Artikull
“Shalom” do të promovojë aktin unik të shpëtimit të hebrenjve bullgarë
Mërkurë 29 Korrik 2026 10:39
Mërkurë, 29 Korrik 2026, 10:39
FOTO: Këshilli i Ministrave
Madhësia e shkronjave
Kryeministri Rumen Radev u takua me drejtuesit e rinj të Organizatës së Hebrenjve në Bullgari “Shalom”. Në bisedë morën pjesë kryetarja e organizatës, dr. Alina Levi, dhe Nikollaj Gëllëbov. Përfaqësuesit e “Shalom”-it e uruan Kryeministrin Rumen Radev për fitoren bindëse në zgjedhjet parlamentare dhe i dëshiruan sukses qeverisë së re bullgare, njoftoi zyra e shtypit e qeverisë.
Nga “Shalom” u theksua se, ashtu siç ka pasur ndryshim në drejtimin shtetëror të Bullgarisë, ka pasur ndryshim edhe në drejtimin e organizatës. Udhëheqja e re do të përpiqet ta rikthejë “Shalom”-in te misioni i saj – ruajtja e mënyrës së jetesës hebraike të komunitetit dhe kontributi i tij konstruktiv në shoqërinë dhe shtetin bullgar. Përfaqësuesit e organizatës nënvizuan se do të punojnë për një dialog aktiv dhe të frytshëm me të gjitha institucionet bullgare, si edhe për ruajtjen e lidhjeve kulturore dhe shpirtërore me komunitetin e hebrenjve bullgarë në Shtetin e Izraelit.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e “Shalom”-it mbështetën idenë e kryeministrit Rumen Radev që historianët bullgarë të bashkëpunojnë me institutin “Jad Vashem” për një studim më të thelluar dhe promovim më të gjerë të fakteve historike që lidhen me aktin unik të shpëtimit të komunitetit hebre në Bullgari gjatë Luftës së Dytë Botërore, njoftojnë BTA dhe BGNES.
Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë:
- Shtëpia e Dimitër Peshevit në Kjustendill ruan kujtimin për shpëtimin e hebrenjve bullgarë
- Amalia Aronova: “Në Bullgari nuk kishte dallim nëse ishe bullgar apo hebre”
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva