Artikull
Kabineti “Radev” mbushi 100 ditë në qeverisjen e vendit
Hënë 17 Gusht 2026 10:41
Hënë, 17 Gusht 2026, 10:41
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Qeveria e ish-presidentit Rumen Radev, e përfaqësuar nga “Bullgaria Progresive”, partia që fitoi shumicën e plotë parlamentare, shënoi 100 ditë në pushtet.
Në bilancin e deritanishëm të qeverisë përfshihen miratimi i një buxheti tërregullt me deficit prej 5,7%, i kontestuar në Gjykatën Kushtetuese dhe që shkaktoi nisjen e një procedure evropiane për deficit të tepruar. Ngrirja e pagesave sociale dhe rritja e çmimit të vinjetave me 30% gjithashtu bëjnë pjesë në veprimet kryesore të kabinetit.
Kontrata me kompaninë e gazit “Botaş”, sipas së cilës vendi ynë paguante çdo ditë rreth 500 mijë dollarë, u pezullua për 15 muaj, por opozita dyshoi për marrëveshje të fshehta me Turqinë. Gjithashtu morëm 896 milionë euro nga Plani për Rimëkëmbje dhe Qëndrueshmëri, ndërsa qeveria lejoi praninë e avionëve ushtarakë amerikanë në bazën ajrore “Bezmer”, megjithëse më parë kishte kritikuar praninë e tyre në aeroportin e kryeqytetit.
Në politikën e jashtme u vunë re mospërputhje mes kryeministrit dhe ministres përkatëse. Ndërsa Rumen Radev mbështeste një ndryshim të qasjes evropiane ndaj luftës në Ukrainë, Velisllava Petrova-Çamova nënshkroi një deklaratë për një pjesëmarrje më aktive në Koalicionin e të Gatshmëve.
Vetëm gjatë javës së kaluar qeveria miratoi programin e saj qeverisës, i cili parashikon ndryshime në Kushtetutë për të realizuar reformën në drejtësi të premtuar në ditën e betimit, njofton gazetarja e BNR-së, Maria Fileva.
“Ne po i zbatojmë në mënyrë të qëndrueshme premtimet tona zgjedhore me hapa të qartë dhe konkretë. Arritëm të përmbushim pikën e parë, eliminimin e kësaj oligarkie nga pushteti politik. Së dyti, kemi ndërprerë aksesin e saj në burimet publike dhe në këtë drejtim kemi ndërmarrë tashmë hapa jo të vegjël”, deklaroi kryeministri në përgjigje të opozitës, e cila e ka kritikuar atë se nuk po i përmbush premtimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore.
Lexoni më tepër në arkivin e Radio Bullgarisë:
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva