Artikull
Rrënja e gjallë e shpirtit bullgar në Budapest:
Bisedë për kujtesën me Tosho Donçev
Hënë 17 Gusht 2026 20:15
Hënë, 17 Gusht 2026, 20:15
FOTO: bg-patriarshia.bg
Madhësia e shkronjave
Kur flasim për diasporën bullgare jashtë vendit, shpesh e përfytyrojmë atë përmes prizmit të emigracionit të ri të dekadave të fundit. Në zemër të Hungarisë, megjithatë, studiues, artistë dhe figura publike ruajnë kujtesën e një komuniteti tjetër historik – atij të kopshtarëve bullgarë. Ata mbërritën në Budapest më shumë se një shekull më parë, duke sjellë në trastat e tyre jo vetëm fara perimesh, por edhe farat e besimit, gjuhës dhe kulturës bullgare. Ata ngritën kisha dhe shkolla me kontributet e tyre personale, pa pritur ndihmë nga askush.
FOTO: lyaskovets.net
Një nga ruajtësit më të shquar dhe më autentikë të kësaj kujtese familjare është Tosho Angellov Donçev. I lindur nën bombardimet e Luftës së Dytë Botërore në vitin 1944, ai ka përshkuar një rrugëtim të jashtëzakonshëm – nga një fëmijë që luante në oborrin e kishës „Shën Kirilli dhe Metodij“ në Budapest, deri te një sociolog i njohur, shkrimtar në dy gjuhë dhe sekretar shteti, i cili drejtoi Zyrën për Pakicat Kombëtare dhe Etnike në qeverinë hungareze.
Fshati Draganovo
FOTO: BTA
Jeta e tij nuk i është kushtuar vetëm shkrimit, por edhe kauzës së bashkatdhetarëve të tij në Hungari.
FOTO: bg-patriarshia.bg
„Më herët kam punuar edhe në Shoqatën e Bullgarëve, në një detyrë drejtuese – kam qenë drejtor i Shtëpisë së Kulturës. Më pas kam qenë kryetar i Vetëqeverisjes Republikane Bullgare. Në atë kohë drejtonim Tryezën e Rrumbullakët të Pakicave Etnike. Pikërisht prej andej lindi Ligji për Pakicat Kombëtare dhe Etnike në Hungari në vitin 1993. Kështu që, prej kohësh, jam thellësisht i lidhur me fatin e komunitetit tonë“, – rrëfen me emocion Donçevi.
Është interesante të mësohet se cili është kujtimi i tij më i hershëm, kujtimi i parë, nga kisha „Shën Kirilli dhe Metodij“ në kryeqytetin hungarez. Me buzëqeshje, ai kthehet dekada pas, në vitet e fëmijërisë së tij:
FOTO: bg-patriarshia.bg
„Është e vështirë të them, por që nga fëmijëria e hershme vija këtu në kishë me babanë çdo të diel, ndërsa nëna qëndronte në shtëpi. Mbaj mend se këtu ishte një farë xha Stojan-Maqedonasi, i cili shiste susamkë, llokume dhe ëmbëlsira të ndryshme për fëmijët, ndërsa ne luanim në oborrin e kishës. Ndërsa brenda, njerëzit, të rriturit... Kishte një atmosferë jashtëzakonisht të bashkuar. Nuk do ta quaja aq ‘hyjnore’, sa të natyrshme, familjare dhe shumë të këndshme, një atmosferë që ndihej mes bullgarëve tanë.“
Rrëfimi për fëmijërinë në kishë natyrshëm të çon te pyetja nëse pikërisht në këtë kishë ka ndodhur edhe Pagëzimi i tij i Shenjtë. Koha në të cilën ai lindi ka lënë gjurmën e saj edhe në këtë ngjarje të jetës së tij:
„Me vullnetin e Zotit jam pagëzuar, po. Por unë kam lindur në vitin 1944. Ishte ende një kohë jokomuniste – shpjegon ai. – U pagëzova në shtëpi, sepse për shkak të Luftës së Dytë Botërore dhe bombardimeve atëherë nuk kishte mundësi të na çonin në kishë. Prifti erdhi në shtëpi dhe më pagëzoi në një legen. Vetëm më pas na sollën në kishë.“ Me krenari shton se kjo ndodhi pikërisht këtu, në Hungari, por nga dora e një prifti bullgar: „U pagëzova në këtë mënyrë që atëherë dhe u rrita si një bullgar ortodoks.“
FOTO: Facebook – Komuniteti/Kisha Ortodokse Bullgare „Shën Kirilli dhe Metodij“, Budapest
Sot prania bullgare në Budapest është organizuar në një mënyrë unike – shkolla, shtëpia e kulturës dhe kisha ndodhen në të njëjtin oborr.
Këto tri institucione janë si tri faltore të vërteta dhe shtyllat kryesore të bullgarizmit në Hungari.
FOTO: bg-patriarshia.bg
Rrëfimi i tij është dëshmi e një komuniteti që jo vetëm ka mbijetuar, por edhe ka lulëzuar falë unitetit të tij. Nga legeni i pagëzimit gjatë kohës së luftës deri te Qendra moderne Kulturore-Arsimore, e përuruar nga dy krerët e shteteve – filli i ortodoksisë bullgare dhe i kujtesës familjare mbetet i pandërprerë në Hungari.
FOTO: BTA
Besimi dhe kultura nuk janë koncepte abstrakte për bullgarët në Budapest. Ato janë një traditë familjare, e mishëruar në ndërtimin e kishës, në zhurmën e fëmijëve në oborrin e shkollës dhe në kujtimin e atyre kopshtarëve nga Draganovo, të cilët dëshmuan se shpirti nuk njeh kufij.
FOTO: Instagram – Shkolla Bullgare në Budapest
Lexoni më shumë për bullgarët në Hungari në arkivin e Radio Bullgarisë:
- Gjuha dhe besimi i bashkojnë bullgarët në Budapest më 24 maj
- Bullgarët në Hungari me një festë të dyfishtë
- Një brez i katërt fëmijësh bullgarë në Hungari mbushin klasat e shkollës sonë të së dielës
- Gabriella Haxhikostova: Bullgarët në Hungari gëzojnë një respekt të madh
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski