POLITIKË

Artikull

Opozita: Toleranca ndaj qeverisë do të jetë luks, përpara janë muaj të nxehtë

Sesioni i ri i Kuvendit Popullor nisi me deklarata nga grupet parlamentare

Sesioni i ri i Kuvendit Popullor nisi me deklarata nga grupet parlamentare

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

“Në Bullgari po hyn një sezon i ri politik dhe nga ne priten vendime të shpejta, të çliruara nga patosi i zakonshëm partiak”, deklaroi në emër të “Bullgarisë Progresive” (PB) Petër Vitanov.

Petër Vitanov

Petër Vitanov

FOTO: BTA

Hapat e parë drejt reformës në drejtësi dhe kërkimi i një konsensusi të gjerë për zgjedhjen e një Këshilli të ri të Lartë Gjyqësor funksional dhe me integritet do të jenë ndër prioritetet e partisë në pushtet. Ndalimi i bashkëpagesave të vazhdueshme nga pacientët, ulja e numrit të anëtarëve në bordet e ndërmarrjeve shtetërore, mbështetja e masave për transparencën e çmimeve të produkteve më të domosdoshme, si edhe lufta pa kompromis e Ministrisë së Punëve të Brendshme kundër korrupsionit në nivelet më të larta të pushtetit, janë gjithashtu në listën e detyrave urgjente të PB-së.

“Toleranca që treguam gjatë njëqind ditëve tëpara të qeverisjes ishte çështje kulture politike, por gjatë sesionit të ri ajo do të jetë një luks që nuk mund ta përballojmë”, deklaroi Toma Bikov nga GERB-SDS.

Toma Bikov

Toma Bikov

FOTO: BTA

Deputeti tha gjithashtu se qeveria e Rumen Radevit po shfaqet si një qeveri kalimtare dhe jo reformuese. Sipas tij, ajo ka si horizont të vetëm arritjen e objektivave të ngushta partiake dhe, në këtë mënyrë, i mohon vetes perspektivën afatgjatë të bashkimit të kombit rreth qëllimeve të përbashkëta strategjike. Ai shtoi se kabineti nuk po tregon potencial për zgjidhje të reja dhe për një drejtim të ri në jetën shoqërore dhe politike të vendit.

“Nëse nuk ka një përgjigje bindëse nga ‘Bullgaria Progresive’ ndaj rritjes së çmimeve dhe luftës kundër oligarkisë, muajt e dimrit do të jenë shumë të nxehtë”, paralajmëroi Nikollaj Denkov nga “Po e Vazhdojmë Ndryshimin”. Sipas tij, koha e gënjeshtrave dhe optimizmit bosh ka përfunduar.


Nikollaj Denkov

Nikollaj Denkov

FOTO: BTA

“E vërteta e hidhur është se oligarkia nuk është mposhtur, nuk ka kriminelë të ndëshkuar, çmimet vazhdojnë të rriten dhe dimri po afrohet”, shtoi deputeti.


Mësoni më tepër nga arkivi i Radio Bullgarisë:

 

Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva