Artikull
Presidentja Ilijana Jotova:
Bullgaria është një destinacion i sigurt dhe ka nevojë për një promovim të ri
Martë 4 Gusht 2026 11:38
Martë, 4 Gusht 2026, 11:38
Presidentja Ilijana Jotova
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Bullgaria është një nga
destinacionet më të sigurta në shumë aspekte. Nuk ka asnjë kërcënim që vjen nga
konfliktet, si ato në Evropë ashtu edhe në Lindjen e Mesme, deklaroi Presidentja
Ilijana Jotova gjatë një vizite në kompleksin arkeologjik të qytetit shkëmbor
“Perperikon”.
Sipas kreut të shtetit, anulimi i disa fluturimeve turistike çarter lidhet me situatën e karburanteve. “Bëhet fjalë për probleme me çmimet dhe furnizimet”, tha Presidentja.
Sipas saj, vendi ofron qetësi dhe kushte të mira për pushime, ndërsa turistët mund të ndihen të sigurt. “Të gjithë janë të mirëpritur këtu dhe do të gjejnë qetësinë e nevojshme për pushim, si dhe kushte të mira”, tha ajo. “Bullgarisë vazhdon t’i mungojë promovimi. Promovimi turistik”, theksoi Jotova.
Ajo nënvizoi se promovimi i vendit nuk duhet të kufizohet vetëm në video reklamuese, por duhet të përfshijë edhe rrëfimin e historive për monumentet kulturore dhe historike bullgare. Sipas saj, Perperikoni është një objekt arkeologjik unik dhe meriton shumë më tepër njohje ndërkombëtare. “Në Evropë nuk ka një tjetër objekt arkeologjik të tillë”, tha Jotova, duke shtuar se qyteti i shenjtë ka nevojë për më shumë reklamim dhe për njerëz që të tregojnë historinë, legjendat dhe rëndësinë e tij kulturore, raportoi BTA.
- Një faqe e autoritetshme e udhëtimit e shpalli Perperikon Maçu Piçu-n Evropian
- Perperikon hyri në top 10 të objekteve botërore, sipas "Guardian"
Lidhur me krizën e emigracionit dhe zhvillimet në Spanjë, presidentja bullgare deklaroi: “Bullgaria ka disa nga kufijtë më të sigurt në Bashkimin Evropian. Kjo çështje nuk është e djeshme. Gjithmonë kam qenë kundër mënyrës se si u miratua Pakti për Migracionin, ndërsa sot ai jo vetëm që nuk zbatohet në praktikë, por po refuzohet edhe nga shumë liderë evropianë.”
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva