Artikull
Çdo vit, në fund të verës, Bansko bëhet qyteti i operës
FOTO: Bashkia e Banskos
Madhësia e shkronjave
Nga 27 deri më 29 gusht, Bansko Opera Fest e shndërron sërish resortin malor në një qendër të teatrit klasik muzikor. Festivali është një aktivitet i njohur, i cili që nga viti 2010 u jep mundësi banorëve dhe vizitorëve të takohen me artet skenike në mbrëmjet e fundit të verës.
Gjatë tri ditëve të festivalit në vitin 2026, banorët dhe mysafirët e Banskos do të kenë mundësinë të ndjekin një mjuzikëll, një operë komike dhe një gala operistike e operetash. Për të dytin vit radhazi, festivali del përtej skenës kryesore, duke ofruar interpretime klasike shoqëruese në pika të ndryshme të qytetit të Pirinit.
FOTO: Bashkia e Banskos
Më 27 gusht, festivali hapet me “Katedralja e Zonjës Sonë të Parisit” (“Notre-Dame de Paris”), një nga mjuzikëllët bashkëkohorë më të suksesshëm të autorëve francezë. Vënia në skenë nga regjisori Petko Bonev dhe dirigjenti Stracimir Pavllov ndërthur skenografinë, kostumet, koreografinë dhe projeksionet 3D mapping, ndërsa historia emblematike e Viktor Hygos merr jetë në gjuhën origjinale, me titra në bullgarisht.
Në rolet e Esmeraldës dhe Kuazimodos interpretojnë Lilija Ilieva-Mihajllova dhe Velin Mihajllov. Në shfaqje marrin pjesë gjithashtu solistët, kori, orkestra dhe baleti i Operës Shtetërore të Varnës.
FOTO: Bashkia e Banskos
Më 28 gusht programi
vazhdon me "Don Pasquale" të Gaetano Donizettit, një nga operat
komike më të dashura në repertorin botëror. Vënia në skenë është realizuar nga
dirigjenti Svetosllav Borisov dhe regjisorja Srebrina Sokollova, ndërsa në
rolet kryesore interpretojnë tenori i njohur amerikan Samuel Robertson dhe
nxënësja e talentuar e Rajna Kabaivanskës, Aleksandrina Mihajllova.
Orlin Pavllov
FOTO: Bashkia e Banskos
Finalja më 29 gusht është një mbrëmje gala operistike dhe operetash, me pjesëmarrjen e veçantë të këngëtarit të muzikës pop dhe aktorit Orlin Pavllov.
Së bashku me të, në skenë do të ngjiten Aleksandrina Mihajllova, Zhana Kostova, Lilija Ilieva-Mihajllova, Samuel Robertson, Velin Mihajllov dhe Svilen Nikollov, të shoqëruar nga Orkestra e Operës së Varnës nën dirigjimin e Svetosllav Borisov.
Përpiloi: Cvetana Tonçeva
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva