KULTURË

Artikull

“Rusallka” e Dvořák-ut nën dirigjimin e Pavell Balev transmetohet globalisht

Mërkurë, 19 Gusht 2026, 07:00

"Rusallka" në Limoges (2021)

"Rusallka" në Limoges (2021)

FOTO: resonances-lyriques.org

Madhësia e shkronjave

Këto ditë, dirigjenti i madh bullgar Pavell Balev i ka gëzuar sërish bashkatdhetarët e tij me një ngjarje muzikore të jashtëzakonshme. Shfaqja e një prej veprave më të bukura dhe më shpesh të vëna në skenë të muzikës skenike sllave – “Rusallka” e Antonín Dvořák-ut, e realizuar nga trupat artistike të Operës së Limoges, Opéra de Limoges, nën dirigjimin e Balevit, është përfshirë në programin e kanalit prestigjioz televiziv për muzikën klasike Stingray Classica (dikur Classica dhe Unitel Classica – një kanal televiziv kushtuar muzikës klasike, operës, baletit dhe xhazit, aktualisht në pronësi të kompanisë kanadeze Stingray Group.

Pas transmetimit më 11 gusht, “Rusallka” ishte parashikuar të transmetohej në vende të ndryshme në të gjitha kontinentet. Pas 14 gushtit, transmetimi i saj do të vijojë edhe më 26 gusht 2026.

Nicola Raab

Nicola Raab

FOTO: opera.se

Regjia e shfaqjes është e regjisores së njohur gjermane Nicola Raab, e cila ka punuar me sukses në teatro kryesore të botës, si Opera Shtetërore e Bavarisë në Mynih, Opera Shtetërore e Vjenës, Opera e Zyrihut, Opera e Re Izraelite, Teatro La Fenice në Venecia dhe Festivali i Salzburgut. Versioni filmik, me regji televizive nga Arnaud Lalanne, është një interpretim më se dinjitoz i kryeveprës së Dvořák-ut. Ndër solistët janë Ruzan Mantashyan, Adam Smith, Rafal Pawnuk, Marie-Adeline Henry, Marion Lebègue dhe Alexandra Marcellier. Performanca është regjistruar në Limoges në shkurt të vitit 2021.


Në repertorin e Pavell Balev përfshihen pothuajse të gjitha simfonitë e Dvořák-ut. Nga operat e tij, ai ka dirigjuar të plotë vetëm “Rusallkën”, e cila është vënia e tij e parë në skenë si dirigjent kryesor në teatrin prestigjioz francez në Limoges. Për këtë, Balevi tregoi në një intervistë të posaçme për Radio Bullgarinë verën e kaluar:

Pavell Balev

Pavell Balev

FOTO: pavel-baleff.de

“Gjatë periudhës së Covid-it, në vitin 2021, teatri në Limoges ishte i vetmi teatër që vazhdoi të punonte. Kishim leje të lëviznim nëpër rrugë pas orës 18:00. Të gjitha teatrot në Francë ishin të mbyllura dhe prisnin vendimin e Macron-it – nëse publiku do të lejohej të hynte në sallë apo jo. Por ne vazhduam të punonim për katër javë me dyer të mbyllura dhe, në fund, pasi u mor vendimi që teatrot të mos hapeshin, kishim një alternativë ‘B’. Drejtori ynë kishte ftuar, pavarësisht nga vendimi i qeverisë, televizionin francez për të realizuar një film. Një ekip televiziv erdhi dhe për një javë regjistroi produksionin tonë. Ai u transmetua dhe sot ‘Rusallka’ e Operës së Limoges mund të gjendet kudo në hapësirën mediatike – një film shumë i bukur, me të cilin jam vërtet shumë krenar.”


Redaktoi: Cvetana Tonçeva
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski