LAJME

Artikull

Bullgaria lejoi një aeroplan rus të fluturojë mbi territorin e saj

Enjte, 20 Gusht 2026, 09:02

Руски самолет Ил-76  /  България разреши на руски самолет да прелети над територията й

Руски самолет Ил-76 / България разреши на руски самолет да прелети над територията й

FOTO: Ministria e Situatave të Jashtëzakonshme e Rusisë

Madhësia e shkronjave

Një avion Il-76TD i Ministrisë së Situatave të Jashtëzakonshme të Federatës Ruse kaloi mbrëmë nëpër hapësirën ajrore bullgare dhe u ul në qytetin serb të Nishit. Avionët e këtij lloji mund të përdoren për detyra të ndryshme, përfshirë operacionet për shuarjen e zjarreve pyjore, njofton BGNES.

Nova TV citon Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, sipas së cilës fluturimi është kryer për qëllime humanitare, pas një kërkese zyrtare nga Serbia për shkak të zjarreve në vend.

Deputeti Hristo Gaxhev, anëtar i Komisionit Parlamentar për Mbrojtjen, komentoi fluturimin në Facebook:

“Një avion qeveritar rus fluturoi mbi Bullgari në drejtim të Serbisë. Destinacioni i mundshëm është qendra ruso-serbe në Nish, e cila prej vitesh përmendet si seli e komunitetit të inteligjencës ruse në Ballkan. Kjo është në kundërshtim me sanksionet e BE-së. Aeroplanëve rusë u ndalohet të fluturojnë, të ngrihen ose të ulen në territorin e BE-së. Përveç rastit kur Ministri i Jashtëm në Sofje ka dhënë një leje të posaçme. Është shumë interesante se me çfarë arsyetimi është dhënë kjo leje.”

“Në një kohë kur zjarret pyjore në Republikën e Serbisë vazhdojnë të përhapen pranë kufirit bullgar dhe kërcënojnë zonat ndërkufitare, bashkëpunimi ndërkombëtar për përballimin e kësaj fatkeqësie merr një rëndësi të veçantë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, nga e cila bëhet e qartë se institucionet bullgare kanë lëshuar dokumentet e nevojshme të autorizimit.

Pas ndotjes së ajrit me tym në kryeqytet dhe në disa qytete të tjera bullgare, Bullgaria i ofroi ndihmë Serbisë për shuarjen e zjarreve.

 

Lexoni më tepër: 

 

Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva