Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
“Zogëz, bilbil shumëngjyrësh” – lirika folklorike emocionuese nga Rodopet
Premte 14 Gusht 2026 07:00
Premte, 14 Gusht 2026, 07:00
FOTO: Arkiv
Madhësia e shkronjave
Rodopet – mali bullgar, që të mahnit me bukurinë e tij të jashtëzakonshme, të pushton me madhështinë dhe mistikën e tij. Peizazhet e tij i bëjnë përshtypje çdo udhëtari, tokat e tij janë dëshmitare të një historie të lashtë, por më emocionuese janë romantika e veçantë, karakteri i butë dhe mirësia e banorëve të tij. Shkrimtari i madh bullgar Nikollaj Hajtov i quan Rodopet “mal me shpirt”. Vetëm ai që e ka ndier magjinë dhe shpirtërimin e tij mund ta shpjegojë përse pikërisht ai konsiderohet vendlindja e Orfeut legjendar – këngëtarit të Trakisë së lashtë, simbolit botëror të muzikës. Meloditë e ëmbla të malit të Orfeut janë të destinuara të krijojnë këngëtarë të famshëm. Banorët e Rodopeve këndojnë me përqendrim dhe përkushtim të plotë; për ta kënga nuk është thjesht shprehje e një emocioni, por mënyrë jetese. Kënga e Rodopeve është një rrëfim i thellë dhe intim i zemrës, me një forcë dhe fuqi që i kanë tejkaluar kufijtë kombëtarë dhe kanë marrë përmasa planetare e kozmike. Dhe kjo vlen jo vetëm për këngën më të njohur në botë – “Doli Deljo kaçak”, që udhëton nëpër univers si një mesazh muzikor nga Toka, por edhe për “Jam e bardhë, e bardhë, o trim”, “Vajzë, moj e bukur”, “Rufinka e sëmurë u shtri”...
Radka Kushleva
FOTO: Arkiv
Ndër këngët më të dashura nga vendlindja e Orfeut është “Zogëz, bilbil shumëngjyrësh”, e cila u shndërrua në hit nga e famshmja Radka Kushleva, e quajtur “bilbili i Rodopeve”. Me zërin e saj të bukur, këngëtarja e madhe bullgare interpreton me mjeshtëri dialogun midis një bilbili dhe një komandanti trim: “Pse ngrihesh dhe këndon kaq herët, o bilbil, pse më zgjon? – Dimitre, komandant i frikshëm, si të mos ngrihem? Për shkak të çetës sate tashmë prej nëntë vitesh nuk mund të hyj në pyll, të bëj fole dhe të rris të vegjlit. Nën çdo pemë – një trim, në çdo degë – një pushkë...”.Edhe më mbresëlënës është përpunimi i këngës, i krijuar nga kompozitori Aleksandër Josifov për një tjetër këngëtare legjendare nga Rodopet – Nadezhda Hvojneva. Josifovi është autor i një krijimtarie të gjerë – më shumë se 1500 opuse në pothuajse të gjitha zhanret muzikore: opera, simfoni, koncerte instrumentale, miniatura korale, vepra të muzikës së dhomës, këngë popullore. Duket sikur në hije ka mbetur kontributi i tij në përpunimin e folklorit bullgar, ndërsa Aleksandër Josifovi është autor i më shumë se 300 përpunimeve. Një fakt pak i njohur është se, kur ishte i ri, ai punoi rreth dy vjet në Orkestrën e Muzikës Popullore të Radios Kombëtare Bullgare, nën drejtimin e muzikantëve të njohur të folklorit, si Kosta Kolev dhe Dimitër Dinev. Dhe pikërisht Kosta Kolev dirigjon orkestrën në regjistrimin e “Zogëz, bilbil shumëngjyrësh”, me zërin e Nadezhda Hvojnevës – një nga bijat më të spikatura dhe më të fuqishme në zë të Rodopeve.E lindur saktësisht dhjetë vjet pas Radka Kushlevës, Hvojneva vjen nga një familje e famshme komandantësh, këngëtarësh dhe instrumentistësh, e njohur në të gjithë rajonin e Rodopeve. Gjyshi i saj – Todor Hvojnev, revolucionar i shquar bullgar, i njohur si Fojnju Vojvoda, ishte i famshëm për pasionin e tij të madh – gajden. Në vitin 1956, kur ishte 20 vjeçe, në një konkurs të veprimtarisë artistike amatore në Pllovdiv, Nadezhda Hvojneva fitoi çmimin e parë. Që nga viti 1958 ajo ishte soliste e Ansamblit të Këngëve Popullore të Radios Kombëtare Bullgare. Altoja e saj e mrekullueshme, me një timbër të papërsëritshëm, e shndërroi atë jo vetëm në një nga interpretueseve folklorike më të kërkuara. Në vitet ’60 të shekullit XX, ajo u ftua për një bisedë në Operën e Sofjes, me propozimin që të ndryshonte kualifikimin e saj dhe të bëhej pjesë e mrekullisë së famshme operistike bullgare. Ajo refuzoi – e shihte të ardhmen e saj vetëm në këngën e Rodopeve.
Nadezhda Hvojneva
FOTO: BTA
Nadezhda Hvojneva është këngëtarja që realizoi regjistrimin e parë zanor të “Doli Deljo kaçaku” në Radion Kombëtare Bullgare. Në Festivalin e Nëntë Botëror të Rinisë dhe Studentëve, në vitin 1969, ajo u nderua me medalje të artë pikërisht për këtë këngë. Kur në fillim të viteve ’80 të shekullit të kaluar u bë e qartë se “Deljo kaçaku” po fluturonte në Pafundësi me zërin e një këngëtareje tjetër, Hvojneva u zhgënjye shumë. Më pas i tha vetes: “Çfarë rëndësie ka, fundja tingëllon një këngë bullgare! Epo, unë i bëra njerëzit ta duan, e regjistrova në radio, Valja Ballkanska e dërgoi në Kozmos...” Zëri i Nadezhda Hvojnevës e shndërron çdo këngë në një zbulim të thellë. Në një kryevepër – si “Zogëz, bilbil shumëngjyrësh”.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski