendit – hapësirë për identitet, kulturë dhe përkatësi". Veprimtaria, e organizuar me mbështetjen e Agjencisë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit dhe nën patronazhin e ministrit të Arsimit, mblodhi mësues, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe personalitete publike, të bashkuar nga misioni për të ruajtur rrënjët bullgare në mbarë botën.
"Rrjeti i shkollave bullgare të së dielës është një nga projektet më të suksesshme të shtetit tonë për punën me diasporën. Aktualisht funksionojnë 401 shkolla bullgare të së dielës në 43 shtete, në gjashtë kontinente. Në to mësojnë afro 40 000 nxënës, ndërsa financimi shtetëror për veprimtarinë e tyre tejkalon 8 milionë euro", theksoi zëvendësministrja e Arsimit Senja Terzieva në fjalimin e saj para pjesëmarrësve të forumit.
Kryetarja e Këshillit Drejtues të SHBUJ-së, Zornica Gogan, përshëndeti të ftuarit në konferencë, duke kujtuar se prej gati dy dekadash ky forum është vend takimi mes përfaqësuesve të shkollave bullgare në mbarë botën dhe institucioneve e partnerëve bullgarë. Konferenca synon të përcaktojë prioritetet e ardhshme: programe të reja mësimore, zhvillimin e mësimit elektronik, rritjen e kualifikimit të mësuesve dhe lidhje më të ngushta me sistemin bullgar të arsimit të lartë.
"Konferenca e sotme e 19-të e Shoqatës nuk është krejt pa re, por është më e rëndësishme se kurrë, sepse shtrohet pyetja se si do të zhvillohet Shoqata, e krijuar në vitin 2007", vuri në dukje në përshëndetjen e saj Milena Dimitrova, sekretare për kulturën, arsimin dhe marrëdhëniet me bullgarët jashtë vendit pranë Presidentit të Republikës së Bullgarisë. Ajo lexoi mesazhin përshëndetës të kreut të shtetit, në të cilin Ilijana Jotova kujton një nga misionet më të rëndësishme të arsimit bashkëkohor bullgar jashtë vendit – ruajtjen e gjuhës bullgare, kujtesës kulturore dhe ndjenjës së përkatësisë kombëtare te fëmijët bullgarë në mbarë botën:
"Ju falënderoj për përkushtimin dhe punën tuaj të vazhdueshme, me të cilën ruani shpirtin bullgar larg Atdheut. Puna juaj ka një vlerë të jashtëzakonshme shoqërore dhe shpirtërore!", thuhet në mesazhin e presidentes drejtuar përfaqësuesve të shkollave bullgare të së dielës.
Milena Dimitrova
FOTO: Facebook/ Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Bullgarisë
Falë përpjekjeve të qëllimshme të shkollave bullgare jashtë vendit, gjithnjë e më shumë fëmijë bullgarë kthehen për të studiuar në universitetet e vendit të tyre – u bë e ditur nga përshëndetja e prof. dr. Eliza Stefanova, rektore e Universitetit të Sofjes "Shën Kliment Ohridski", i cili për një vit tjetër është mikpritës i forumit të mësuesve.
Prof. Dr. Eliza Stefanova
FOTO: BTA
"Çdo fëmijë bullgar, pavarësisht se në cilën pjesë të botës ndodhet, duhet të njohë rrënjët, gjuhën, prejardhjen dhe historinë e tij. Ju siguroj se mund të mbështeteni në përkrahjen e institucionit më të vjetër të arsimit të lartë në Bullgari. Misioni juaj arsimor ka lënë gjurmë të qëndrueshme në zemrat dhe mendjet e shumë brezave bullgarësh. Ju përgëzoj për përpjekjet tuaja të vazhdueshme për ta mbushur me kuptim misionin tuaj për të edukuar. Shpresoj që, siç kemi vënë re vitet e fundit, gjithnjë e më shumë nga nxënësit tuaj të vijnë këtu, në Bullgari. Edhe këtë vit jemi dëshmitarë të fëmijëve që, falë përpjekjeve tuaja, janë pjesë e komunitetit bullgar këtu. Mbështetuni tek ne – ne do të jemi gjithmonë pranë jush!"
Vizitat e shkrimtarëve bashkëkohorë bullgarë në shkollat e së dielës mund t'u japin fëmijëve më shumë vetëbesim, theksoi dekania e Fakultetit të Filologjive Sllave, prof. Amelia Liçeva. Ajo deklaroi gatishmërinë e katedrës për mësimin e gjuhës bullgare si gjuhë e huaj që të ofrojë mbështetje metodike edhe më aktive për mësuesit bullgarë në mbarë botën.
Prof. Amelija Liçeva
FOTO: Krasimir Martinov
Një nga përpjekjet më të ndritura patriotike që mund të shohim sot është ajo e mësuesve në shkollat bullgare të së dielës dhe e prindërve, të cilët sakrifikojnë nga koha e lirë e pakët e fëmijëve dhe familjeve të tyre për t'i edukuar në frymën bullgare. "Falë jush, Bullgaria është një hapësirë kulturore, gjuhësore dhe shpirtërore në gjashtë kontinente", tha Krasimir Vëllçev, nënkryetar i Komisionit Parlamentar për Arsimin dhe Shkencën, duke siguruar se ABUÇ do të vazhdojë të jetë partneri kryesor në hartimin dhe përmirësimin e politikave për arsimin jashtë vendit.
FOTO: Krasimir Martinov
"Bullgaria është aty ku ka njerëz me identitet bullgar dhe kjo është falë jush. Përgëzoj të gjithë ata që mbështesin sistemin arsimor – kjo është një nga përpjekjet më fisnike. Përgëzoj institucionet dhe Ministrinë e Arsimit, të cilat ndihmojnë që kjo politikë të zhvillohet më tej. Përgëzoj edhe mediat, të cilat ju mbështesin."
FOTO: Krasimir Martinov
Vlerësimeve të larta për punën e njerëzve që u sigurojnë fëmijëve të bashkatdhetarëve tanë në mbarë botën njohuri për gjuhën, kulturën dhe traditat bullgare iu bashkua edhe zëvendësministrja e Arsimit, prof. dr. Senja Terzieva.
Prof. dr. Senja Terzieva dhe Zornica Goran
FOTO: Facebook/Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Bullgarisë
"Ju përmbushni një mision që u jep mundësi bullgarëve të mbeten bullgarë në çdo cep të botës", tha ajo, duke theksuar edhe vazhdimësinë e politikës së ministrisë ndaj shkollave të së dielës. "Politika e mbështetjes së shkollave të së dielës nga shteti bullgar do të vazhdojë dhe shpresojmë që shuma e financimit të rritet vitin e ardhshëm. Çfarë do të zhvillojmë më tej janë temat që do t'i diskutoni në panelet e konferencës, por do t'i përmend shkurtimisht: programe të reja mësimore për gjuhën bullgare, zhvillimi i mësimit elektronik, kualifikimi i mësuesve, burime të reja arsimore, shkëmbimi i praktikave më të mira ndërmjet shkollave në mbarë botën dhe, sigurisht, njohja ndërkombëtare. Sistemi bullgar i arsimit është i hapur për nxënësit e shkollave të së dielës. Vitet e fundit është investuar shumë në mjedisin arsimor dhe në sistemin e arsimit të lartë dhe të shkencës. Nëpërmjet programeve të ndryshme dhe financimit shtetëror, universitetet tona janë shndërruar në partnerë të barabartë për sa i përket infrastrukturës shkencore dhe arsimore për arsimin e lartë. Prandaj ne jemi plotësisht të hapur të pranojmë të rinjtë që përfundojnë arsimin në shkollat evropiane dhe jashtë Evropës, që të bëhen pjesë e sistemit të arsimit të lartë në Bullgari. E di se cilat janë problemet dhe do të bëjmë gjithçka për të kapërcyer çdo pengesë që i ndalon të rinjtë bullgarë të përfitojnë nga cilësia më e lartë e arsimit të lartë në Bullgari. Do të punojmë së bashku."
FOTO: Krasimir Martinov
"Të gjithë përfaqësuesit e institucioneve që janë të pranishëm këtu janë njerëz që prej vitesh punojnë me ABUÇ, në mënyrë që ajo të shndërrohet në një partner të vërtetë të shtetit, që përfaqëson shkollat bullgare të së dielës jashtë vendit", theksoi Rajna Manxhukova, drejtoreshë e Agjencisë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit, e cila është partnere në organizimin e këtij takimi.
Rajna Manxhukova
FOTO: IABÇ
Ajo përgëzoi veçanërisht Këshillin Drejtues të Shoqatës, të zgjedhur në vitin 2025, i cili për herë të parë organizon një ngjarje kaq të madhe:"Ata morën detyrën pas një periudhe vështirësish që po kalonte Shoqata dhe fakti që sot ndodhemi sërish në sallën më të madhe akademike të Universitetit të Sofjes është një nga shenjat se Këshilli i ri Drejtues, vetëm për një vit, ka filluar ta ringjallë Shoqatën në formën në të cilën e kemi ëndërruar në vitin 2005, në të cilën e kemi themeluar në vitin 2007 dhe në të cilën e njohim gjatë viteve, kur këto takime zhvilloheshin edhe në ndërtesën e Parlamentit bullgar", tha Manxhukova dhe i uroi ekipit të ABUÇ të vazhdojë të kërkojë bashkëmendimtarë si në Bullgari, ashtu edhe jashtë saj, si edhe të përmirësojë komunikimin me shkollat e tjera bullgare jashtë vendit, "në mënyrë që, kur flitet në emër të Shoqatës, të jetë e qartë se flitet në emër të të gjitha shkollave bullgare jashtë vendit."
FOTO: BTA
Çmime për rilindësit e arsimit dhe kulturës
Në kuadër të forumit u ndanë edhe çmimet vjetore të ABUÇ. Ndër shkollat e vlerësuara u dalluan Shkolla Bullgare e së Dielës "Shën Sofia" në Çikago, e cila feston 50-vjetorin e saj, si edhe shkolla në Qipro, Mynster, Los Anxhelos dhe Palma de Majorka. Vlerësime morën gjithashtu një numër diplomatësh dhe përfaqësuesish të institucioneve shtetërore për kontributin e tyre në kauzën e arsimit bullgar jashtë vendit.
Takimi vjetor vazhdoi me një tryezë të rrumbullakët kushtuar problemeve të arsimit bullgar jashtë vendit.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski